1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EURO 2012: Spektakli, racizmi dhe censura

Joschka Weber/Bahri Cani22 Qershor 2012

Kampionati Evropian është prezantuar deri tani vetëm nga ana pozitive, por ai ka dhe anën tjetër. Në anën sportive nuk ka pasur ndonjë të papritur të madhe. Por jashtë lojës ka pasur disa zhvillime shumë negative.

https://p.dw.com/p/15JCJ
EURO 2012
Fotografi: picture-alliance/dpa

Skenat e tilla si goli spektakolar i Zllatan Ibrahimoviqit kundër Francës, janë gjëra të cilat i sjellin në stadiume dhjetëra mijëra dashamirë të futbollit. Apo këngët shumë emocionuese të irlandezëve, të cilët mbështesnin kombëtaren e vet edhe kur rezultati ishte 0:4 në disfavor të tyre. Shikuesit duan të shohin edhe skena si ajo e përqafimit të trajnerit kroat Sllaven Biliq me një tifoz, apo puthjet e Shakirës me të dashurin e saj Gerard Piqué nga kombëtarja e Spanjës.

Racizmi dhe rrahjet brutale në rrugë

Mario Balotelli
Mario Balotelli - sulmohet mbi baza racoreFotografi: picture-alliance/ dpa

Këto skena janë shumë të fuqishme. Ato flasin më shumë se 1000 fjalë dhe tregojnë se Kampionati Evropian në përgjithësi ishte deri tani një manifestim shumë i suksesshëm. Por realiteti është pak më i komplikuar se ai që shihet në sipërfaqe. Edhe gjatë këtij kampionati ka pasur fyerje dhe kërcënime mbi baza racore. Ka pasur urrejtje dhe rrahje brutale në rrugë apo arrestime - siç ishin incidentet mes tifozëve të Polonisë dhe Rusisë. Ka pasur dhe demonstrata ku kërkohet rrespektimi i të drejtave të njeriut në Ukrainë. Por skenat nga këto zhvillime janë parë shumë pak.

Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka censuaruar fotografitë nga këto ngjarje. Natyrisht që UEFA nuk është e gëzuar kur dalin në shesh gjërat e këtilla, por censura është një skandal i vërtetë. Nga regjia nuk tregohen skenat e pankartave kritike apo incidenteve me tifozë. UEFA përpiqet që përmes fotografive të censuruara të paraqesë një realitet tjetër.

Fakt real është që kombëtaret nikoqire kanë rënë nga garat e mëtejshme. Euforia në Poloni dhe Ukrainë ishte e madhe në prag të kampionatit dhe gjatë garave në grupe. Por ajo ka rënë pas dështimit të këtyre kombëtareve dhe largimit të tyre nga kampionati. Të dëshpëruar janë edhe tifozët në Holandë, sepse nga yjet e këtij vendi është pritur një rezultat shumë më i mirë. Holanda nuk u kualifikua as në çerekfinale. Franca nuk ka shkëlqyer por megjithatë është kualifikuar për garat e mëtejshme, ndërsa Rusia është totalisht e dëshpëruar.

Rregullat që s'i kupton askush

Gjermani - Greqi
Të premten ndeshen Gjermania - GreqiaFotografi: DW

Rusia jo vetëm që dështoi me humbjen nga Greqia por në këtë rast u dëshmua edhe mungesa e logjikës së rregullave të UEFA-s. Rusia kishte një goldiferencë më të mirë se Greqia, por u detyrua të largohet nga Kampionati për shkak të humbjes në duelin e drejtëpërdrejtë.

Sa i përket favoritëve kryesorë për titullin e kampionit, Spanjës dhe Gjermanisë, ato zunë vendin e parë në grupet e tyre. Por asnjëra nuk ka shkëlqyer. Tifozët e këtyre vendeve shpresojnë se ato do të shkëlqejnë në lojërat e ardhshme.

Spanja dhe Gjermania megjithë lojën jo bindëse deri tani, mbeten favoritët kryesorë për titullin e kampionit. Mes tyre dhe kandidatëve të tjerë ka dallime të mëdha. Italia është një konkurrent tjetër, por ajo vuan tani edhe nga skandalet e basteve. Të gjitha kombëtaret tjera duhet të ngrejnë shumë nivelin e lojës në qoftë se pretendojnë të fitojnë titullin e kampionit evropian. Anglezët, francezët dhe portugezët kanë potenciale të mëdha por ato ende nuk janë dëshmuar në fushë. Greqia dhe Çekia janë kandidatët të cilëve u jepen më së paku shansa. Megjithatë edhe ato pretendojnë se kanë fuqi të zemërojnë ndonjë prej favoritëve.