1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Emrat e vjetër e të rinj në BE: von der Leyen, António Costa

26 Qershor 2024

Ujdi për emërimin e Ursula von der Leyen si presidente të Komisionit Europian. Kurse António Costa pritet të vijë në krye të Këshillit të BE. Interesante është se, karriera e portugezit konsiderohej e përfunduar.

https://p.dw.com/p/4hW5o
Bildkombo | Ursula von der Leyen und Antonio Costa
Fotografi: Nick Gammon/John Thys/AFP/Getty Images

Duket se para samitit të BE, Ursula von der Leyen e ka emërimin të garantuar. Negociatorë të Partive Popullore Europiane, socialdemokratëve dhe liberalëve ranë dakord për këtë para samitit të BE, bëri të ditur agjencia gjermane e lajmeve, dpa. Megjithatë von der Leyen nuk e ka ende të garantuar postin. Ajo ka nevojë në Parlamentin Europian për një shumicë absolute të 361 nga 720 deputetë. PPE, socialdemokratët e liberalët kanë bashkë shumicën në parlament, por ka mundësi të mosvotimit pro von der Leyen, pasi nuk ekziston detyrimi i votimit sipas grupit parlamentar. Por kjo do dihet në seancën themeluese të Parlamentit të ri Europian në korrik në Strasburg.

Edhe për postin e kreut të Këshillit të BE ka një emër. António Costa, ish-kryeministër portugez. Po kush është António Costa?

Në Portugali atë e quajnë "kafshë politike". Vërtet António Costa një pjesë të madhe të jetës së tij ia ka kushtuar politikës. Në vitin 1974 si i ri ai përjetoi Revolucionin e Karafilave kundër diktaturës, më pas u aktivizua në organizatën rinore socialiste, si student i juridikut kreu praktikë në kabinetin e presidentit, Jorge Sampaio. António Costa ka qenë deputet portugez, eurodeputet dhe ministër. Ai ka qenë kryetar bashkie i Lisbonës dhe në vition 2015 kryeministër portugez. Në vitin 2022, portugezët  e rizgjodhën me shumicë absolute sërish, por në nëntor 2023 një skandal korrupsioni e nxorri atë jashtë politikës. Prokuroria bëri fjalë për "operacionin influencer".

Ursula von der Leyen duke buzëqeshur
Fotografi: EPA/Denis Balibouse

Ishte mëngjes i 7 nëntorit, kur prokurorët portugezë i ranë ziles me një urdhër kontrolli për Palacete de São Bento, rezidencën zyrtare të kryeministrit portugez në Lisbonë. Ishte një nga gjithsej 42 kontrolle nëpër ministri, selitë e kompanive, bashki dhe shtëpi private.U arrestuan pesë persona duke përfshirë shefin e zyrës së Costës, Vítor Escária.

Kosta reagoi brenda ditës. Disa orë më vonë, ai i paraqiti dorëheqjen presidentit Marcelo Rebelo de Sousa. Duke folur për mediat, ai u shpreh i habitur nga lajmi se ndaj tij është hapur një çështje penale. Por sigurisht ai është "i gatshëm të bashkëpunojë me gjyqësorin në mënyrë që e gjithë e vërteta të dalë në dritë”. Në të njëjtën kohë, ai njoftoi se nuk do të kandidojë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe se donte të përqendrohej në vërtetimin e pafajësisë së tij.

Antonio Costa jep dorëheqjen, 7 nëntor 2023
Antonio Costa jep dorëheqjen, 7 nëntor 2023Fotografi: Leonardo Negrão/GlobalImagens/IMAGO

Gabime në hetime - Costa rehabilitohet

Nuk kaloi shumë kohë dhe prokurorisë iu desh të pranonte gabime serioze në hetim. Akuzat ndaj Kostës bazoheshin në biseda telefonike të përgjuara në të cilat përmendej mbiemri i kryeministrit. Por ky është mbiemër mjaft i zakonshëm në Portugali, supozimi se me këtë ishte fjala për politikanin Costa doli të ishte një gabim.

Që atëherë, dy gjykata dolën në përfundimin, se provat ishin të pamjaftueshme. Miqësia e ngushtë mes Kostës dhe një sipërmarrësi të akuzuar nga prokuroria gjithashtu nuk mjaftonte për një hetim. Më 17 prill, një gjykatë tha se prokuroria kishte mbledhur vërtet 1000 faqe, por këto ishin kryesisht copëza nga gazetat, por jo prova.

Çështja ende nuk është mbyllur përfundimisht, por politikani 62-vjeçar konsiderohet i rehabilituar në Portugali. Dorëheqja e tij nuk shihet më si një pranim faji, por si një hap i guximshëm i "kafshës politike” për t'u mbrojtur. Në zgjedhjet për Parlamentin Europian në qershor, socialistët morën sërish shumicën e votave në Portugali. Dhe Luis Montenegro, pasardhësi konservator i Costës si kryeministër, njoftoi herët se do të mbështeste Kostën në kandidaturën e tij për postin e Presidentit të Këshillit të BE-së.

Salla plenare, Parlamenti europian, karrige bosh
Fotografi: U. J. Alexander/IMAGO

Edhe Socialistët e Portugalisë e shohin Ursula von der Leyen si një presidente të mirë për Komisionin Europian - ashtu si miqtë e saj të partisë spanjolle. Me dyshen Ursula von der Leyen dhe Costa, iberikët shpresojnë për më pak kritere të ashpra në kthimin tek disiplina buxhetore, që mund të ulë rishtazi zhvillimin e mirë aktual ekonomik. Si kryeministër, Costa i dha fund politikave shtrënguese të kursimit me një program të suksesshëm stimulues ekonomik. Kurse von der Leyen më në fund mund të shpresojë për një partner të vërtetë në krye të Këshillit të BE-së, pasi presidenti i mëparshëm i Këshillit, Charles Michel ishte shfaqur gjithmonë e më hapur si rivali i saj.

la/tgsch/dpa