1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eufori patriotike para ndeshjes Gjermani-Greqi

22 Qershor 2012

Në çerekfinalen e Kampionatit Evropian, Gjermania do të luajë kundër Greqisë. Disa grekë këtë betejë e konsiderojnë më shumë se një ngjarje sportive - mundësi hakmarrjeje ndaj masave shtrënguese të Merkel-it.

https://p.dw.com/p/15Jf7
Fotografi: DW

Në gazetat sportive greke mund të lexosh titujt pak para ndeshjes Gjermani-Greqi: "Na e sillni Merkelin" apo "Ne japim gjithçka për një natë me Merkel-in." "Ne i përkasim G8-ës së Futbollit Evropian", shkruan një gazetar i sportit i përfshirë nga euforia patriotike. "Largoni gjermanët nga Kampionati", është titulli në një gazetë tjetër. Së paku dhjetë gazeta të ndryshme sportive botohen në Greqinë me njëmbëdhjetë milionë banorë dhe çdo ditë zhvillojnë beteja të ashpra se cila prej tyre do të ketë kryetitullin më të mirë. Dashakeqët pohojnë se ky apo ai botues merret me pastrimin e parave. Të tjerë besojnë se mbiprodhimi publicistik ka të bëjë me vetëshfrytëzimin e redaktorëve, të cilët cilët punojnë me kënaqësi pa pagesë për shkak se mbulimin e ngjarjeve sportive e shohin si një hyrje në gazetari.

Dimitris Kanellos
Dimitris KanellosFotografi: Jannis Papadimitriou

Betejëza të mediave

Sidoqoftë: Politika dhe sporti duhet të mbeten të ndara, beson Dimitris Kanellos, redaktor i të përditshmes së Athinës "Eleftheros Typos", e cila paraqitet me një titull serioz sportiv. Kanellos i cili ka studiuar gazetarinë në Austri dhe ndjek me vëmendje shtypin gjerman të sportit është i mendimit se të djya palët janë përgjegjëse për përqeshjen reciproke. "Pas fitores kualifikuese kundër Rusisë ne grekët ishim të parët që filluam me tituj si "Na e sillni Merkel-in ". Por pastaj gjermanët reaguan keq dhe sulmuan disa lojtarë personalisht. Kapiteni grek Karagounis një TV-video ironike është quajtur edhe si aktor", ankohet Kanellos. Por këto janë vetëm betejëza të mediave. Të dy ekipet nuk kishin të bëjë aspak me këto betejëza dhe e panë të gjithën në mënyrë shumë sportive, mendon gazetari i sportit nga Athina.

Kur lëndohet krenaria kombëtare

Shqetësimi i radhës u shkaktua një ditë para lojës së sotme (22.06.) nga një raport ironik i gazetës gjermane BILD: Futbollistët helenë gjithë kohën vetëm shajnë dhe thithin duhan, raporton një spiun i BILD-it nga hoteli ku është vendosur kombëtarja greke në Varshavë. Por në fakt vetëm trajneri i kombëtares greke Fernando Santos është duhanxhi dhe siç dihet ai vjen nga Portugalia. Komentatori i sportit Antonis Panoutsos rekomandon qetësi: "Të dashur bashkatdhetarë, krenaria jonë kombëtare nuk duhet të varet në të vërtetë nga fakti nëse Karagounis mund të zotëroj mirë topin", shkruan ai në gazetën e futbollit "Sportday".

Konstantinos Pavlou
Konstantinos PavlouFotografi: Jannis Papadimitriou

Edhe kolegu i tij Konstantinos Pavlou gjithashtu ka qëndrim të ngjashëm. Babai i dy fëmijëve ndjek ndeshjet e Kampionatit Evropian në kafeterinë e tij të preferuar me një gotë uzo përpara. Gjithashtu edhe ai e ndjen veten të prekur nga kriza dhe po përpiqet të sigurojë mjetet për të kaluar muajin, sidomos tani kur dy bijat e tij studiojnë larg nga Athina dhe paratë i presin nga shtëpia. Por e gjithë kjo nuk ka të bëjë asgjë me lojën, thotë ai me vendosmëri. "A doni të bisedoni me mua për atë që ndodh jashtë fushës? Jo. Çfarë duan Greqia, Merkeli apo Samarasi është një gjë, futbolli është një histori tjetër. Futbolli është gëzim të cilin nuk lejojmë të na prishin", thotë Pavlou.

Autor: Janis Papadimitriu/Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi