1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europa Juaj: Demokraci, Dialog, Debat

Arben Muka3 Maj 2006

Në Tiranë zhvillohet Java Europiane. Ambasada gjermane është mbështetëse e disa prej 20 veprimtarive. Kjo është hera e dytë që zhvillohet një javë e tillë në Shqipëri.

https://p.dw.com/p/ArgJ

Java Europiane ka gjallëruar kalendarin e veprimtarive kulturore, sociale e politike në Tiranë, me synimin e sensibilizimit të qytetarëve me vlerat dhe karakteristikat e zhvillimeve në vendet e BE-së. Ajo zhvillohet nën kujdesin e Përfaqësise së Komisionit Europian në Shqipëri, disa prej ambasadave kryesore europiane e Ministrisë shqiptare të Integrimit. Kjo është hera e dytë që zhvillohet një javë e tillë në Shqipëri, por këtë rradhë me më shumë aktivitete, afër 20 të tilla.

Shefi i Përfaqësisë së Komisionit Europian në Tiranë, ambasadori Lutz Saltzman, thotë se „kjo Javë këtë herë zhvillohet në kuadër të një sërë evenimentesh në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BE-së. Ne presim nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizm Asocimit shumë shpejt dhe ky përbën një hap të madh për vendin“.

Në programin e kësaj jave përfshihen një sërë aktivitetesh kulturore sociale dhe politike, të cilat përqëndrohen më shumë në zhvillimet më të fundit brenda rradhëve të BE-së, si dhe marrëdhënieve të BE-së me Shqipërinë. Deri në datën 9 maj do të ketë shumë ekspozita, filma, shfaqje dhe performanca muzikore, leksione, aktivitete sportive me femijët, një bashkëbisedim me shkrimtarin e madh Ismail Kadare etj.

Ambasada gjermane në Tiranë është mbështetëse e disa prej veprimtarive që do të zhvillohen gjatë Javës, si shfaqjen e filmit „Një ditë në Europë“, një spektakël multi mediatik me pjesëmarrjen e 9 artistëve nga shtatë qytete të mëdha europiane, një ekspozitë nga artistë të Dyseldorfit dhe të Tiranës, shpalljen e kronikës më të mirë televizive mbi BE-në, një konkurs mes studentëve të Tiranës, Shkodrës dhe Korçës, hapjen e Qendrës së Dokumentacionit për Integrimin etj.

Ministrja shqiptare e Integrimit, Arenca Trashani prezanton dhe një projekt të përbashkët mes institucionit të saj dhe GTZ-së gjermane për Ditën e Hapur, kur në ambjentet e Ministrisë do të ketë shumë vizitorë, qytetarë të ndryshëm, të rinj e të reja, studentë dhe gazetarë.

Kredoja e kësaj Jave është „Europa juaj: Demokraci, Dialog, Debat“. Sipas organizatorëve „në këto tri fjalë, përmblidhet ambicia e BE-së për të ndërtuar një Europë të mbështetur në liri, mirëkuptim të ndërsjelltë dhe bashkëpunim“. Siç përmend dhe ambasadori Saltzman, „ne i ndajmë këto vlera me Shqipërinë, si një anëtare potenciale e BE-së.“