Fitorja e qendrës së majtë e bën Danimarkën për herë të parë me një femër kryeministre
16 Shtator 2011Socialdemokratët danezë dhe aleatët politikë të qendrës së majtë dolën fitues në zgjedhjet parlamentare të së enjtes dhe Helle Thorning-Schmidt është bërë kryeministrja e parë femër në historinë e Danimarkës. Zgjedhjet në mbarë vendin, u vendosën për t'u zhvilluar muajin e kaluar pasi koalicioni qeveritar, u përball me kritika të ashpra për ekonominë.
Fitorja e Thorning-Schmidt, i jep fund influencës së fuqishme dhe populiste të partisë Daneze të Popullit, një parti kundër emigrantëve dhe aleate kryesore e tashmë, ish -kryeministrit Lars Loekke Rasmussen.
Blloqet partiake
Partitë janë ndarë në dy blloqe me linja të theksuara ideologjike: Blloku i Kuq i Socialdemokratëve, Partisë Socialiste të Popullit, Social-Liberalëve, dhe Aleancës Kuqe-Blertë në një anë, si dhe në anën tjetër blloku Blu me Liberalët qeverisës, partitë Konservative, si dhe Aleancën liberale dhe Partinë e Popullit Danez.
Nën influencën e Partisë së Popullit Danez, blloku Blu i kryesuar nga Rasmusseni, ka ndërmarrë një sërë reformash për të krijuar në vend një klimë miqësore për biznesin dhe investitorët, por ka ndërmarrë masa kufizuese për emigrantët.
Kryeminstrja e re Thorning-Schmidt është zotuar se do ta kalojë peshën e taksave tek danezët e pasur dhe tek bankat, si dhe do të bëjë shkurtime në buxhet. Ajo ka premtuar gjithashtu, se do të lehtësojë pikat e kontrollit dhe doganat nga masat e ekzagjeruara në kufirin me Gjermaninë dhe Suedinë, gjë e cila ka acaruar BE-në dhe fqinjët e Danimarkës.
Autor: reuters/dpa/A.Borici
Redaktoi: Auron Dodi