1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fituesit e olimpiadës së gjermanishtes në Shqipëri përfitojnë bursa studimi në Gjermani

3 Qershor 2010

Rreth 100 nxënës, studentë dhe specialistë nga Shqipëria u shpallën të mërkurën (02.06) fitues të bursave për në Gjermani. Ata do të kenë mundësi të studiojnë apo të viziojnë zona të ndryshme në Gjermani.

https://p.dw.com/p/Ngei
Fituesit e olimpiadës së gjermanishtesFotografi: DW

Përfituesit e rinj të bursave nga Gjermania janë në pjesën më të madhe të rinj, nga shkollat e mesme dhe universitetet. Ata marrin frytet e një përkushtimi afat gjatë për njohuritë në gjuhën gjermane, apo në degë e specialitete të ndryshme si ekonomi, mjekësi, inxhinieri, projektim etj. Qëndrimi i tyre në Gjermani ka afate kohore të ndryshme në varësi të programit që do të ndjekin.

Demokrat Xhori është një nga studentët e shkëlqyer të shkollës së mesme “Asim Vokshi” në Tiranë. Ai ka marrë një bursë për degën e studimeve evropiane në universitetin e Bremenit. Afeksioni i tij për gjermanishten ka lindur 4 vjet më parë: “Kur erdha tek gjuhët e huaja nuk dija asgjë, isha fillestar. Por në vitin e dytë bëmë një konkurs për gjuhën gjermane dhe fitova një bursë për të vazhduar një vit shkollën në Jenë. Për maturën u ktheva në Shqipëri, ku dhashë provimët për të fituar bursën”.

Kjo është hera e tretë që Demokrati shkon në Gjermani, por këtë herë thotë se misioni i tij është mjaft ambicioz, “për të finalizuar me rezultate të larta universitetin e Bremenit që t'i hap rrugë studimeve e kualifikimeve pasuniversitare”.

Dr. Brikena Kadzadej, shefe e departamentit të gjuhës gjermane në Universitetin e Tiranës i vlerëson të dy llojet e bursave që jepen nga Gjermania, si ato për thellimin e njohurive të gjuhës ashtu dhe për të kryer master: “Bursa e masterit kuptohet që është një thellim më tej në profesion, kurse bursat për gjuhën gjermane u japin një mundësi e një shans studentëve, të cilët e njohin atë por jo në nivelin që duhet që t 'i thellojnë njohuritë e tyre në vendin ku flitet kjo gjuhë”.

Erjon Shala është nga gjimanzi 28 nëntori në Shkodër. Erjoni është fitues i vendit të dytë në olimpiadën kombëtare të gjermanishtes, gjë që i mundëson atij një bursë për vizitë njohëse për në Gjermani: “Do të shkoj 4 javë në Gjermani për t'u njohur me kulturën gjemane, por dhe po e pres me shumë gëzim se është hera e parë që dal nga territori i Shqipërisë. Është një eksperiencë e paprovuar më parë dhe shpresoj që të përfitoj shumë nga kultura gjermane për ta aplikuar atë në Shqipëri”.

Albanien Stipendien Deutschland
Nga ceremonia e dorëzimit të bursave në Ambasadën Gjermane në TiranëFotografi: DW

Bursistët faktor i bashkëpunimit mes institucioneve tona dhe atyre gjermane

Kurse Anisa Nezha është maturante e shkollës së gjuhëve të huaja në Elbasan. Ajo nuk ka fituar bursë për në Gjermani, por asaj i është akorduar një çertifikatë e standartizuar e njohurive të gjuhës gjermane. Ajo thotë për DW-në se pas 4 viteve studimi për këtë gjuhë, pas rreth 800 orëve që parashikonte programi mësimor ka arritur një objektiv madhor: “Është niveli i dytë, është si të thuash një nivel i lartë me të cilin mund të punësohemi në të gjithë botën, se na njihet që kemi njohuri për gjermanishten”. Kur të jetë studente Anisa shpreson të marrë një bursë nga DAAD-i për të ndjekur studime të plota në universitet gjermane.

Ministri i Arsimit Prof.dr Myqerem Tafaj është vetë prezent në aktivitetin mes të rinjëve dhe përfituesve të tjerë të bursave nga Gjermania. Ai në fillim të viteve '90-të ka qenë vetë bursist duke ndjekur kualifikime pas universitare për rreth 10 vite në Gjermani. Prof. dr. Tafaj e vlerëson maksimalisht akordimin e bursave. Siç thotë për DW-në, ato kanë vlerë jo vetëm për ata personalisht, por dhe për shkollat dhe institucionet nga vijnë. “Sepse mendoj që ata bëhen një faktor i bashkëpunimit mes institucioneve tona dhe atyre gjermane, ose pritëse. Në këtë kuptim unë çdo bursist e shikoj si një “ambasador” për univesritetin që e dërgon për atë universitet ku shkon. Një bursist më shumë është një vlerë e shtuar për Shqipërinë. Aq më tepër unë mendoj se bashkëpunimi në fushën e arsimit është një nga bashkëpunimet më të mira dhe më të ngushta mes Shqipërisë dhe Gjermanisë”.

100 bursat e reja që akordohen nga Gjermania e çojnë në rreth 4 mijë numrin e përfituesve nga Shqipëria në 20 vitet e fundit. Pjesa më e madhe janë akorduar nga Shërbimi i Shkëmbimit Akademik Gjerman, DAAD, i cili ka mbështetur mbi 2300 bursistë. Në terma financiarë vetëm kjo mbështetje është baraz me një shumë prej mbi 6 milionë euro. Pjesë e ndihmës janë dhe kualifikimet e rreth 1500 ushtarakëve shqiptarë, si dhe mbështetja që japin nxënësit, studentët e mësuesit Instituti Goethe e Shërbimi i Shkëmbimit Pedagogjik, apo përfshirja në programet e bursave parlamentare ndërkombëtare, të komisionit gjerman për marrëdhëniet ekonomike për Evropën Lindore.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora