1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

200611 Venizelos Pasok Griechenland

20 Qershor 2011

Të premten kryeministri grek Papandreu ndryshoi kabinetin e tij. Vendimi më i rëndësishëm: në postin e ministrit të Financave do të jetë politikani profesionist Evangelos Venizelos.

https://p.dw.com/p/11fSJ
Evangelos Venizelos
Evangelos VenizelosFotografi: AP

Evangelos Venizelos ka mbajtur thuajse të gjitha postet ministeriale në qeveritë greke: që prejfillimit të viteve '90 ai ka qenë ministër i Komunikacionit, ministër Shteti pranë kryeministrit, ministër Transporti, ministër i Drejtësisë, i Zhvillimit, i Kulturës dhe deri në 16.6. ministër i Mbrojtjes. Tani si ministri i ri grek i Financave ai është në "punën më të keqe të globit", siç shkruan gazeta "Wall Street Journal". Edhe Venizelos e sheh veten vërtet në front:

"Në Ministrinë e Mbrojtjes u thashë: po ju lë, për të shkuar në luftën e vërtetë."

Politikan me instinktin e pushtetit

Venizelos duhet t'i vërë punët tani në vijë
Venizelos duhet t'i vërë punët tani në vijëFotografi: dapd

Evangelos Venizelos nuk është një njeri, që i shmanget përgjegjësisë. Dhe ai është një politikan me instinktin e pushtetit. Në vitin 2007 iu desh të pranonte humbjen në garën për kreun e partisë, përballë rivalit Jorgos Papandreu. Por tani ai rikthehet, si ministër i Financave, në fazën vendimtare të krizës ekonomike greke.

Kryeministri grek Papandreu ndodhet para mocionit të besimit në 21 qershor. Në fund të këtij muaji parlamenti duhet të votojë për paketën e ardhshme të kursimeve, të ashtuquajturën "afatmesme". Aktualisht mijëra qytetarë grekë protestojë çdo ditë kundër reduktimit të pagave, rritjes së taksave dhe rritjes së çmimeve. Në qendër të kritikavë janë edhe negociatat e kreditorëve dhe garantëve potencialë të BE-së dhe FMN-së.

Venizelos, jurist, i cili ka studiuar edhe në Paris dhe flet rrjedhshëm frengjisht, duhet tani t'i vërë punët në vijë. Premiera e tij në politikën e jashtme ishte në takimin e eurogrupit të dielën në Luksemburg. Në politikën e brendshme qysh nö ditën e parë demonstroi energji për veprim në postin e ri, por edhe unitet me të gjithë kolegët dhe me ish-rivalin Papandreu: "Kemi shumë për të bërë. Që sot në mëngjes po punojmë përpara se të bënim betimin me zëvendësit e mi Philippo (Sachinidi) dhe Panteli (Ikonomou) dhe natyrisht me Jorgos Papandreun, i cili është gjithnjë pranë nesh."

Venizelos duhet të bashkojë Pasokun

Mbledhja për ristrukturimin e kabinetit qeveritar
Mbledhja për ristrukturimin e kabinetit qeveritarFotografi: picture-alliance/dpa

Pasok, partia e socialdemokratëve grekë, duhet të kërkojë dialogun me shoqërinë dhe me protestuesit në sheshet e qyteteve, deklaroi ministri i ri i Financave. Venizelos duhet të bashkojë të gjithë Pasokun, pasi partia është e përçarë në anëtarët e vjetër dhe me përvojë dhe ata, që i përkasin rrethit të Papandreut.

Javën e kaluar disa anëtarë të Pasokut dorëzuan mandatet e deputetit. Edhe pse kjo nuk prek shumicën në parlament, që duhet të miratojë paketën e kursimeve, u tregua qartë përçarja e brendshme e partisë. Zbatimi i një pakete reformash, aq të kontestuar me një ekip të tillë të përçarë, ishte shumë riskant për Papandreun. Pas reformimit të kabinetit numri i anëtarëve nga rrethi i tij është reduktuar dhe është forcuar krahu tradicional i Pasokut.

Nga ana përmbajtësore Venizelos nuk pritet të bëjë diçka ndryshe nga paraardhësi i tij Jorgos Papakonstantinu, i cili në fund u bë shenjestër e kritikave dhe protestave kundër reformave. Pasi nga njëra anë kreditorët kërkojnë reforma nga Greqia për derdhjen e kësteve të tjera të kredisë dhe për paketën e re të kursimeve. Nga ana tjetër vendi ka nevojë objektive për reformim: aparati i fryrë dhe i shtrenjtë burokratik, fenomeni i mitmarrjes dhe refuzimi për të paguar taksa, pasi nuk ekziston besimi se shteti do t'i përdorë ato për të mirën e përgjithshme, duhet të marrin fund. Ndryshe Greqia do të ndodhet së shpejti sërish në buzë të humnerës. Qytetarët duhet të kenë sërish besimi tek shteti.

Autor: Daphne Grathwohl/Eliana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica