1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eurodeputetët: Thirrje evropiane për qytetarët shqiptarë

13 Maj 2019

Pas protestës së dhunshme (11.05) në Tiranë eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan duke shprehur shqetësim për këto zhvillime u drejtohen me një apel miqësor qytetarëve dhe politikanëve drejtues të Shqipërisë.

https://p.dw.com/p/3IRVy
Bildkombo Eduard Kukan und Knut Fleckenstein
Eurodeputetët Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein

Knut Fleckenstein, eurodeputeti i Aleancës së Socialistëve dhe Demokratëve në PE, raportuesi i PE për Shqipërinë dhe Eduard Kukan, eurodeputet i Partisë Popullore Evropiane dhe Kryetari i Grupit punues të Komitetit të Punëve të Jashtme të PE për Ballkanin Perëndimor u drejtohen me një apel evropian dhe mbarëpartiak qytetarëve të Shqipërisë, të cilën ua kanë vënë në dispozicion për citim mediave.

Pas protestës që përshkallëzoi në dhunë të shtunën (11.05)në Tiranë eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan duke shprehur shqetësim për këto zhvillime u drejtohen me një apel miqësor qytetarëve dhe politikanëve drejtues të Shqipërisë: "Ne, si anëtarë të Parlamentit Evropian kemi mbështetur prej vitesh procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe përparimin e vendit në reformat përkatëse. Ne jemi miq të Shqipërisë dhe jemi të bindur që vendi juaj ofron një vlerë të shtuar për Bashkimin Evropian. Kjo është arsyeja pse ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë për integrimin e Shqipërisë në BE edhe në të ardhmen. Por me shqetësim të madh kemi parë imazhet e dhunës në Tiranë të shtunën e kaluar, më 11 maj."

EU-Parlament in Straßburg
Fotografi: Christian Lutz/AP/dapd

Duke nënvizuar qartazi të drejtën e protestës, se: "E drejta për të protestuar është thelbësore në çdo shoqëri demokratike, por kjo kurrë nuk e bën dhunën një instrument te ligjshëm. Ne, deputetët e Parlamentit Evropian, anëtarë të familjeve të ndryshme politike evropiane, u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestat e lajmëruara për ditët e ardhshme në Tiranë, të përmbahen nga të gjitha format e dhunës dhe të qëndrojnë larg nga ngjarje të dhunshme. Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të tregojnë përgjegjësi dhe vetëkontroll.

Si deputetë të Parlamentit Evropian, ne nuk synojmë interferimin në ngjarjet në vend. Duam thjesht t'ju kujtojmë se vetëm institucionet dhe proceset demokratike, dialogu parlamentar, procedurat ligjore, zgjedhjet e lira dhe të drejta – janë rruga e vetme përmes të cilës shoqëria shqiptare mund të zgjidhë sfidat serioze që përjeton."

Duke shprehur më tej shqetësimin për përshtypjen negative që mund të krijojnë imazhet e së shtunës, eurodeputetët nënvizojnë në apelin e tyre: "Qytetarë te Shqipërisë dhe anëtarë të shoqërisë civile: Si miq të Shqipërisë dhe përkrahës të integrimit te saj në BE, ju bëjmë thirrje të bëheni pjesë e zgjidhjes dhe të jepni kontributin tuaj për të ndaluar dhunën. Është koha e duhur për t'i dërgoni botës një mesazh të qartë se Shqipëria dhe shqiptaret janë të aftë për t'i zgjidhur konfliktet e tyre në mënyrë paqësore dhe demokratike."