1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Francë: Protesta masive kundër reformës së pensioneve

12 Tetor 2010

Pasi qeveria franceze vendosi të hënën në mbrëmje (11.10.) ngritjen e moshës së pensionit, këtë të martë (12.10.) në Francë mbahen sërish protesta masive kundër reformës. Sindikatat shpresojnë në tri milionë pjesëmarrës

https://p.dw.com/p/PcMb
Metro në Paris gjatë grevësFotografi: AP

Me greva kryesisht në transportin hekurudhor në Francë ka filluar një ditë e re protestash kundër reformës së kontestuar të pensioneve të presidentit Nicolas Sarkozy. Udhëtarët në trena përballen të martën (12.10.) në të gjithë vendin me anullime dhe vonesa të gjata. Në drejtim të Gjermanisë do të funksionojnë vetëm dy trena të shpejtësisë së lartë TGV. Pengesa të mëdha priten edhe në aeroportet e mëdha të Parisit, Charles de Gaulle dhe Orly. Autoriteti francez për transportin ajror i sugjeroi kompanive të fluturimit të anullojnë 30 deri 50 për qind të fluturimeve.

Frankreich EU Nicolas Sarkozy
Reforma e pensioneve prioritet i mandatit të tijFotografi: AP

Sindikatat franceze shpesojnë nga protestat masive

Ata synojnë rrëzimin e reformës së pensioneve të planifikuar nga qeveria. Thelbi i projektit është rritja me dy vjet e moshës së daljes në pension. Në rreth 240 tubimet dhe demonstratat e protestave në të gjithë vendin, përfaqësuesit e sindikatave presin rreth tri milionë pjesëmarrës. Për herë të parë aksioni i grevave nuk është i kufizuar në kohë. Të prekur janë transporti urban në Paris dhe rafineritë e naftës.

Një pjesë e udhëtarëve tregohen solidarë

Ato u drejtohen formave të tjera të transportit

"Mund të diskutosh shumë për këtë temë, por duhet të tregosh solidaritet", thotë një burrë.

Ndërsa një tjetër nuk tregon mirëkuptim: "Njerëzit mund të punojnë pa problem dy vjet më shumë, kjo nuk është ndonjë dramë. Sot të gjithë jetojmë më gjatë."

Edhe mësues, shoferë kamionësh dhe punonjës të postës do të marrin pjesë në grevë. Të hënën (11.10.) Senati francez miratoi një pasazh tepër të kontestuar të projektligjit. Sipas tij pensioni, pavarësisht nga vitet e kontributit, do të fillojë të paguhet i plotë në moshën 67 vjeç dhe jo në moshën 65 vjeç, si deri tani. Vetëm një javë më parë Senati miratoi ngritjen e moshës së pensionit nga 60 në 62 vjeç.

Frankreich Paris Streik Sarkozy Rente Rentenalter Protest Zug Flash-Galerie
Në transportin hekurudhor dhe atë ajror priten pengesa të shumta.Fotografi: AP

Grevat e shtrira në gjithë vendin mbahen në Francë për herë të pestë që prej muajit maj. Presidenti Nicolas Sarkozy e ka shpallur reformën e pensioneve prioritet të mandatit të tij. Me anë të saj synohet të arrihet një kontribut i madh në rimëkëmbjen e financave të shtetit.

Autor: Sebastian Katzer/Eliana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica