1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fillimi i procesit në Madrid dhe dënimi i mohuesit të Holokaustit

16 Shkurt 2007

Gazetat gjermane komentojnë kryesisht fillimin e procesit gjyqësor kundër atentatorëve të mundshëm në Madrid dhe dënimin e mohuesit të Holokaustit

https://p.dw.com/p/Arla

E përditshmja DIE WELT për fillimin e procesit kundër terroristëve shkruan:

'Me shpërthimet e bombave të Madridit lufta asimetrike për herë të parë arriti edhe në tokën evropiane. Ngjashëm si në atentatet e Londrës në korrikun e vitit 2005, ato treguan një fytyrë të re të terrorizmit. Nuk ishte vetë Al Kaida organizatore, por grupe autonome terroristësh, të frymëzuara nga Al Kaida. E që kanë ndjekur urdhrin e Osama bin Ladenit, që me anë të sulmeve të destabilizohen ato vende, që nuk ishin sa duhej kritike ndaj Amerikës. Në Madrid si edhe më vonë në Londër atentatorët nuk ishin të huaj: myslimanë dhe pjesërisht migrantë, por shtetas vendas. Sulmet tregojnë, se ky terrorizëm ka filluar të bëhet pjesë e Evropës.'

STUTTGARTER ZEITUNG analizon:

'11 shtatori filloi lëkundjen e një penduli, që do të tundet edhe për shumë kohë, amplitudat e të cilit megjithatë sa vijnë e po zvogëlohen. Vrasjet në masë zbuluan disa boshllëqe sigurie dhe shtuan zërat për më shumë ndëshkim dhe siguri. Ndonjë ide politike e lindur në panik e sipër tashmë është korrigjuar, struktura e sigurisë është përmirësuar. Shoqëria është përgatitur ndaj kërcënimeve të reja. Kush arrestohet sot me dyshimin për terrorizëm, trajtohet si çdo kriminel tjetër."

OSTSEE-ZEITUNG nga Rostoku shkruan:

'Procesi kundër bombarduesve që mbijetuan në Madrid nxjerr në pah një fenomen tjetër terrrorizmin. E përditshmja kthehet, por vrasësit jetojnë mes nesh. Ata janë, ashtu si edhe atentatorët e autobusave në Londër në 2005, shtetas me pasaportë dhe arsim vendas, nuk kemi të bëjmë me të varfër dhe të diskriminuar. Shoqëritë e lira janë më të pafuqishme ndaj kërcënimeve të tilla latente, sepse mjetet legale nuk e kanë të lehtë të kontrollojnë dhe të luftojnë ilegalitetin."

Në lidhje me dënimin e gjermanit 67-vjeçar që nga Kanadaja kishte përhapur në internet agjitacion për mohimin e gjenocidit të nazistëve ndaj hebrejve, në ALLGEMEINE ZEITUNG nga Mainci lexojmë:

'Vendimi është një shenjë e rëndësishme. Nxitës, agjitatorë dhe zjarrvënës politikë nuk duhet të shpëtojnë, edhe në qoftë se po shkojnë drejt të 70-ave dhe prandaj qenkërkan të parrezikshëm. Këtu nuk kemi të bëjmë me rrezikshmërinë e kriminelëve nacionalistë, por me parimin e drejtësisë. Kjo njohuri për fat të keq është pjekur shumë vonë. Drejtësia gjermane e pasluftës dështoi në mënyrë të paparë në vitet 50-të dhe 60-të, pikërisht kur erdhi puna për të gjykuar gjyqësinë nacionalsocialiste. Asnjëri nga gjykatësit e gjakut të Hitlerit, nuk u dënua."

FRANKFURTER RUNDSCHAU ndriçon ecurinë e procesit:

'Për të ardhur keq është vetëm fakti, që ky vendim u desh të merrej pas dy etapave dhe 15 muajve, e ku salla e gjyqit u shndërrua në një pikëtakim të së djeshmes. Me një publik, që gati tërësisht i përkiste qarqeve djathtiste. Me avokatë mbrojtës për turp. Që në fjalën mbrojtëse lexojnë nga "Lufta ime" e Hitlerit dhe letrat e dërguara në gjyq i nënshkruajnë me Heil Hitler. Atmosfera tërhoqi vëmendjen edhe për ekzistencën e një bote paralele djathtiste, ku jo vetëm që mohohet e kaluara naziste, por edhe e tanishmja.'

Gazeta MANNHEIMER MORGEN shkruan:

'Sigurisht që është problematike, kur të vërtetat historike detyrohen të mbrohen nga shteti. Por në rastin e mohimit të Holokaustit dënimi është i justifikuar. 'Kurrë më Auschwitz", ky ishte një nga parimet etike të Republikës Federale, e ai duhet të mbetet edhe në të ardhmen. Edhe nës se çmimi është që të durojmë gjyqe të tilla të shoqëruara nga një seri skandalesh, siç ishte ky kundër Cyndelit."