1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zona e euros përbën rrezikun më të madh për tregjet financiare

Rolf Wenkel/Aida Cama11 Tetor 2012

Megjithëse Japonia dhe SHBA kanë në shifra absolute më shumë borxhe se sa disa vende të zonës së euros, Unioni monetar evropian mbetet faktori më i rrezikshëm për stabilitetin e tregjeve financiare globale.

https://p.dw.com/p/16NZT
Fondi Monetar Ndërkombëtar u mblodh ditën e mërkurë (10.10.2012) në Tokio.Fotografi: Reuters

Ky është përfundimi i arritur nga raportet e fundit financiare, që prezantoi Fondit Monetar Ndërkombëtar ditën e mërkurë (10.10.2012) në Tokio.

Rreziku kryesor për stabilitetin e tregjeve financiare globale, vazhdon të mbetet sipas FMN zona e euros. Në zonën e euros janë rritur ndryshimet ekonomike dhe financiare midis perfierisë dhe qendrës së Unionit Monetar- ndarje që ka pasoja dramatike, thotë José Viñals, shefi i sektorit për tregjet e kapitaleve tek Fondi Monetar Ndërkombëtar: „Besimi i dobët dhe pasiguria politike kanë cuar në rrjedhje masive kapitalesh nga vendet në periferi, dhe kjo është shumë e pazakontë për një hapësirë me monedhë të përbashkët. Kjo ka bërë që në këto vende të rriten shumë kostot për kreditë e reja si për qeveritë dhe bankat ashtu edhe për firmat dhe ekonomitë private, dhe kjo nga ana tjetër rrezikon të kthehet në një spirale në rënie për ekonominë.“

Por Viñals është i sigurt se ky rreth vicioz mund të çahet. Për këtë duhet që qeveritë evropiane të përforcojnë besueshmërinë e tyre politike nëpërmjet zbatimit të masave, për të cilat është rënë dakord kundër krizës së euros dhe duke rifituar besimin e investorëve – përndryshe rrezikon sërish një bllokadë e madhe kredish. „Gjasat janë të mira. Nëse presioni mbi tregjet ulet, atëherë bankat e Bashkimit Evropian duhet të kenë një bilanc prej 2 800 miliardë dollarësh. Dhe kjo mund të ulë kostot e kredive në vendet periferike me 9 përqind deri në fund të vitit 2013.“

Në rastin më të keq, sipas FMN, minusi mund të arrijë në 4500 miliardë euro, kostot e kredive ulen me 18 përqind dhe kjo mund të bënte që rritja ekonomike në Evropë nga zero të shkonte në katër përqind.

Me vendimet e marra në takimin e nivelit të lartë të BE-së në fund të qershorit, dhe njoftimin e Bankës Qendrore Evropiane për blerjen në kushte të caktuara të obligacioneve shtetërore në nivel të pakufizuar, është rritur muri mbrojtës dhe arsenali i armëve kundër krizës është rritur, thotë Viñals. Kjo i qetësoi tregjet dhe uli shtesat për rreziqe tek përqindjet e interesit. Por: „Tregjet duhet ta konceptojnë Mekanizmin për Stabilizimin e Euros dhe programin e Bankës Qendrore Evropiane për blerjen e obligacioneve shtetërore si reale dhe jo si aktivitete virtuale, ato duhet të jenë të lidhura me kushte të besueshme.“

Nëse një vend nuk do t`i marrë këto ndihma, sepse me to janë lidhur shumë masa kursimi, tha Viñals duke nënkuptuar Spanjën, atëherë i gjithë programi ka rrezik të kthehet në aktivitet virtual. Dhe tregjet do të merrnin një goditje të tillë, atëherë shtesat për rreziqet do të rriteshin dhe kriza do të kthehej në pikën fillestare.