1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ende asnjë kandidat zyrtar për president në Shqipëri

Arben Muka5 Korrik 2007

Në Tiranë mazhoranca dhe opozita nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët për një kandidaturë konsensuale për postin e Presidentit të Republikës

https://p.dw.com/p/BCnE
Zgjedhje në ShqipëriFotografi: AP

Seanca plenare e Parlamentit ditën e mërkurë ka zgjatur deri në mëngjesin e së enjtes, por pa dhënë rezultat. Negociatat mes PS dhe PD e aleatëve të tyre kanë ngecur pa qënë të aftë për nxjerrjen e një emri të përshtatshëm që do të gëzojë mbështetjen e të paktën 84 vetëve në Parlament. Gjatë seancës kanë replikuar kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i grupit parlamentar të PS-së në opozitë, Ben Blushi.


Kryeministri Berisha: „Ti kthehemi Kushtetutës"

Në një shpjegim të gjatë për deputetët, kryeministri i është kthyer edhe një herë procesit negociues, ku ka fajësuar deputetët e opozitës dhe kryetarin e PS, Edi Rama. Berisha tha se me Ramën nuk mund të takohej në „një takim për takim“.

Kreyministri tha mes të tjerave: „Tani jemi në një situatë tjetër, kur Kushtetuta është shpërfillur në mënyrën më ekstreme dhe secili prej jush dhe askush më shumë se ju nuk mund t’i thotë ligjit ligj dhe kushtetutës kushtetutë, sepse jeni ligjbërës. Prej kohësh po përpiqesha që të paktën të ndalnim këtë marrsh marrëzie me një tur kushtetues, pasi është më mirë një dështim me dinjitet, se sa një dështim me turp. Kjo është më e rëndë se çdo gjë tjetër. Unë ju bëj thirrje t’i kthehemi Kushtetutës. U kam thënë deputetëve të mi, kam detyrim të respektoj Kushtetutën, por nuk mund të paragjykoj rezultatin. Ajo që unë kam në dorë dhe u bëj thirrje juve, më mirë një fund me nder se sa një fund me turp, më mirë një dështim me nder se sa një dështim me turp.
Hajde të ndalemi t’i rikthejmë, nëse nuk arrijmë dot në një kandidaturë konsensuale, t’i kthehemi Kushtetutës, sepse kështu jemi bërë gastorët e këtij vendi. Unë këtë e kam bërë për hir të një kompromisi, por Kushtetuta nuk është kompromis“.

Blushi i PS-së: „Kryeministri ka frikë të takojë Ramën“

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Ben Blushi ka konsideruar si fajtor të dështimit të procesit kryeministrin Berisha, siç tha ai „ky është një dështim i tij personal“. Ai aludoi drejtpërdrejt se kryeministri kërkon të blejë vota nga e majta, pasi nuk i ka votat e mjaftueshme për të miratuar një kandidat të tijin për president. Mes të tjerave Blushi i PS-së deklaroi gjatë
seancës plenare: “Gjejini katër votat në Parlament dhe të deklarohen këtu, pasi ky nuk është një proces zarfesh, por arsyesh. Pavarësisht nga të gjitha këto, jemi gati të vazhdojmë konsensusin, të merremi vesh dhe të vendosni me liderin e opozitës pa kushte. I vetmi kusht që ne nuk e imagjinonim është ky që thatë, se duhet të të sjellë një zarf me tre emra dhe t’i kthesh një zarf me katër emra. Jemi gati të ulemi sonte dhe të gjejmë se kush dhe nga ku duhet të vijë presidenti i Republikës. E kam thënë se do të jetë e vështirë të gjendej një konsensus si ai në 2002, pa djegur asnjë raund, asnjë kandidat dhe pa
lënduar asnjë kandidat. Funksionoi se kjo palë e konsideroi konsensusin si një virtyt dhe një domosdoshmëri dhe jo kundërshtim. Kjo është arsyeja që sot nuk mund t’i japim shqiptarëve presidentin e ri. Ky nuk është dështim i klasës politike, i opozitës, por i Sali Berishës. Duhet të kuptojmë se pa konsensus nuk ka progres. Ne nuk mund të ndajmë në 140 burra dhe
gra fajin e Sali Berishës, pasi faji është personal, për të mos kuptuar se Kushtetuta kërkon në radhë të parë konsensus. Ti ke fobi dhe hile dhe nuk takon Edi Ramën për të zgjedhur një president. Ne jemi këtu për të prezantuar arsyet dhe jo për të prezantuar hilet siç bëre ti. Ne nuk pranojmë zarfe me hile nga ju, nuk mund të zgjidhet presidenti me postë dhe me zarfe. Ku është kutia postare për të votuar presidentin në Kryeministri”.