1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EURO 2020 - një ngjarje sportive pa mysafirë?

Stefan Nestler / Esat Ahmeti10 Dhjetor 2012

Udhëheqësit e Unionit Evropian të Futbollit UEFA kremtojnë vendimin e tyre për të organizuar Kampionatin Evropian 2020 në mbarë kontinentin. Megjithatë shumë çështje mbeten të hapura.

https://p.dw.com/p/16ySa
Fotografi: picture-alliance/dpa

Tashmë flitet për një "revolucion francez të futbollit". Ai është sjellë në kontinent nga Michel Platini, president i Unionit Evropian të Futbollit (UEFA). Gjatë Kampionatit Evropian 2012 në Poloni dhe Ukrainë, francezi doli me idenë e tij për shpërndarjen e lojërave të kampionatit në mbarë Evropën. Në atë kohë askush nuk e besonte që një gjë e tillë do të bëhej realitet qysh në kampionatin e vitit 2020.

Aplikimi deri në pranverë 2014

Në vitin 2020, topi do të rrokulliset në fushat e disa prej metropolove evropiane që do të caktohen gjithandej nëpër Evropë. Kjo është bërë ndërkohë e ditur nga vendimi i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Lozanë, por jo edhe detaje të tjera. Sa fusha të lojës në sa vende do të ketë saktësisht? A është fjala vetëm për kryeqytetet apo qytetet e mëdha? A do të luhen ndeshjet e gjysëmfinales dhe finales në të njëjtin vend? Këto dhe çështje të tjera të kësaj natyre do të sqarohen nga Komisioni për gara në UEFA deri në pranverën e vitit 2013. Pastaj  vendet anëtare do të kenë kohë një vit për të aplikuar si vende të interesuara për ndeshjet e kampionatit.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: picture-alliance/dpa

"Kampionati Evropian te tifozët", jo anasjelltas

"Ne në vitin 2020 do të festojmë festën më të madhe në kuadër të Kampionatin evropian", deklaron i entuziazmuar sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Gianni Infantino nga Zvicra. E paqartë mbetet se kush do të kujdeset për këtë atmosferë. Tifozët me të ardhura të vogla nuk do të jenë në gjendje të udhëtojnë nga njëri në qytetin tjetër të Evropës për të përcjellur këto ndeshje. "Ne duam t'ua sjellim afër kampionatin tifozëve dhe jo t'i dërgojmë tifozët në Kampionatin Evropian", përgjigjet zyrtari i  UEFA-së,  Infantino. Me fjalë të tjera: nuk bëhet fjalë për Kampionatin Evropian si ngjarje të përgjithshme, tifozët duhet të jenë të lumtur që disa ndeshje do të zhvillohen në afërsi të tyre.

Qetësohen vendet e vogla

Asnjë vend tani nuk ëshë në gjendje më që i vetëm të investojë miliarda euro për stadiume dhe rrugë,  thotë Michel Platini. Në këtë pikë presidenti i UEFA-s nuk e përmend se ai vetë ka ndikuar dukshëm në rritjen e shpenzimeve duke zgjeruar numrin e vendeve pjesëmarrëse në kampionat nga 16 në 24. Vendet e vogla të Evropës nuk mund të përballojnë shpenzimet për ngjarje të tilla të mëdha sportive pa u futur në mënyrë të papërgjegjshme thellë në borxhe.

Në foto, Michel Platini
Në foto, Michel PlatiniFotografi: AFP/Getty Images

Por ishin pikërisht votat e lidhjeve të shoqatave të vogla të futbollit, veçanërisht ato të Evropës së Mesme dhe Lindore që forcuan pushtetin e Platini-s.  Ato ishin që zgjodhën atë në vitin 2007 në zyrtarin më të fuqishëm të futbollit në Evropë. Edhe mbajtja e Kampionatit Evropian 2012 në Poloni dhe Ukrainë nuk ishte një rastësi. Me konceptin e tij "Euro për Evropën" Platini u ofron këtyre vendeve besnike sërish një copë të ëmbëlsirës së Kampionatit Evropian 2020. Kështu që ajo që ka filluar të njihet si "Revolucioni Francez" është më tepër një veprim i mençur i "monarkut francez të futbollit."