1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europë: Sulm internetit

Ralf Bose / Eliana Xhani31 Maj 2012

Interneti sulmon: kriminelët në rrjet dhe hakerat gjithnjë e më shumë po e vënë në shënjestër Evropën. Dëmi është tejet i madh. BE e njeh prej kohësh rrezikun por ekspertët mendojnë se ka ende vend për përmirësime.

https://p.dw.com/p/154wO
Pamje simbolike: sulmet nga interneti.
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ata vijnë në heshtje, përhapen me shpejtësi të madhe dhe kudo ku vendosen shkaktojnë dëme gjigante. Dëmtuesit digjitalë si viruset, trojanët apo krimbat, janë ndër rreziqet më të këqija për sistemin nervor të shoqërive moderne, internetin. Banda të organizuara në mënyrë mafioze prej kohësh kanë kuptuar se kriminaliteti ndërkombëtar online është më fitimprurës se sa forma të tjera më të rrezikshme të krimit. Ata sulmojnë emrat e përdoruesve dhe fjalëkalimet për bankingun online, hyjnë në kompjuterat personalë, ato të firmave apo në smartphones. Madje edhe vetë profilet e rrjeteve sociale nuk janë të sigurtë prej tyre.

Frikë nga blerjet online

Komisionerja e BE-së për politikën e brendshme Cecilia Malmström
Komisionerja e BE-së për politikën e brendshme Cecilia MalmströmFotografi: picture-alliance/dpa

Vetëm në Evropë për këtë arsye shkaktohet sipas të dhënave të organizatës ndërkombëtare të policisë Interpol, një dëm prej 750 miliardë eurosh në vit. BE vlerëson se çdo ditë një milion njerëz bien viktima të kriminelëve në rrjet. Dëmi ekonomik në rritje është alarmant. Komisionerja e BE-së për politikën e brendshme Cecilia Malmström, paralajmëron ndaj pasojave shoqërore të kriminalitetit në internet. Ajo e sheh rrezikun më të madh tek pasiguria që kufizon jetën digjitale:“……frika për të blerë online, frika për të hyrë në rrjetet sociale, frika për të përdorur në mënyrë normale internetin -  të gjitha këto na bëjnë të mos jemi aq të lirë sa do të duam."

Një frikë e kuptueshme përballë rëndësisë në rritje të internetit për shoqërinë. Këtë e bëjnë të qartë edhe statistikat e BE-së: në fillim të 2011 rreth dy të tretat (73%) e familjeve në BE kishin një lidhje interneti dhe në vitin 2010 më shumë se një e treta (36%) e qytetarëve evropianë përdornin internetin për transaksione bankare. 80 për qind e të rinjve evropianë lidhin aktualisht kontakte me njëri-tjetrin përmes rrjeteve sociale në internet.

BE në ofensivë

Jan Philipp Albrecht, deputet në Parlamentin Evropian i ekologjistëve gjermanë
Jan Philipp Albrecht, deputet në Parlamentin Evropian i ekologjistëve gjermanëFotografi: Jan Zier

Qëkurse BE nxorri në shkurt 2005 për herë të parë rregullat për "Sulme ndaj sistemeve të informacionit", sulmet nga rrjeti janë në rritje. Këtë Komisioni i BE-së nuk pranon ta tolerojë më. Pak javë më parë ai bëri të ditur se do të ngrejë në Hagë një "Qendër evropiane për luftimin e kriminalitetit në internet", që do të jetë e vendosur pranë EUROPOL-it. Gjithsej 50 hetues nga Komisioni, vendet anëtare dhe Europol-i, do të bashkëpunojnë në këtë qendër për të penguar duke filluar nga 2013 aktivitetet e gangsterëve të internetit. Për këtë do të vihet në dispozicion një buxhet vjetor prej 3,6 milionë eurosh. Eksperti i internetit Jan Philipp Albrecht, deputet në Parlamentin Evropian, e konsideron këtë një hap të parë të rëndësishëm. Por: „….vetëm me një qendër të tillë kjo nuk do të funksionojë. Nevojiten hetues të cilët të trajtojnë fenomenin e kriminalitetit në internet në vend. Veç kësaj të nevojshme janë para së gjithash trajnime në shërbimet policore në vendet anëtarë të BE-së. Dhe nuk duhet harruar se personeli nuk duhet vënë në dispozicion vetëm në Hagë por kudo në Evropë.“

Selia e Europol-it në Hagë
Selia e Europol-it në HagëFotografi: picture-alliance/dpa

Së shpejti më i rrezikshëm se terrorizmi?

Nëse shërbimet e sigurisë nuk përgatiten profesionalisht për epokën digjitale, Evropa nuk do të jetë në gjendje t'u bëjë ballë sfidave që burojnë prej saj, thotë Albrecht. Në shumë vende të BE-së ka vërtet autoritete që luftojnë kriminalitetin në internet, por mes tyre ka ndryshime të mëdha sa i takon personelit dhe financave.

BE nuk do të ketë shumë kohë në dispozicion për të siguruar aftësitë e nevojshme në luftën për një rrjet të pastër. Këtë e tregojnë edhe zhvillimet në SHBA. Në vendin ku lindin tendencat e internetit, një prognozë e drejtorit të FBI-së, Robert Mueller, shkaktoi mjaft zhurmë. Sipas tij rreziqet më të mëdha për sigurinë së shpejti nuk do ta kenë burimin tek terrorizmi ndërkombëtar por tek sulmet nga interneti. Lufta për botën digjitale është vetëm në fillimet e saj.