1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Interview Bühler

18 Gusht 2011

"KFOR-i është i gatshëm dhe në gjendje të përballet me të gjitha sfidat në Kosovë", thotë në një intervistë ekskluzive për DW, komandanti i KFOR-it, gjernerali gjerman Erhard Bühler

https://p.dw.com/p/12Isc
Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Bühler
Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard BühlerFotografi: DW

Deutsche Welle: Zoti Gjeneral, si paraqitet gjendja e sigurisë në veri të Kosovës dhe a janë hequr të gjitha barrikadat serbe nga rrugët?

Erhard Bühler: Gjendja prej arritjes së marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit është shtendosur dukshëm. Megjithatë gjendja e sigurisë mbetet e tendosur, sepse ende nuk janë zgjidhur çështjet politike. Ne për momentin jemi duke punuar në zbatimin e marrëveshjes për regjimin kufitar. Pala serbe është duke hequr barrikadat nga rruga dhe më kanë premtuar se në ditët e ardhshme do të hiqet edhe barrikada në Rudare, në veri të Mitrovicës. Kjo kërkon kohë, sepse barrikada është ngulitur në rrugë.

Deutsche Welle: Kush e kontrollon tani kufirin mes Kosovës dhe Serbisë dhe a ka KFOR-i kapacitete të mjaftueshme për të mbajtur gjendjen e sigurisë nën kontroll, apo keni nevojë për forca shtesë?

Erhard Bühler: Kufijtë në veri kontrollohen aktualisht prej KFOR-it. Ne kemi marrë nën kontroll edhe kalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Në Jarinjë jemi duke kontrolluar vetë, sepse siç e dini kjo pikë kufitare është djegur gjatë sulmit me 28 korrik. Në Bërnjak situata duket ndryshe. Atje po na mbështesin edhe policia kufitare, si nga veriu ashtu edhe nga jugu, si dhe EULEX-i. Aktualisht nuk kemi nevojë për forca shtesë. Paralelisht me negociatat e udhëhequra mes Prishtinës dhe Serbisë në Kosovë ka ardhur edhe një batalion rezervë i NATO-s nga Gjermania dhe Austria. Ishte ky një kontribut efektiv për menaxhimin e krizës dhe ka kontribuar në zbatimin e shpejtë të marrëveshjes.

Deutsche Welle: Pra KFOR-i është në gjendje të mbajë nën kontroll situatën e sigurisë në Kosovë?

KFOR në gjendje të mbajë situatën nën kontroll

Erhard Bühler: Po, këtë po e bëjmë aktualisht me një prezencë të madhe në veri. Ne po përpiqemi të krijojmë një ambient ku do të mund të operonte edhe policia, në veçanti policia e EULEX-it, e cila duhet t'i kryejë hetimet që duhet të çojë deri tek arrestimi i personave përgjegjës për dhunën e kohëve të fundit.

Deutsche Welle: A ka, sipas informacioneve tuaja, në veri të Kosovës policë, ushtarë apo paramilitarë të armatosur serbë? Në Prishtinë është dëgjuar shpesh se në veri ka persona dhe banda të armatosura serbe. A është kjo e vërtetë?

Në veri ka persona të dhunshëm dhe të armatosur

Erhard Bühler: Nuk ka forca zyrtare të sigurisë nga Serbia që operojnë atje. Përkundrazi ne kemi një bashkëpunim dhe mirëbesim me forcat serbe të sigurisë, si me policinë ashtu edhe me ushtrinë serbe, të cilat sigurojnë kufirin nga ana tjetër. Por është e vërtetë që në veri ka persona të dhunshëm dhe të armatosur, të cilët nuk do të thotë se janë nga Serbia, por janë me origjinë nga veriu i Kosovës.

Deutsche Welle: Zoti gjeneral, çfarë ka ndodhur në fakt në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë në fund të muajit të kaluar dhe kush e mban përgjegjësinë për shkallëzimin e dhunës dhe konflikteve?

