Estoni pa kufij
21 Tetor 2008Për Estoninë lajmi i marshimit të trupave ruse në Gjeorgji ishte një shok i veçantë. Megjithëse ushtararët janë tërhequr tani sipas planit, vendi i vogël baltik shqetësohet për integritetin e vet, sepse Estonia dhe Rusia vazhdojnë të mos kenë ratifikuar marrëveshjen për vijën kufitare; në fakt një parakusht ky për pranimin e Estonisë në BE dhe NATO.
Tatjana fshin djersën nga balli. Doganierja estoneze ka dy orë që po kontrollon në vendkalimin kufitar Narva njërin këmbësor pas tjetrit. Në kufirin e jashtëm të Bashkimit Evropian në Narva punohet çdo ditë me intensitet të lartë. Këmbësorë të shumtë duan të kalojnë përmes urës nga Ivangorodi rus në anën tjetër të lumit kufitar në Narvën estoneze. Para ndryshimeve politike kufiri midis republikave sovjetike estoneze dhe ruse dhe në këtë mënyrë midis dy qyteteve nuk luante rol, kujton Tatjana:
"17 vjet më parë natyrisht nuk kishte kontrolle pasaportash dhe doganore midis Ivangorodit dhe Narvës, megjithëse ato kanë qenë që atëherë dy qytete të ndara. Kaloje më këmbë ose merrje autobusin."
Madje para Luftës II Botërore Narva dhe Ivangorodi në anën tjetër formonin një qytet të dyfishtë. Në atë kohë kufiri kalonte edhe më në lindje. Pas aneksimit të Estonisë prej Bashkimit Sovjetik kufiri u shty deri tek lumi. Kur Estonia rifitoi pavarësinë e vet në fillim të viteve nëntëdhjetë vija e kufirit nuk u ndryshua. Dhe as nuk ka për të ndryshuar më, beson kryetari i bashkisë së Narvës Tarmo Tamiste:
"Kufiri në vetvete ekziston prej kohësh, ka kontrolle doganore dhe pasaportash, por kufiri nuk është përcaktuar me marrëveshje ndërshtetërore. Natyrisht që nuk duhet të jetë kështu."
Për këtë arsye në mes të viteve nëntëdhjetë Estonia dhe Rusia ndërmorrën një përpjekje të re për realizimin e marrëveshjes kufitare. Dokumenti kaloi parlamentin estonez në Talin, por në sekondën e fundit Duma në Moskë refuzoi miratimin.
Marko Mihkelson, kryetar i komisionit parlamentar estonez për Evropën, dyshon se Rusia është përpjekur t'i nxjerrë pengesa Estonisë:
"Me gjasa Rusia besonte atëherë se mund ta shmangte ose vështirësonte anëtarësimin e Estonisë në BE dhe NATO, por Estonia u bë megjithatë anëtare në të dyja organizatat dhe bën pjesë sot edhe në hapësirën Shengen. Shohim që kjo marrëveshje kufitare ose mungesa e saj nuk janë bërë pengesë. Në vend të saj shohim këto radhë të gjata në kufi në drejtimin e Rusisë, por të tilla ka edhe në vende të tjera dhe këtu vëmë re që nuk kemi të bëjmë vetëm me një problem estonez. Finlanda ka marrëveshje kufitare dhe megjithatë atje ka radhë të pafundme kamionash."
Estonia ishte madje e gatshme të hiqte dorë nga territoret e saj në anët tjetër të lumit, por në një pikë nuk kishte kompromis për Talinin: Në hyrje marrëveshja kufitare duhet t'i referohej një marrëveshjeje nga koha e paraluftës. Në të Bashkimi Sovjetik e njihte Estoninë si shtet të pavarur. Por në qoftë se Moska do ta kishte miratuar këtë hyrje, kjo do të kishte qenë e barabartë me pranimin se Estonia u pushtua në vitin 1940 në shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Qeveria estoneze nuk do të heqë dorë nga kjo kërkesë edhe në të ardhmen, mendon deputeti Marko Mihkelson.