1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Uria në shkollat greke

7 Shkurt 2012

Kriza në Greqi ka hyrë deri dhe në oborret e shkollave ku nuk mungojnë edhe rastet e vilanisë së nxënësve për shkak të mos ushqimit të mjaftueshëm.

https://p.dw.com/p/13yLf
Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: DW

Të veshur me xhupa të bukur, tek mbushnin korridorin e madh përdhes të shkollës së tyre të 36-të Fillore, që gumëzhinte nga cicërimat e tyre të zhurmshme, kurrsesi nuk të kujtonin Lulin e Vocër të Migjenit. Por biseda në vazhdim me drejtoreshën e shkollës Stavrulla Papadhimitriu, sapo tringëllima e ziles i ftoi sërish pas pushimit të 200 vogëlushët e shkollës në klasat e mësimit, të jepte ndjesinë se nuk është edhe ndonjë teprim apo “sakrilegj” i madh të të përhihet në këtë rast figura e poetit ballkanas të mjerimit. “Janë vërejtur fëmijë që na thoshin në qoftë se do të marr diçka për të ngrenë, do të mund ta marr vetën. Një fëmije i ra të fikët” i thotë DW-së zonja Papadhimitriu për fenomenin e vilanisë së nxënësve të shkollave të pa ushqyer mirë, për shkak të krizës, që ka shokuar shoqërinë greke.

Skamja nuk është “turp”

Kanë kaluar muaj të tërë nga rastet e para, të cilat fillimisht u priten me një mpirje nga opinioni dhe me “rezerva” nga vetë ministria e Arsimit që reagonte ndaj publicitetit të fenomenit komromentues. Por zonja Papadhimitriu nuk është nga ata që e konsideron “turp” skamjen, për të cilën si shumica e bashkatdhetarëve të saj fajëson troikën dhe programin e saj të kursimeve të rrepta. “Qe nga nëntori akoma, para se të fillojë shpërndarja e ushqimit nga Befotrofi i Bashkisë së Athinës unë me letër personale drejtuar kryebashkiakut të Athinës, i kërkoja të dërgojë përditë 6-7 racione, me të cilat mund të ushqejmë 10 fëmijë, se racionet janë disi të mëdha” thotë Zonja Papadhimitriu, duke e konsideruar si “zgjidhje të vogël të përkohshme” këtë ndihmë të Bashkisë të shtrirë tashmë në rreth 200 shkolla të tilla.

Në foto, Stavroula Papadhimitriu
Në foto, Stavroula PapadhimitriuFotografi: DW

“Mikrodreka” për 18 shkolla dhe 5.000 nxënës

Pa e fshehur mirënjohjen e saj për solidaritetin e treguar nga institucionet si bashkia apo kisha, por edhe nga afaristë apo qytetarë të thjeshtë, që u kanë ardhur në ndihmë familjeve nevojtare, drejtoresha nuk e fsheh edhe pezmatimin që shkolla e saj ndërkohë nuk është përfshirë në programin e ministrisë së Arsimit për ofrimin e “mikrodrekave” në 18 shkolla në të gjithë vendin për rreth 5.000 nxënës. “Në shkollën tonë ekzistojnë 80% fëmijë imigrantë, fëmijë nga shtresa të ulëta shoqërore që i ka mposhtur papunësia” thotë Papadhimitriu që nuk e fsheh se gjithë këto ditë ishte në pritje, së bashku me shoqatën e prindërve, të telefonatës së ministrisë për përfshirjen e shkollës në program. Siç ndodhi me shkollën tjetër fillore të së njëjtës zonë të qendrës së Athinës, Shkollën Fillore të 35-të, në rrugën Koleti në Eksarhia.

Prioritet shkollave nëpër zona pabarazish të mëdha sociale

Një program pilot, që për shkak të problemeve të kësaj natyre pse jo dhe të burokracisë fillon më në fund të mërkurën dhe jo të hënën e kësaj jave. Fillojmë me këtë program në 18 shkolla me synimin që ta shtrijmë në të gjithë vendin, në të ashtuquajturat Zona të Prioritetit Arsimor, që paraqesin indekse të larta pabarazish sociale, me përqëndrim të madh dhe të imigrantëve” tha në parlament, ku arriti çështja, zëvendësministria e Arsimit zonja Evi Kristofillopullu. Siç sqaroi, kostoja e “mikrodrekave” për ministrinë do të jetë nga një deri dy euro dhe do tu ofrohet në formën e kuponave gjithë numrit të nxënësve, me synim që të evitohen fenomenet e stigmatizimit social. “Menuja” do të përfshijë që nga qumështi, biskotat, deri te sanduiçet dhe frutat.

“Ministria e Arsimit u vonua tej mase”

“Për fat të keq problemi ekziston dhe sa më shumë kalojnë ditët po bëhet gjithnjë e më i madh” i thotë DW-së presidenti i Federatës së Mësuesve të Greqisë, Komninos Mandas, që zgjidhjen më shumë se tek programet e ushqimit e gjen te politikat e zhvillimit dhe jo të masave shtrënguese, duke i ftuar gjithë mësuesit e vendit në grevën e sotme të përgjithshme. “Shikoni, ministria u vonua tej mase dhe flet për program pilot. Nuk e kuptoj këtë zbatimin pilot, të shohim a do të hanë fëmijët ushqimin?.. Duhet ta shtrijë në të gjithë vendin dhe të mos kufizohet vetëm tek mikrodrekat, por të shihet edhe problemi i shkollave me rend gjithëditor ku shumë fëmijë shkojnë pa ushqim jo se neglizhojnë, por se nuk kanë prindërit e tyre të papunë.” Zoti Mandas nuk mungon të theksojë edhe anët pozitive të programit, që përfshin gjithë nxënësit dhe veçanërisht fëmijët e imigrantëve.

Në foto, Komninos Mandas
Në foto, Komninos MandasFotografi: DW

“Të gjithë janë fëmijët tanë”

“Të gjithë ata që duan të ndihmojnë le të mos bëjnë dallim përsa i përket ngjyrës, fesë dhe atdheut të fëmijve” thotë Mandas, i cili nuk hezitoi të rrefejë se si federata e tij nuk pranoi ndihmën e një shoqate bashkëkombase të emigracionit me kusht që tu jepej vetëm fëmijve të vendasve. “Të gjithë janë fëmijët tanë” thotë bashkëbiseduesi ynë dhe nuk e fsheh kënaqësinë që në vendlindjen e tij, në Selanik, me këtë kriter është bërë nga ana e bashkisë evidentimi i rreth 600 fëmijve të shkollave që kanë nevojë për ndihmë.

Mësuesit janë, padyshim, protagonistët e solidaritetit, ata, që siç thotë zoti Mandas, të parët “u kanë blerë nga xhepi i tyre një kulaçe fëmijve në nevojë”. “Mos harroni dhe urinë e mësuesve” siç do t'i thoshte ndërkohë DW-së me nëntekst për prerjen drastike të pagave mesuesja Eleni Dasus, e shkollës fillore të 35-të, në Eksarhia, duke na kujtuar kështu me mënyrën e saj se për ke bien kambanat... Se “mjerimi nuk don mëshirë, por drejtësi” siç do të thoshte Migjeni.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Esat Ahmeti