1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Forum rajonal biznesi në Shkup

Fatos Musliu24 Prill 2012

Integrimi rajonal ekonomik është një model me të cilin vendet e rajonit tregojnë gatishmërinë dhe përcaktimin për anëtarësim në BE. Në këtë frymë zhvilloi punimet forumi rajonal i biznesit në Shkup.

https://p.dw.com/p/14jzM
Pamje nga Shkupi
Fotografi: DW

Integrimi rajonal ekonomik si sfidë për kalimin e krizës ekonomike vendore dhe atë rajonale është domosdoshmëri e vendeve të rajonit dhe afaristëve . Ky është një nga konstatimet kryesore të Forumit Ekonomik të mbajtur në Shkup. Pa integrim ekonomik të vendeve të rajonit nuk mund të shpresojmë në një integrim të tërësishëm evropian, vlerësoi ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Valon Saraqini.

“Ne së bashku duhet të punojmë që të jemi më inovativë. Ky bashkëpunim të mos ngelet vetëm në institucionet e vendit por të reflektohet edhe në kompanitë tona, të cilat në të ardhmen do të punojnë bashkarisht që të kenë sukses në tregjet e treta apo tregjet evropiane”.

Kosova synon të jetë jo vetëm konsumues por edhe kontribues i stabilitetit në rajon. Në këtë drejtim, zhvillimi dhe bashkëpunimi ekonomik rajonal është faktor shumë i rëndësishëm.

Integrimi rajonal si rrugë për shmangien e krizës evropiane

“Ne e shohim integrimin rajonal si integrim me prapavijë ekonomike, si integrim ku interesat e biznesit dhe qytetarëve janë interesa të shtetit. Ne dëshirojmë që identiteti shtetëror dhe resurset të shfrytëzohen fillimisht për vendin dhe më pas për rajonin”, u shpreh Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit ekonomik në Kosovë.

"Një integrim më i shpejtë dhe një shfrytëzim më i mirë i tregut rajonal do të ishte një mundësi shumë e mirë për të shmangur krizën evropiane. Për vendet e rajonit është e rëndësishme që të bëhet unifikimi i politikave fiskale, tregtare dhe politikave tjera industriale në rrugën e përbashkët drejt BE-s", tha Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës.

“Dallimet të cilat i kemi për momentin në raport me procesin e integrimit, ku jo të gjitha shtetet janë në të njëjtën fazë, të evitohen ato dallime dhe të kemi një qarkullim më të lirë të mallrave, të njerëzve, të shërbimeve dhe kapitalit në mes të shteteve të rajonit”, u shpreh ministrja kosovare.

Nevojë për bashkim kapitali

Synimi i biznesmenëve të rajonit është tregu i përbashkët i cili nuk duhet të njohë përkatësi kombëtare apo ngjyra etnike, u shpreh Menderez Kuqi, kryetar i Odës ekonomike të Maqedonisë veriperëndimore: “Ne duam të bëhemi model se si edhe një biznesmen nga Serbia mund të investojë në Kosovë, që është një ekstrem për kohën e sotme, por që do të jetë një realitet nesër. Ngase nevoja është për integrim, integrimet janë ato që mund të na çojnë përpara”.

Afaristët e rajonit janë të mendimit se pikësynim i tyre në të ardhmen duhet të jetë integrimi i kapitalit të përbashkët, sepse vetë në këtë mënyrë mund të luftohet konkurenca e fortë në tregjet evropiane dhe botërore.

“Ajo që është sukses i një kompanie është plani. Kur të kesh një plan të saktë puna është kryer 90%. Pastaj mbetet puna për t'u kryer hap pas hapi në përditshmëri”, u shpreh Muharem Murtezani, pronar i një sipërmarrje me aktivitet në Maqedoni dhe Kosovë.