Emigrantët shqiptarë në Greqi, që janë në pritje të rinovimit të lejes së qëndrimit, lejohen të kalojnë pushimet në Shqipëri
14 Korrik 2005
Emigrantët shqiptarë me leje të skaduara qëndrim dhe në pritje të rinovimit të tyre do të mund të kalojnë pushimet e verës pranë familjeve të tyre. Duke filluar prej datës 15 korrik deri në 31 gusht, këta emigrantë mund të dalin dhe të hyjnë lirisht në pikëkalimet kufitare. Këtë e bën të mundur vendimi i Ministrisë greke të rendit, i sapopublikuar. Sipas tij, rruga e kthimit në Greqi është e lirë, për të gjithë ata të huaj që janë pritje të kërkesës së tyre për rinovimin e lejes së qëndrimit. Kjo rregullore përfshin edhe ata të huaj, të cilët kanë hyrë në Greqi në mënyrë të ligjshme, për arsye bashkimi familjar, pune apo studimi dhe kanë aplikuar për herë të parë pranë qendrave të legalizimit. Numri i emigrantëve shqiptarë të kësaj kategorie, sipas statitstikave greke, vlerësohet i madh. Edhe fluksi i emigrantëve që do të shkojnë drejt Shqipërisë pritet të jetë i madh. I fituar pritet të jetë edhe biznesi shqiptar i turizmit.