1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Energji diellore nga Greqia

20 Mars 2012

Gjermania synon që shfrytëzimi i energjisë diellore të koordinohet në rrafsh evropian dhe rryma diellore në të ardhmen të merret nga Greqia, ku rrezatimi i diellit është më i fortë

https://p.dw.com/p/14OFW
Fotografi: VRD - Fotolia

Prej vitit 2020 shtetet anëtare të BE-së duhet të nxjerrin të paktën 20 përqind të nevojës për energji nga burimet e rigjenerueshme. Për Gjermaninë nevoja mund të bëhej edhe më e madhe, sepse pas dhjetë vjetësh do të mbyllen të gjitha centralet atomike. Prandaj ndërtimi i sektorit të energjive të ripërtëritshme mbështetet me fondet e shtetit. Megjithatë është vënë re, se zhvillimi i energjisë diellore gjermane nuk është shumë premtues. Kancelarja Merkel ka kritikuar publikisht se në Gjermani 50% e fondeve shpenzohen për energjitë e ripërtëritshme, megjithëse ato prodhojnë vetëm dy përqind të rrymës. Gjermania synon që shfrytëzimi i energjisë diellore të koordinohet në rrafsh evropian dhe rryma diellore në të ardhmen të merret nga Greqia, ku rrezatimi i diellit është më i fortë.

Fillimisht kjo ide ishte e ministrit gjerman të Financave Wolfgang Schäuble. Ai e bisedoi atë për herë të parë para një viti me ministrin e atëhershëm grek të Financave dhe minstrin e sotëm të Mjedisit Jorgos Papakonstantinou. Ndërkohë është krijuar projekti HELIOS. Jorgos Papakonstantinou thotë: “HELIOS AG do të jetë një sipërmarrje shtetërore, që do të krijojë shoqëri bija, të cilat do të prodhojnë rrymë me energji diellore. Në këto kompani do të marrin pjesë investitorë privatë. Meqenëse projekti HELIOS do të shtrihet në një sipërfaqe prej 200.000 km², është e qartë se do të krijohen shumë parqe solare. Në secilën prej tyre mund të marrin pjesë investitorë të ndryshëm, pra do të kemi konstelacione të ndryshme strategjike të investitorëve."

Në foto, ministri gjerman Wolfgang Schäuble
Në foto, ministri gjerman Wolfgang SchäubleFotografi: dapd

Energjia solare greke është shumë e shtrenjtë

Projektligji, për të cilin vendos sot parlamenti grek, parashikon, që ndërmarrjet e përbashkëta të shtetit dhe të investitorëve privatë do të mund të marrin me qira sipërfaqet për impiantet fotovoltaikë.

Megjithë këtë trajtim të privilegjuar, zor se do të gjenden investitorë privatë, në qoftë se nuk sqarohet më parë çështja, se kush do ta blejë këtë rrymë. Deri në vitin 2017 shtetet anëtare të BE-së kanë mundësinë që të ndërtojnë sektorin e vet të energjive të ripërtëritshme me masat e mbështetjes kombëtare. Këto subvencione vlejnë vetëm për rrymën, e cila prodhohet në vendin përkatës. Prandaj energjia solare greke është shumë e shtrenjtë, për t'u ushqyer me të rrjeti gjerman. Por sipas ministrit grek të Mjedisit Papakonstantinou, ka një rrugëdalje: „Qeveria gjermane ka deklaruar zyrtarisht, se ajo një herë për një herë nuk dëshiron që rrjeti gjerman të jetë i hapur për furnizuesit e huaj. Por ekziston direktiva e BE-së për energjitë e rinovueshme e vitit 2009, që lejon marrëveshje dypalëshe ndërmjet shteteve anëtare. Mbi këtë bazë ne po negociojmë me qeverinë gjermane, por edhe me qeveri të tjera, për mënyrën se si do mund të mbështetet faza e parë e projektit HELIOS."

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: AP

Me fjalë të tjera: HELIOS do të gjejë vetëm investitorë dhe të realizohet në qoftë se gjenden blerës të huaj për energjinë solare të prodhuar në Greqi. Kundër pushtetit të energjisë diellore të subvencionuar në Gjermani për shembull energjia greke nuk do të kishte shans. Në një marrëveshje bilaterale me Gjermaninë mund të gjendet megjithatë një rregullim i çmimeve.

Shqyrtohen mundësitë e investimeve për sipërmarrjet gjermane

Por një zgjidhje e tillë do të thoshte fundi për energjinë solare në Gjermani. Nga kjo trembet qeveria gjermane. Prandaj qeveria gjermane dhe ajo greke në bashkëpunim me shoqatën e industrisë gjermane (BDI), me bankat private dhe me bankën shtetërore gjermane KfW-Bank, po shqyrtojnë mundësitë e investimeve për sipërmarrjet solare gjermane në Greqi. Por që të investohet në Greqi, duhet sqaruar fillimisht çështja e blerësve për energjinë solare greke, shpjegon Jorgos Papakonstantinou: „Ne kemi bindjen se në muajt e ardhshëm do të kemi gati kornizën për projektin HELIOS dhe do të nisim fazën e parë të tij. Në qoftë se nuk do të kryhet deri në verë, do të japim licencat në gjysmën e dytë të vitit, kështu që në vitin 2013 të mund të ndërtohen impiantet me energji diellore, që do të vihen në punë në vitin 2014.“

Në fazën e parë të HELIOS-it, e cila do të zgjasë deri në vitin 2017, do të instalohen impiante solare me deri 1,5 gigavat. Në fazën e mëvonshme nga heqja e subvencioneve kombëtare për energjitë e ripërtëritshme rryma solare greke do të ofrohet në mbarë Evropën me një çmim konkurrues. Kështu deri në vitin 2020 oferta do të ngrihet në 10 gigawat.

Pamje nga një park solar
Pamje nga një park solarFotografi: BMU / Bernd Müller

Këtu do të krijohej një problem tjetër. Me rrjetet ekzistuese të transportimit të rrymës nuk mund të dërgohet kaq shumë rrymë në Evropën Perëndimore. Giorgos Papakonstantinou shpreson se do të gjejë ndihmë. „Komisioni i BE ka shpallur një program për zgjerimin e rrjetit evropian të rrymës në vlerë prej 10 miliardë eurosh, në të cilën do të marrë pjesë edhe Greqia. Investimet e BE në rrjete të reja janë të domosdoshme, jo vetëm për projektin HELIOS, por edhe për transportet e tjera të rrymës, qofshin nga energjitë e ripërtërishme, qoftë fosile."

Edhe në qoftë se nuk është e qartë se kush do të qeverisë pas zgjedhjeve në Greqi, edhe pas gjashtë javësh projekti i HELIOS-it duhet të ndiqet. Sepse të ardhurat prej tij janë parashikuar për uljen e malit të borxheve të Greqisë.

Autor: Panagiotis Kouparanis/Angjelina Verbica

Redaktoi: Esat Ahmeti