Erhard Bühler: Përgjegjësinë për shkallëzimin e dhunës, sipas mendimit tim, e mbajnë grupet radikale si dhe grupet e kriminalitetit të organizuar në veri. Ishin këto banda të rinjsh, të armatosura me armë të lehta dore, mjete shpërthyese dhe koteje molotov. Ato kanë sulmuar pikëkalimin kufitar në Jarinjë. Policia e EULEX-it nuk ishte në gjendje të përballet me këto sulme dhe të mbajë pikëkalimin kufitar në Jarinjë. KFOR-i, respektivisht një kompani polake, ka reaguar dhe pas një shkëmbimi të shkurtër të zjarrit me sulmuesit, e ka rikthyer kontrollin në këtë pikë kufitare, e cila edhe sot është nën kotrolllin e KFOR-it.

Deutsche Welle: Për çfarë banda kriminelësh e keni fjalën?

Erhard Bühler: Fjala është për banda kriminale jo vetëm të serbëve, por multietnike, të cilat vitet e fundit kanë përfituar shumë nga kontrabandimi, në veçanti nga kontrabandimi i karburanteve nga Serbia në veri të Kosovës. Natyrisht që ato nuk janë të interesuara për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri. Fjala është për pushtet dhe për para - për shumë para.

Deutsche Welle: Si e vlerësoni bashkëpunimin e KFOR-it me EULEX-in, të cilin pala shqiptare dhe serbe e kanë kritikuar kohët e fundit?

Erhard Bühler: Ne punojnë së bashku ne një atmosferë mirëbesimi të plotë me EULEX-in, në veçanti tani kur po pëpiqemi të krijojmë kushte për operimin dhe hetimet e EULEX-it. Ne kemi koordinim të përditshëm dhe mendoj se ditët e ardhshme do të kemi sukses atje.

Deutsche Welle: Sa e rrezikshme është situata në veri të Kosovës dhe a mendoni se situata mund të shkallëzojë?

Prishtina dhe Beogradi janë për shtendosjen e situatës


Erhard Bühler: Qëllimi ynë në këtë moment nuk është shkallëzimi, por shtendosja e gjendjes. Besoj se këtë e dinë të gjitha palët. Mendoj se palët, të paktën palët zyrtare në Beograd dhe Prishtinë, nuk janë të interesuar për shkallëzimin e gjendjes. Ato po përpiqen, si në sektorin policor, ashtu edhe usharak, që të ndikojnë në shtendosjen e gjendjes. Por kjo me siguri që nuk duhet të na pengojë që të vendosim rendin dhe ligjin dhe të arrestojmë aktorët e dhunës.

Deutsche Welle: Zoti gjeneral Bühler, kohët e fundit është zvogluar dukshëm numri i ushtarëve të KFOR-it në Kosovë. Mendoni se është e mundur tërheqja e plotë e trupave ndërkombëtare në një ardhmëri të afërt, apo KFOR-i duhet të përgatitet për një qëndrim afatgjatë në Kosovë?

Erhard Bühler: Ne kemi një plan për tërheqje, i cili nuk është i lidhur me afate kohore, por me kushtet në Kosovë. Një prej kushteve për reduktimin e ardhshëm është përmirësimi i gjendjes në veri, por ka dhe disa kushte të tjera. Nuk mund të vlerësoj edhe sa kohë duhet të vazhdojë qëndrimi i trupave ndërkombëtare në Kosovë, sepse kjo varet edhe prej politikës dhe përparimin e dialogut, i cili duhet të rifillojë në shtator. Kjo varet edhe nga vendosmëria për zbatimin e masave policore në veri. Por vendosja e sigurisë në veri është një prej kushteve qendrore, të cilën e kam theksuar edhe unë, për të mundësuar një reduktim tjetër të KFOR-it.

Deutsche Welle: Ju personalisht keni dëshmuar edhe një aftësi të madhe negociatori për tejkalimin e krizës. Në fillim të shtatorit duhet të vazhdojë dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit. Mendoni se dialogu ka shansa, në kushtet e tanishme?

Të dyja palët duhet të gjejnë një kompromis

Erhard Bühler: Mendoj se po. Marrëveshja e arritur me ndihmën tonë mes Prishtinës dhe Beogradit mund të qëndrojë në qoftë se të gjitha palët janë të gatshme ta realizojnë atë. Ky vullnet ekziston, të paktën sa i përket palëve zyrtare, sepse është e qartë që forcat radikale dhe gupet e organizuara kriminale janë kundër. Por kjo duhet të zbatohet. Nuk dua të spekuloj lidhur me rezultatet e dialogut, por besoj se është në interesin e të dy palëve që sa më parë të gjendet një kompromis.

