1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Financë: Schäuble kundër ndryshimit të ligjit aktual të tatimeve

aud (dpa, afp)13 Shkurt 2014

Ministri gjerman i Financave e konsideron të mirë praktikën e vetëkallëzimit pa u dënuar të evazorëve fiskalë. Kritikët dëshirojnë ligje më të ashpra. Blerjen e CD-ve me emrat e evazorëve fiskalë e mbështesin të gjithë.

https://p.dw.com/p/1B7ju
Fotografi: Fotolia/Bobo

Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble e mbrojti në një Orë Aktuale të Bundestagut parimin e mosdënimit të atyre që vetëkallëzohen kur nuk i kanë paguar tatimet. Kristjandemokrati e argumentoi qëndrimin e tij midis të tjerash me faktin, se autoritetet financiare do të zbulonin përndryshe më pak persona që kryejnë akte penale. Në bazë të ligjit në fuqi, shteti heq dorë nga ndjekja penale e personit, kur ai që nuk paguan taksat vetëkallëzohet dhe e paguan shumën e taksave, që nuk i ka paguar zyrës së financave, plus gjashtë përqind interesa bankare për vonesën. Që prej shumës 50.000 euro, duhet të paguhet si dënim edhe një shtesë prej pesë përqind.

Shkas për diskutimin e ri për këtë temë debati prej vitesh u bënë rastet e fundit, që u bënë të ditura për persona të shquar të jetës publike, të cilët nuk i kishin paguar të gjitha taksat. Njëra prej tyre ishte veprimtarja e grave, Alice Schwarzer. Asaj iu desh të pranojë se që prej viteve '80 kishte depozituar në Zvicër shuma të mëdha parash, pa paguar tatime për interesat.

"Ai që ka para, arrin ta blejë lirinë", kjo përshtypje krijohet tek qytetari u shpreh i indinjuar Klaus Ernst nga Grupi Parlamentar i Majtë. Sipas vlerësimeve, shtetit në këtë mënyrë i mungojnë çdo vit 50 miliardë euro të ardhura. "Kjo është një e gjashta e buxhetit federal." Nevojiten më shumë inspektorë të zyrës së tatimeve. "Asnjë person që i bën bisht pagimit të taksave nuk duhet të ndihet i sigurtë". Me këmbëngulje, politikani i Së Majtës kërkoi heqjen e mosdënimit në raste vetëkallëzimi.

Lisa Paus e Të Gjelbërve tërhoqi vëmendjen për numrin e shtuar të vetëkallëzimeve. Vitin e kaluar të tilla kanë qenë 25.000, gati tri herë sa në vitin 2012. Kjo rritje ka qenë e mundur të arrihet vetëm përmes blerjes së CD-ve me emrat e atyre që nuk paguajnë taksa, gjë që e mbështet nga halli edhe ministri gjerman i Financave, Schäuble. Politikania e të Gjelbërve, Paus tha se kjo është meritë e partisë së saj. Kishin qenë të Gjelbrit dhe socialdemokratët ata që kishin bërë të anulohej në legjislaturën e kaluar marrëveshja tatimore me Zvicrën. Prandaj gjithnjë e më shumë njerëz po vetëkallëzohen, tha ajo.

Andreas Schwarz (SPD) dëshiron që ligjet të ashpërsohen. Ai kërkoi të caktohet një periudhë kalimtare, derisa të dalë jashtë funksionimit ligji aktual. Në fund nuk duhet të ekzistojë më mundësia e vetëkallëzimit pa u dënuar, tha ai.