1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fenomenet ekstreme meteorologjike

Irene Quaile / Pandeli Pani10 Janar 2014

Studiuesit që merren me klimën kanë vite që flasin për një lidhje të mundshme mes ngrohjes së shpejtë të Arktikut dhe periudhave të ftohta në rajone të tjera.

https://p.dw.com/p/1AoJ9
Fotografi: Marianne Link-Alexander

Mos po çmendet koha? Këtë pyetje mund ta shtrosh gjithë këto ditë duke lexuar parashikimin e motit të ditëve të fundit nga Washingtoni, Berlini apo në Londra. Njerëzit në Amerikën e Veriut janë goditur nga një i ftohtë rekord. Brigjet e Evropës Perëndimore po goditen nga stuhi, kurse në Gjermani duket sikur ka ardhur tashmë pranvera.

Vorbulla polare dhe rryma ajrore lindore

Sipas meteorologëve këto fenomene ekstreme lidhen me kombinimin e një ere të fortë nga Veriu me ndryshimet e të ashtuquajturës vorbulla polare. Me këtë nënkuptohet një rajon i gjerë ajri të ftohtë rreth Polit të Veriut. Ky kufizohet zakonisht nga rryma ajrore lindore Jetstream, e cila e kthen normalisht ajrin e ftohtë nga Kanadaja për në Groenlandë, Siberi dhe nga Alaska përsëri për në Kanada.

Akull dhe borë në SHBA. 07.01.2014
Fotografi: James Colbath

Nën disa kushte të caktuara metereologjike ajri polar mund të depërtojë deri në jug dhe të shkaktojë një erë të fortë veriore e cila sjell ajër të ftohtë nga Poli i Veriut drejt jugut. Në SHBA kishte një rajon presioni të lartë, por në të njëjtën kohë një të tillë kishte edhe në Siberi dhe kjo bën që masat e ftohta të ajrit të shtyhen drejt jugut.

Valë e të ftohtit në Kentucky, SHBA. 07.01.2014
Fotografi: picture-alliance/AP

Ndërkohë një zonë presioni të lartë në juglindje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës po sjell ajër të ngrohtë nga Gjiri i Meksikës në veri. Ajri arktik po tërhiqet dhe temperaturat janë në rritje.

Efektet e ndryshimit të klimës?

Nëse tekat e motit në janar të këtij viti lidhen me ndryshimin e klimës, nuk mund të thuhet në mënyrë të qartë. Ekspertët kanë nevojë për një periudhë prej së paku tridhjetë vjetësh për të nxjerrë konkluzione në lidhje me prirjet klimatike afatgjata. Sipas Agjencisë Amerikane për Motin NOAA pesë vitet e fundit Jetstream-i është bërë më i ndryshueshëm se më parë. Nëse kjo lidhet me ndryshe natyrale apo me ndryshimin e klimës, ajo do të shihet vetëm në të ardhmen.

Megjithatë, studiuesit që merren me klimën kanë vite që flasin për një lidhje të mundshme mes ngrohjes së shpejtë të Arktikut dhe periudhave të ftohta në rajone të tjera. Ndryshimet e temeraturave ndikojnë në lëvizjen e Jetstream-it.

Karta meteorologjike e globit
Fotografi: picture-alliance/dpa/DW

Ekspertët e Institutit të Pocdamit për Studimin e Klimës mendojnë se vala e të ftohtit në SHBA lidhet me ngrohjen e tokës. Ngohja e detrave dhe ndryshimet në raportin mes erërave dhe rreshjeve mund të çojnë në shtimin e ngricave në hemisferën veriore. Ekspertët mendojnë se ngrohja e klimës do të vazhdojë dhe se në 30 vitet e fundit janë shtuar rastet e motit ekstrem, pra me thatësira, studi dhe përmbytje. Ekspertët e Institutit të Pocdamit për Studimin e Klimës mendojnë se këto janë pasoja të ndryshimit të klimës.