Deutsche Welle: Marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit duket shumë e rëndësishme, sepse marrëveshja e arritur vlen vetëm deri me 15 shtator. Çfarë do të ndodhë në qoftë se deri atëherë nuk arrihet ndonjë kompromis?

Erhard Bühler: Marrëveshja parashikon kohëzgjatje të paktën deri me 15 shtator. Mirëpo në qoftë se negociatat kanë nevojë për më shumë kohë, KFOR është i gatshëm dhe në gjendje që të mbajë kontrollin deri në arritjen e marrëveshjes.

Deutsche Welle: Si i komentoni propozimet për ndarjen e Kosovës dhe si do të ndikonte kjo ndarje në gjendjen e sigurisë, jo vetëm në Kosovë, por dhe në vendet tjera? Qeveria në Prishtinë pohon se ndarja do të mund të ndikonte edhe në sigurinë e vendeve tjera, si në Serbi, Maqedoni, Bosnjë-Hercegovinë...

Kosova është unike dhe e pandashme

Erhard Bühler: Kjo është një çështje politike e cila për mua nuk shtrohet fare. Sipas rezolutës 1244 të KS të OKB unë kam të bëj me një Kosovë unike dhe të pandashme. Se çfarë pasojash politike mund të ketë ndarja, unë nuk dua të deklarohem, ndonëse kam mendimit tim personal. Por dua të rikujtoj se shumë vende dhe politikanë janë të mendimit se kufijtë në Ballkan nuk duhet të preken sërish.

Deutsche Welle: Në Serbi janë dëgjuar kohët e fundit kritika të shumta kundër Jush me shpjegimin se ju po e mbështetni qeverinë e Kosovës. Cili është mandati i KFOR-it dhe detyra Juaj në Kosovë?

Erhard Bühler: KFOR nuk mban anën e asnjë pale. Ai është i lidhur me mandatin e vet dhe në NATO kanë shumë kujdes që ky mandat të respektohet. Kritikat e dëgjuara - jo nga pala zyrtare qeveritare por nga të tjerët, të cilat për fat të keq po publikohen edhe në Gjermani - janë plotësisht të pabaza. Unë kam një raport të shkëlqyeshëm me serbët këtu në Kosovë. Unë sot kam pasur një takim edhe me peshkopin Teodosije, ku jam angazhuar fuqishëm për mbrojtjen e pasurive të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Kritikat kundër meje janë absolutisht të pabaza. KFOR-i dhe unë personalisht nuk mbajmë anën e askujt.

Deutsche Welle: Zoti gjeneral Bühler, për në fund edhe një pyetje personale: në disa media serbe Ju jeni kritikuar për mbështejten e palës kosovare. Ka pasur madje edhe spekulime se Ju jeni të martuar me një grua që ka lidhje familjare me bashkëshorten e kryeministrit Thaçi, që babai Juaj ka qenë i inkuadruar në krimet kundër serbëve - ndonëse babai Juaj në kohën e Luftës, nëse nuk gaboj, ishte vetëm nëntë vjeç - që keni fëmijë me një grua tjetër... dhe spekulime të tjera. A është kjo vetëm pjesë e një fushate të ndyrë kundër Jush apo ka diçka të vërtetë këtu dhe kush është zonja e nderuar për të cilën flitet kaq shumë?

Unë e ndaj shumë mirë punën nga jeta private

Erhard Bühler: Fjala është për një fushatë shumë të ndyrë. Sikur të numroja këtu të gjitha kritikat dhe shpifjet e kohëve të fundit, do të duhej një kohë shumë e gjatë. Fakt është që unë kam një jetë private dhe një grua me origjinë nga hapsirat e ish - Jugosllavisë. Prej tri vitesh unë jetoj me një partnere në Gjermani. Ajo ka lindur në Prishtinë, por një pjesë e farefisit të saj jeton në Serbi. Në Slloveni ka jetuar tre vjet. Nëna e saj është me origjinë nga Mali i Zi, ndërkohë që një pjesë të farefisit e ka edhe në Kroaci. Pra është një prodhim tipik i shoqërisë multietnike në ish - Jugosllavi. Por kjo nuk më pengon mua në asnjë mënyrë, sepse shumë mirë mund të ndaj punën dhe jetën private.

Intervistoi Bahri Cani

Redaktoi: Mimoza Kelmendi