1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evazioni fiskal i presidentit të FC Bajern preokupon Gjermaninë

Günther Birkenstock / Esat Ahmeti23 Prill 2013

Një menaxher i sportit mashtron në taksa në lartësi prej milionave dhe politikanët diskutojnë për këtë rast. Pesë muaj para zgjedhjeve parlamentare rasti „Uli Hoeneß“ ka peshë të veçantë.

https://p.dw.com/p/18L51
Fotografi: Bongarts/Getty Images

Uli Hoeneß ka bërë një vetëkallëzim: Në këtë mënyrë, presidenti i klubit futbollistik FC Bayern München e pranon që ka mashtruar në taksa me ndihmën e një llogarie bankare në Zvicër. Aktualisht gazetat po spekulojnë për lartësinë e shumës. Flitet për disa miliona euro. Ky rast ka tërhequr shumë vëmendjen e opinionit publik dhe është një temë e diskutueshme politike në Berlin. Arsyet për këtë janë të shumta.

Uli Hoeneß është një ish-futbollist i kombëtares dhe tani si president i FC Bayern-it nuk është vetëm një zyrtar i zakonshëm sportiv. Ai është përfaqësuesi më i fuqishëm dhe i suksesshëm i futbollit të Gjermanisë. Ulmer, tani 61-vjeçar,  ka lënë gjurmët e tij në futbollin gjerman si asnjë tjetër. Falë Uli Hoeneß klubi Bayern München është bërë një nga klubet më të fuqishme në aspektin financiar dhe më të famshme në botë. Bayern München është vepra e tij jetësore, thotë Hoeneß. Dhe ky klub i ka punët mirë si asnjëherë më parë. Ai fiton lojë pas loje dhe shumë klube ia kanë zilinë për fitimet e tij. Klubet e tjera vetëm mund të ëndërrojnë për qarkullimin prej 350 milionë eurove. Të martën (23.04/.2013) FC Bayern luan në gjysëmfinale të Ligës së Kampionëve kundër FC Barcelonës. Një takim i majave të futbollit botëror.

Veprat e mira dhe lidhjet e ngushta me politikanët

Përveç kësaj Hoeneß njihet edhe për veprat e tij bamirëse. Ai personalisht ka dhuruar miliona për institucionet sociale dhe është përkujdesur që veprimit të tij t‘i bashkangjiten edhe njerëz të tjerë. Hoeneß ka ndihmuar edhe klube rivale të tilla si FC St.Pauli, Borussia Dortmund dhe Alemannia Aachen që të tejkalojnë krizat financiare. Ai personalisht i ka mbështetur gjithmonë lojtarët profesionist në jetën private. Për shembull ai ka ndihmuar lojtarin Gerd Müller i cili ndodhej në varësi të alkoolit dhe futbollistin Sebastian Dresler i cili vuante nga depresionet."Hoeneß ka qenë shembull për shumë njerëz" dhe një “bashkëbisedues interesant”, thotë kryetarja e Komitetit të Sporteve në Bundestag, Dagmar Freitag. Politikanët kanë pasur dëshirë që të shihen me të në publik së bashku dhe ai me kënaqësi është shfaqur me ta para opinonit publik, thotë në intervistë për DW-në, deputetja socialdemokrate.

Uli Hoeneß mbush 60 vjet
Uli Hoeneß mbush 60 vjetFotografi: Getty Images

Freitag: Këtë do ta prisnim nga të gjthë por jo nga Hoeneß

Hoeneß mori mjaft njohje publike për angazhimin e tij. Përveç shpërblimeve të rëndësishme sportive, ai në vitin 2010 morri Çmimin për kurajo civile të Fondacionit "Aleanca për Fëmijët", në vjeshtë të vitit 2012 ai u nderua me Medaljen shtetërore të Bavarisë për merita shoqërore. Prania e Hoeneß-it në publik u rrit, ai u ftua shpesh për të dhënë ligjërata dhe nëpër emisione televizive. Ai vetë shpesh theksonte karakterin e tij prej një biznesmeni të ndershëm. "Unë e di se kjo është budallallëk. Por unë i paguajë të gjitha taksat," pati thënë Hoeneß në një intervistë në vitin 2005 dhënë gazetës bulevardeske „Bild“. Dhe dy vjet më parë ai deklaronte në revistën ekonomike "Brandeins": "Sigurisht që unë e dua suksesin, por jo me çdo çmim. Kur vjen puna tek paratë, njeriu duhet të jetë i kënaqur me ato që ka." Përveç kësaj Hoeneß ka kërkuar me zë të lartë nga presidenti i Lidhjes botërore të futbollit FIFA, Sepp Blatter, që të marrë masa kundër korrupsionit në këtë organizatë.

Në foto, Uli Hoeneß dhe Horst Seehofer
Në foto, Uli Hoeneß dhe Horst SeehoferFotografi: picture-alliance/dpa

Prandaj tani zhgënjimi është më i madh, thotë politikanja Freitag. Kur ajo dëgjoi javën e kaluar se menaxheri i futbollit ka shmangur miliona taksa, edhe ajo sikur shumë të tjerë mendoi:“Unë do ta prisja këtë nga secili por jo nga Uli Hoeneß".

Pikërisht për shkak se Uli Hoeness ishte aq popullor në politikë, ai me evazionin e tij  fiskal i ka dhënë  material të mjaftueshëm opozitës për fushatën e ardhshme parlamentare dhe ka rindezur debatin për mosmarrëveshjet mbi mënyrën se si duhet të trajtohen ata mashtrojnë me taksat.