Eurostat
6 Korrik 2010Punonjësit e Eurostatit (Enti Evropian i Statisitikave) janë të zënë deri në fyt me kontrollin e bilanceve të Greqisë dhe askush nuk ka dëshirë të japë intervista. Për këtë përpara mikrofonit vjen shefi i Eurostatit Walter Radermacher, cili duke iu përgjigjur pyetjes se sa punë i ka hapur rasti i Greqisë sqaron: "Përgjigja më e thjeshtë do të ishte shumë, .... rreth një të tretën e kohës së punës time që prej muajve nëntor apo tetor merrem me këtë rast..."
Ora e Eurostatit
Tetorin e vitit të kaluar kriza e borxheve u acarua në mënyrë dramatike. Pas fitores së Pasokut borxhi i ri i Greqisë shkoi nga 6% të rendimentit ekonomik në thuajse dyfishin. Eurostatit i erdhi momenti, edhe pse statisticienët me qendër në Luksemburg kishin vite që tërhiqnin vëmendjen, shprehnin dyshime dhe shkruanin raporte për magësitë e statistikave greke.
Që në vitin 2004 ka pasur një skandal për statistikat greke dhe BE-ja propozoi që atëhere reformimin e sistemit të statistikave. Por shtetet anëtare iu kundërvunë me forcë zgjerimit të së drejtës të Eurostatit për të ndërmarrë kontrrolle. Tani ato e kanë kuptuar gabimin dhe në rast dyshimesh për statistikat Eurostati mund të nisë një mision kontrolli.
Eurostati mund të marrë masa preventive
Edhe pse Parlamenti i Evropës mendon se të drejtat që ka Eurostati janë ende të dobta, kryestatisticieni i BE-së Walter Radermacher është i kënaqur me reformën. Radermacher: "Propozimi ynë i fillimit ishte më ambicioz, por mendoj se tani duhet të zbatojmë në praktikë mundësitë që na janë dhënë dhe mendoj se para së gjithash mund të ndërmarrim masa preventive për të penguar një sërë gjërash. Në raste dyshimesh ne kemi tani në dorë një çelës për të hapur çdo derë."
Greqia - rast unikal, politikanët grekë kanë lejuar fallsifikimin e statistikave
Gjithësesi Rademacher siguron se rasti i Greqisë është thuajse unikal brenda BE-së. Sipas tij mangësi kaq të mëdha në metodat statistikore ka pasur vetëm nën hijen e Akropolit dhe vetëm në Greqi përgjegjësit politikë kanë lejuar falsifikimin sistematik të të dhënave.
Tani Eurostati po punon në Greqi për ndërtimin e strukturave që deri tani mungonin. Si p.sh. një sistem kontrolli, i cili në vendet e tjera është standard. "Tani në bashkëpunim me kolegët grekë po bëjmë gjëra të tilla si p.sh. inspektimin e spitaleve. Gjatë tyre kemi konstatuar se spitalet e komunave kanë 20 vjet që nuk janë kontrolluar më prej Komisionit të Kontrollit të Shtetit. Një gjë e tillë në Gjermani zor se mund të përfytyrohet."
Dëshira dhe qëllimi i shefit të Eurostatit është që problemi i statistikave në Evropë të rregullohet sa më shpejt, në mënyrë që si ai vetë edhe statisticienët e Eurostatit dhe ata të Greqisë të mos jenë më të pranishëm nëpër faqet e gazetave, por të këmbejnë thjeshtë të dhënat dhe të vazhdojnë punën.
Autor: Wolfgang Landmesser/Pandeli Pani
Redaktoi: Lindita Arapi