1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fillimi i fundit të misionit në Irak

Volker Wagener5 Shtator 2007

Prova për tërheqje trupash nga Bush dhe Braun. Po merr fund në këtë mënyrë dhe partneriteti i ngushtë britaniko-amerikan në Irak?

https://p.dw.com/p/BbR2
Ushtria britanika largohet nga BazraFotografi: AP

Presidenti amerikan ka bërë një vizitë rrufe në Irak. Mesa duket momenti i vizitës nuk është zgjedhur rastësisht. Javët e ardhshme komandanti suprem i trupave amerikane në Irak do të paraqesë raportin e pritur me tension mbi situatën në vend. Më pas Bush pritet të përcaktojë strategjinë e tij të re për Irakun. Vizita e presidentit amerikan ndodhi thuajse në të njëjtën kohë me zhvendosjen e trupave britanike në bazën e tyre e fundit në aeroport, në Basra në jug të Irakut. A merr fund në këtë mënyrë dhe partneriteti i ngushtë britaniko-amerikan në Irak?

Ka rastësi të cilat njeriu e ka të vështirë t'i besojë. Trupat britanike braktisin bazën e tyre të fundit në Basra në jug të vendit. 550 ushtarë zhvendosen në aeroportin jashtë qytetit. Natën, në fshehtësi. Duhet pranuar se ndryshimi i vendndodhjes së tyre kishte kohë që duhej bërë. Në pallatin Basra, rezidencën e dikurshme të Sadam Huseinit britanikët ishin kthyer pa dashje në të burgosur, vazhdimisht nën sulmet me mortaja të milicëve shiitë. Pikërisht në këtë ditë Xhorxh Bush (George Bush) viziton fshehurazi ushtarët e tij në provincën Anbar. Si gjithmonë, pa paralajmërim, gazetarët u detyruan të heshtin. Vizitat e një presidenti në një vend i cili thuhet se ka hyrë në rrugën e paqes janë ndryshe.

Megjithatë në Irak gjërat janë në lëvizje. Sa i takon amerikanëve të gjitha gjasat tregojnë se një javë përpara publikimi të raportit të ri mbi Irakun në Kongres, Bush do të bëjë rregullimet e fundit përpara se të përcaktojë strategjinë e ardhshme për Irakun. Në muajin janar presidenti Bush arriti që kundër qëndresës së demokratëve të siguronte dërgimin e 29.000 ushtarëve shtesë në Irak. Forcimi i trupave pritej të sillte suksesin që edhe në vitin e katërt pas rrëzimit të Sadamit nuk duket gjëkundi. Vetëm gjatë muajit gusht më shumë se 1800 civilë kanë humbur jetën si pasojë e atentateve dhe përleshjeve, kuota e dytë më e lartë e këtij viti.

Ndërkohë që është e vështirë të kuptosh konceptin e presidentit Bush, britanikët ngadalë por në mënyrë të sigurt krijojnë fakte. Rreth 5.000 ushtarët e tyre në jug të vendit janë grumbulluar tashmë në mënyrë kompakte në një pikë të vetme. Sigurisht që nuk bëhet më fare fjalë për një kontroll të zonës që duhej mbuluar prej tyre - gjithë rajoni jugor i Irakut përfshirë hyrjen në Gjirin Persik. Mesazhi i ngjarjeve të ndodhura njëkohësisht, zhvendosja e trupave britanike nga njëra anë dhe vizita e presidentit Bush nga ana tjetër, flet për kundërshti. Amerikanët dërgojnë më shumë ushtarë në rajon sa më e pasigurtë që bëhet gjendja atje dhe sa më shumë shtohet kundërshtimi i misionit në SHBA.

Britanikët nxjerrin konkluzione të tjera nga i njëjti konstatim: tërheqja ka kohë që ka filluar. Ushtarakët më të lartë britanikë i akuzojnë amerikanët për "falimentim intelektual" në strategjinë e tyre për Irakun. Gordon Braun (Gordon Brown) dëshëron të shkëputet nga "kryeministri i luftës" Bler (Blair) dhe si kryeministër edhe të zgjidhet së shpejti. Kështu një tërheqje trupash në një kohë jo të largët është e përshtatshme nëse kështu mund të fitojë pikë në Britani.

Problemi qëndron në aleancën amerikano-britanike e cila është rrezikuar si kurrë më parë nga përkimi në një ditë i dy ngjarjeve të së hënës. Secili për vete dhe Zoti për të gjithë - kjo është mesa duket motoja të paktën sa i takon britanikëve. Këtu qëndron rreziku. Shtim trupash apo tërheqje, rruga për të dalë nga Iraku kalon në rradhë të parë nga jugu i vendit. Në rajonin ku britanikët kishin përgjegjësinë për vendosjen e paqes. Por nëse këta tani planifikojnë kthimin në atdhe kush do të kujdeset për sigurinë e furnizimit të trupave amerikane? E nëse vështrimin e hedhim edhe pak më larg, kush do të sigurojë tërheqjen dikur të rreth 160.000 trupave amerikane? E sigurtë është që mbështetja reciproke britaniko-amerikanë në Irak nuk ekziston më. Kështu siguria e trupave amerikane është më e rrezikuar se kurrë.