1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Festivali i Bahut në Lajpcig

Rick Fulker / E. Xhani22 Qershor 2013

Nga data 14 deri 23 qershor, të pasionuarit pas muzikës nga brenda dhe jashtë vendit i drejtohen Lajpcigut, për të ecur në gjurmët e Bahut dhe dëgjuar muzikën e kompozitorit të shquar. Tema këtë vit: "Jeta e Krishtit".

https://p.dw.com/p/18uMO
Bashkia e vjetër, Lajpcig
Fotografi: DW/S. Kaempf

Qyteti është zbukuruar me postera dhe pllakate; kompozitori ndoshta më i rëndësishëm i historisë botërore është i gjithëpranishëm. Bahu kaloi 27 vjet të karrierës së tij jashtëzakonisht produktive muzikore në Lajpcig. Muzika e tij, e vjetër rreth 250 vjet, kumbon nga të gjithë cepat e qytetit. Në kishën e Thomait (Thomaskirche) në sheshin kryesor të qytetit, vizitorë të rinj dhe të vjetër dëgjojnë tingujt e muzikës së tij.

Viti i Kishës brenda një jave

Johann Sebastian Bach është varrosur në Thomaskirche
Fotografi: DW/A. Feilcke

Këtë vit motoja e festivalit të Bahut është "Jeta e Krishtit". Tema mbështetet në një ngjarje historike: në vitin 1735 në Lajpcig u shfaqën për herë të parë vepra të Bahut. Ato patën shoqëruar gjithë vitin kishtar, nga lindja e Jezuzit deri te kryqëzimi dhe ngjitja në qiell. Gjatë festivalit të Bahut këtë vit, nga 14 deri 23 qershor, pjesët e Bahut do të shfaqen në skenat e shfaqjes së parë, në kishat e Thomait dhe Nikolait (Nikolaikirche), në formë të përmbledhur, brenda një jave, në formë cikli.

"Kjo i tërheq vëmendjen dëgjuesit të kujdesshëm tek disa veçori të veprave, të cilat nuk do t'i vinte re në shfaqje të veçanta", tha në një intervistë për Deutsche Welle-n, Christoph Wolff, drejtori artistik i festës së Bahut. Në këtë cikël unik të veprave të Bahut, marrin pjesë dirigjentë të shquar si Trevor Pinnock, John Eliot Gardiner dhe Hermann Max. Aty mund të përjetosh se si Bahu pikërisht në kantatat e tij kishtare, lë të rrjedhë muzikën e tij më sensuale, të pasionuar dhe melodioze.

Djemtë e korit dhe një skandal

Georg Christoph Biller
Georg Christoph BillerFotografi: DW/A. Feilcke

Pasionant ishte Bah edhe në përplasjet e tij me ish pushtetin publik. Diçka nga kjo traditë mund të ndihej edhe në një letër të hapur, të cilën e lexoi një pjesëtar i korit Thomaner në koncertin e hapjes, këtë vit. Pjesëtarët e korit, të cilin dikur e ka drejtuar vetë Johann Sebastian Bah, kërkojnë atje jo vetëm një shkollë të re fillore. Ata në mënyrë të papritur shprehen edhe kundër orientimit laik të mësimit. "Edhe në kohën e Bahut ka pasur vazhdimisht mosmarrëveshje serioze mes interesave të korit dhe vullnetit politik të përgjegjësve të qytetit", lexoi djaloshi. "Ne mendojmë se kjo është një përkujdesje e gabuar për trashëgiminë e Bahut nga ana e baballarëve të qytetit."

Georg Christoph Biller, drejtori artistik i korit e sheh letrën e protestës në dritën e një protestantizmi polemik: "Unë natyrisht e kisha kuptuar se çfarë kishin shkruar djemtë. Për mua do kishte qenë më e lehtë të thoja: 'Mos e bëni! Kjo sjell vetëm probleme.' Pasi kori dhe festa e Bahut subvencionohen në masë të madhe nga qyteti i Lajpcigut. Por mua kjo m'u duk fantastike dhe nuk ndryshova asnjë fjalë."

"Bach für uns !" në sheshin e qytetit, Lajpcig
"Bach für uns !" në sheshin e qytetit, LajpcigFotografi: DW/S. Kaempf

Në përpjekjen për t'iu përgjigjur letrës së djemve të korit Thomaner, kryetari i bashkisë u ndërpre nga thirrje të publikut. Qytetarët e Lajpcigut, pavarësisht nëse interesohen për muzikën klasike apo jo, i kushtojnë shumë rëndësi Bahut "të tyre" dhe korit Thomaner me traditë qindravjeçare.

Bota ia ka zili Lajpcigut traditën e tij të Bahut dhe vjen me shumë dëshirë në festival. Rreth gjysma e vizitorëve vjen nga pjesë të tjera të Gjermanisë, një e katërta nga jashtë. Disa aktivitete si koncerti hapës transmetohen live në sheshin kryesor të qytetit (Marktplatz) apo mbahen atje. Atëherë Dettloff Schwerdtfeger, drejtori organizativ i festës së Bahut përjeton si gjithnjë identifikimin e qytetarëve të Lajpcigut me Bahun "e tyre": "Atje është si në meshë. Njerëzit dëgjojnë të heshtur dhe të magjepsur."