1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Westerwelle shkon në konferencën për Afganistanin

Christoph Grabenheinrich/ Aida Cama14 Qershor 2012

Ditën e enjte (14.06.2012) takohen në Kabul përfaqësues nga 30 vende të botës në një konferencë rajonale. Aty do të shkojë edhe ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle.

https://p.dw.com/p/15ERV
Në konferencën për Afganistanindo të shkojë edhe ministri gjerman i Jashtëm, Guido Westerwelle
Në konferencën për Afganistanindo të shkojë edhe ministri gjerman i Jashtëm, Guido WesterwelleFotografi: picture-alliance/dpa

Aty do të bëhet sërish fjalë për të ardhmen e Afganistanit. Konferenca në Kabul është një hap i rëndësishëm për ta çuar Afganistanin drejt pavarësisë. Kjo duhet të ndodhë pas largimit të trupave ndërkombëtare, pra mbas vitit 2015. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westewelle ishte mikpritësi i konferencës së mëparshme, e cila u zhvillua në Bon, në fund të vitit të kaluar. Aty Afganistanit iu premtua ndihmë për të paktën dhjetë vjet.  Westerwelle e di mirë se rruga është e gjatë dhe e vështirë.  "Në Afganistan nuk është asgjë e lehtë. Dhe shumë gjëra nuk janë ashtu siç duhet të ishin. Unë druhem se shumë gjëra dhe do të mbeten të vështira."

Duke folur kështu para parlamentit gjerman, ministri i Jashtëm bëri një përmbledhje të sinqertë të situatës. Ai i premtoi njëkohësisht deputetëve se pjesë të ushtrisë gjermane do të tërhiqen shumë shpejt, por Gjermania do të duhet për një kohë të gjatë të mbajë përgjegjësi. "Ngarkesat financiare do të zgjasin më shumë. Zhvillimi dhe siguria janë të lidhura me njëra tjetrën. Ekonomia në Afganistan duhet të ngrihet në këmbët e veta. Ndihma jonë është e nevojshme për ngritjen e sektorit privat konkurues," tha Westerwelle.

Afghanistan Treffen in Deutschland Guido Westerwelle und Hamid Karzai
Qeveria afgane kërkon të forcojë me këtë takim edhe bashkëpunimin politik dhe ekonomik në Azinë qëndrore dhe jugore.Fotografi: picture-alliance/dpa

Në këtë mënyrë ai foli edhe për temën e konferencës. Ministrat e Jashtëm duan të përgatisin në Kabul konferencën e donatorëve, e cila zhvillohet në korrik në Japoni. Atje do të bëhen premtimet për shumat e tjera të ndihmave. Afganistani është krejtësisht i varur nga donatorët ndërkombëtarë. Shumat miliardëshe kanë shkuar deri tani në ndihmat për zhvillimin. Një pjesë të madhe të shpenzimeve shtetërore Afganistani e financon me mjetet e huaja dhe për një kohë të caktuar kjo do të vazhdojë të mbetet kështu. Këtë e di edhe kancelarja gjermane Angela Merkel. "Ju mund të besoni se ne do të jemi në krah të Afganistanit jo vetëm deri në vitin 2014 por edhe më pas. Ne duam të japim ndihmë, në mënyrë që Afganistani të ndihmojë veten".

Kështu kancelarja ka premtuar disa javë më parë të nënshkruajë marrëveshjen gjermano- afgane. Gjermania ka dhënë deri tani 1,7 miliardë euro për rindërtimin e Afganistanit. Disa premtime të qeverisë gjermane janë bërë edhe për kohën pas vitit 2015, për shembull 150 milionë euro në vit për të financuar forcat afgane të sigurisë. Kjo shumë duhet shtuar. 240 milionë euro do të paguajë ministria gjermanë për Zhvillimin. Por ministri Dirk Niebel e kushtëzon këtë me kushte. "Deficit i madh ekziston në të gjitha nivelet sa i përket qeverisjes së mirë. Në problemet thelbësore bëjnë pjesë korrupsioni i përhapur shumë, mungesë efikasiteti i instancave shtetërore dhe mungesë sigurie juridike. Unë mund t`ju siguroj se kjo qeveri do i thotë shumë qartë këto pika."

Ministria e Jashtme gjermane ka financuar deri tani projekte në vlerë prej 180 milionë eurosh në vit. është ende e paqartë sa shumë mjete financiare do të jepen në të ardhmen, mbase e njëjta shumë, por edhe për këtë duhet të bisedohet. Ministri i Mbrojtjes Thomas de Maizière ka bërë të qartë se financimi i rindërtimit i shërben interesave gjermane. "Këtë ne nuk e bëjmë thjesht nga dashuria, por për të siguruar vazhdimësinë e asaj që është arritur vitet e fundit. Puna jonë e viteve të kaluara nuk duhet të shkojë kot, por duhet të jetë e qëndrueshme."

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westewelle ishte mikpritësi i konferencës së mëparshme, e cila u zhvillua në Bon, në fund të vitit të kaluar
Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westewelle ishte mikpritësi i konferencës së mëparshme, e cila u zhvillua në Bon, në fund të vitit të kaluarFotografi: dapd

Deri aty rruga është e gjatë. Shumë skeptikë dyshojnë nëse suksesi do të kurorëzohet për një kohë të gjatë. E domosdoshme për këtë është që të kapërcehet mosbesimi midis pakistanezëve dhe afganëve. Ministri i Jashtëm Westerwelle shpreson që Afganistani dhe fqinjët e tij të bien dakord në konferencë për të marrë masa për rritjen e besimit duke kontribuar në këtë mënyrë për sigurinë dhe stabilitetin në  rajon.