1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Filmi gjerman tërheqës për publikun në Maqedoni

Fatos Musliu21 Tetor 2013

Në edicionin e nëntë të festivalit të filmit të ri gjerman në Maqedoni u prezantuan një numër krijimesh që gjetën jehonë pozitive në publik.

https://p.dw.com/p/1A2xq
Fotografi: Kristian Cierpka

Festivali i filmit gjerman në Maqedoni ndër vite është shndëruar në një manifestim tradicional, i cili arriti që në program të sjellë filma aktualë, modernë dhe progresivë nga një prej kinematografive më prestigjioze në Evropë.

Manifestimi me moton “Ich liebe Film” (E dua filmin) u realizua në nëntë qytete të Maqedonisë: Shkup, Shtip, Tetovë, Prilep, Veles, Manastir, Strumicë, Kavadar dhe për herë të parë këtë vit në Kumanovë. Në filmin e ri gjerman pasqyrohet realizmi, por edhe e mundshmja dhe e supozuara. Filmat gjermanë zhyten thellë, ofrojnë ballafaqim pa kompromis dhe përfshijnë shumë shtresa, të cilat mundësojnë të arrihet tek thelbi. Në tablonë filmike, ashtu siç ndodh në jetën e përditshme, këto vepra artistike na rikujtojnë se nuk është çdo gjë e bardhë, se më e mira është vetëdijësimi për realitetin dhe ballafaqimi me problemet." Duke u bazuar në këto karakteristika të filmit gjerman është tejet i kuptueshëm interesi i publikut për filmin e ri gjerman", thotë Biljana Severinova, drejtore e sektorit për marketing në Pro Credit Bank, e cila ishte bashkëorganizatore e festivalit të sivjetëm.

Rrugë në qendër të qytetit të Manastirit
Rrugë në qendër të qytetit të ManastiritFotografi: DW/A. Dimitrievska

“Më parë publiku kishte vështirësi ta pranonte filmin gjerman por edhe atë evropian, sepse filmi gjerman rikujtonte filmat bardh e zi, tema të cilat nuk janë edhe aq argëtuese. Mirëpo, filmi i ri gjerman ka sjellë një freski tek publiku, sepse tani ai korrespondon me realizmin evropian”, vlerëson Biljana Severinova.

Filmi përforcues i miqësisë

Përzgjedhja e filmave për edicionin e nëntë të sivjetëm të filmit gjerman është bërë me shumë kujdes, kemi pasur parasysh që të ketë larmi të zhanreve, thotë Helga Teipel atashe për kulturën në ambasadën gjermane. “Të gjithë filmat e prezantuar kanë qenë nga regjisorë gjermanë, shumica e tyre janë të rinj. Këtu nuk bëhet fjalë për seriale të stilit amerikan, këtu bëhet fjalë për filma, që janë shfaqur në kinematë gjermane. Këto filma janë nga zhanre të ndryshme që nga komedia, drama, tragjedia, filma për femijë e dokumentarë”, thotë Helga Teipel atashe kulture.

Ambasadorja e Gjermanisë në Maqedoni Gudrun Steinacher nënvizon se me festivalin ata dëshirojnë të japin një kontribut në zhvillimin e kulturës së kinemasë dhe njëkohësisht të përforcojnë miqësinë gjermano-maqedonase. Numri i madh i vizitorëve gjatë shfaqjes së fimit gjerman nëpër qytetet e Maqedonisë është tregues se arti i kinemasë në Maqedoni ende gjen rezonancë tek publiku.

Në hapjen e festivalit të filmit gjerman në Shkup mori pjesë edhe prefekti i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski. “Mesazhi i filmit të ri gjerman është real, skenat e produksionit në kinematografi shpesh herë pasqyronë jetën, ndaj mesazhi im ndaj artdashësit është që edhe më tej t'i qendrojnë besnikë botës së filmit”, u shpreh Trajanovski.

Koce Trajanovski, prefekt i qytetit të Shkupit
Koce Trajanovski, prefekt i ShkupitFotografi: Petr Stojanovski

Ambasada gjermane njoftoi se në edicion e dhjetë jubilar, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm, jo vetëm që do të rritet numri i qyteteve, ku do të prezantohet filmi gjerman, por edhe do të organizohen punëtori (workshop) dhe programe me filmat më të mirë gjermanë, gjatë të cilëve nuk përjashtohet mundësia që në Maqedoni të ishin të pranishëm edhe figura të njohura të kinematografisë gjermane, të cilët do të realizonin komunikim të drejtëpërdrejtë me adhuruesit e filmit.