1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Festivali ndërkombëtar i filmit në Stamboll

Ajsegjyl Eçevit13 Prill 2007

Në Stamboll po zhvillohet këto ditë festivali i 26-të ndërkombëtar i filmit. Ky është festivali më i madh i filmit në Turqi. Sivjet do të shfaqen 235 filma nga e gjithë bota, ndër to 30 filma turq.

https://p.dw.com/p/AsBw
Panoramë nga Stambolli
Panoramë nga StambolliFotografi: AP

Ky festival organizohet nga "Fondacioni i Stambollit për Artin dhe Kulturën" dhe qysh prej vitesh ai drejtohet nga gratë, sivjet drejtuese është Azize Tan. Kjo veprimtari është e rëndësishme sepse u jep rastin të prezantohen kryesisht filma dhe regjisorë që janë të panjohur dhe kanë pak shanse në tregun ndërkombëtar të filmit. Por në të nuk mungojnë as emrat e mëdhenj të kinematografisë.

Kinemaja më e madhe dhe më e vjetër në Stambol është - Yeni Melek - "engjëlli i ri". Në mesnatë në orën 12 ajo është e mbushur plot e për plot. Në këtë orë nuk shfaqen më filmat e autorëve me mesazh të thellë. Në radhë është "Speca dhe piper" një film erotik japonez, por që është me pretendim artistik. Edhe të tilla tema i përkasin repertorit të festivalit në Stamboll. Ndaj ky film shfaqet këtë radhë si një homazh për regjosrin gjerman "Rajner Verner Fasbinder (Rainer Werner Fassbinder). Ky është pothuajse i panjohur në Turqi, por festivali i ka dedikuar atij një program special. Ky program është koordinuar nga kritiku i filmit Fatih Ezgyven, që është një tifoz i Fasbinderit, sepse në filmat e tij ai gjen shumë gjëra që i pëlqejnë:

"Çiltërsia e tij, sentimentalizmi, dashuria e tij për historinë e filmit, pra të themi të melodramës. Por më pëlqen edhe indinjata e tij ndaj vuajtjes njerëzore."

Një festival ndërkombëtar i filmit në Turqi dhe në mesin e tij edhe një kineast gjerman, kjo pasi larmia është një detyrim për Stambollin, metropolin 15 milionësh që shtrihet në dy kontinente. Festivali ka 20 kategori, ndër to filma ndërkombëtarë dhe kombëtarë, filmi i shkurtër, filmi i brezave të ardhshëm, ai dokume´ntar dhe filma të mjeshtrave të mëdhenj. Duke filluar nga Robert Altman e deri tek Paolo Pazolini apo mjeshtri japonez i filmave vizatimorë "Hayao Miyazaki". Paul Shrader, amerikani nga SHBA, i cili është bërë i njohur me skenarin e filmit "Taxidriver" në vitin 1976, vlerësohet sivjet me çmimin e nderit të festivalit. Edhe filmi më i fundit i tij ka premirën në këtë festival. Në gjashtë kinema të ndryshme shfaqen gjithsej 235 filma. Krahas tyre organizohen edhe mbrëmje, ekspozita dhe programe speciale. Në këtë kategori bën pjesë edhe homazhi për Rajner Verner Fasbinderin, për të cilin shgaqen 10 filma të tij ose të frymëzuar prej tij.

Ezgyven: "Ashtu siç synohet të dëshmohet edhe përmes këtij programi, Fasbinder ka influencuar shumë regjisorë. Ndoshta nuk do të kishte Pedro Almodovar apo Fransua Ozon pa melodramën e Fasbindrit. Këta regjisorë kanë mësuar prej melodramave të tij. Ne vuajmë, jo sepse thjeshtë vuajmë, por sepse jemi sjellë për të vuajtuar. Këtë ndjeshmëri ne e gjejmë edhe në melodramat turke."

Ndaj Fasbinderi duket mëse i përshtatshëm për publikun në Turqi. Motivet e tij i gjen edhe në filmat turq.

Ezgyven: "Në këtë program ne kemi tri melodrama turke që zhvillohen në periudha të ndryshme historike. Një Imam, një njeri fetar, dashurohet me një prostitutë. Vajza e re e një burokrati osman kryen vetëvrasje, sepse ajo dashuron një djalë më të ri, ose dy shoqe dashurohen kaq shumë në një vend, ku ato nuk mund ta jetojnë këtë dashuri: të tilla motive sjell Fasbinderi me filmat e tij dhe të njëjtën gjë e kemi edhe ne në melodramat turke."

Mbi 170.000 vizitorë priten gjatë festivalit të filmit që zgjat dy javë në Stamboll. Për këtë madje janë ulur edhe çmimet e biletave deri në 1,5 euro. Në konkurim janë edhe disa filma aktualë gjermanë, ndër to "Unë jam tjetri" i Margarete fon Trotës (Margarther von Trotta) dhe "Heroina e Gdanskut" i Folker Shlëndorf (Volker Schlöndorff). Edhe juria ka një anëtar gjerman. Në çdo kategori vlerësohet filmi më i mirë ndërkombëtar që merr në fund "tulipanin e artë" të festivalit. Se kush do ta marrë atë këtë vit, ndoshta një film turk, sepse prej vitesh ato janë të sukseshëm. Ndaj publiku është i mësuar tashmë me këtë dhe spektatorët duan që në festival të shohin diçka të veçantë.

Spektatore: "Në Stamboll ka shumë kinema dhe shfaqen shumë filma, por shumica e tyre janë komercialë. Vërtetë filma të bukur artistikë gjen rrallë nëpër kinema. Për këtë arësye festivali është një rast i mirë."

Spektator: "Unë dua të shoh filmat e regjisorëve të vjetër, që nuk mund t´i shohësh diku tjetër, apo filma që janë vlerësuar me çmime në festivale të tjera si në Kanë p.sh. Ndaj mendoj se është shumë mirë që festivali e plotëson këtë boshllëk në dy javë, periudhë kjo që unë i përkushtohem tërësisht kinemasë."