BP Führungswechsel
26 Korrik 2010Mediet britanike janë të sigurta, se është vetëm çështje orësh. Karriera e Tony Hayward tek gjigandi i naftës BP do të marrë fund ndoshta që sot (e hënë, 26.7.), njofton BBC. Në fundjavë është negociuar për kushtet e largimit të Hayward-it - vendimi bëhet zyrtar gjatë ditës(26.7.). Një zëdhënës i BP nuk deshi as t'i konfirmojë dhe as t'i përgënjeshtrojë njoftimet. Por momenti është i përshtatshëm, sepse të hënën mblidhet në Londër Këshilli drejtues i koncernit të naftës. Ai mund të marrë kërkesën për dorëheqje dhe ta pranojë.
Për shumicën e ekspertëve është prej kohësh e qartë, se Tony Hayward herët apo vonë duhet të largohet. Kështu mendon edhe gazetari i njohur i BBC-së Robert Peston: "Kur financat dhe prestigji pësojnë një goditje të tillë si tek BP si rrjedhojë e katastrofës së naftës në Gjrin e Meksikës, atëherë për shefin që është në krye, është e pamundur të mbijetojë. Kështu do të ishte në çdo sipërmarrje, apo institution tjetër."
Prishja e imazhit të menaxherit shembullor
Tony Hayward është dashur të dëgjojë shumë kritikë për menaxhimin e krizës dhe për katastrofën në gjirin e Meksikës. Pikërisht ai, i cili deri në momentin e katastrofës konsiderohej si reformues i madh, si njëri që po e çonte BP në një të ardhme të ndritshme.
Imazhi i menaxherit shembullor u shkatërrua pak nga pak pas shpërthimit të platformës së naftës "Deepwater Horizon“. Psh, kur disa javë pas fillimit të katastrofës, ai ankohej duke thënë se dëshironte t'i kthehej jeta e mëparshme. Këto fjalë iu morën shumë për ters sidomos në SHBA. Kur Tony Hayward pak më vonë mori pjesë me anijen e tij me vela në një garë në kanalin e La Manshit, reputacioni i tij mori fund një herë e përgjithmonë.
Dhe që kur Hayward nën presionin e këshillit drejtues u desh të dorëzojë koordinimin e punimeve të shpëtimit në Gjirin e Meksikës, u kuptua fati i tij.
Kush mund rivendosë prestigjin e BP në SHBA?
Këtë të hënë (26.7.) BP prezanton bilancin financiar për gjysmën e parë të vitit - shifra, që megjithë katastrofën janë siç duhet. Në të njëjtën kohë sipërmarrja bën përparime në mbylljen e vrimës së shpimit, dhe sikur tani të prezantohej një shef i ri i koncernit, BP mund të jepte një sinjal për një fillim të ri.
Si kandidat për pasues të Tony Haywards konsiderohet ai, që ka marrë në dorë menaxhimin e krizës në SHBA para disa javësh: Menaxheri Bob Dudley. Eksperti i BBC-së, Robert Peston e konsideron Dudley si shefin ideal për BP: sepse është i rrahur me kriza dhe është amerikan. "BP është nga njëra anë koncerni më i madh i naftës në SHBA, nga ana tjetër që prej katastrofës është si të thuash armiku nr 1. Në qoftë se tani drejtimin e merr Bob Dudley, kjo mund t'i shërbente BP-së, sepse atëherë një sipërmarrje britanike do të drejtohej prej dikujt, që ka akcent amerikan. Kjo do të ndihmonte për të rivendosur prestigjin e shkatërruar në SHBA."
Autor: Stefan Lochner/Angjelina Verbica
Redaktoi: Lindita Arapi