1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Emigrantët në Greqi përballen me probleme për sigurimin shëndetësor dhe social

10 Shtator 2011

Dy qarkore të nxjerra nga Ministria e Punës në Greqi në fund të gushtit, vështirësojnë së tepërmi siguracionin social e shëndetësor për emigrantët atje.

https://p.dw.com/p/12Wcr
Imigrantë shqiptarë në Greqi
Fotografi: DW

Pas 19 vjetësh pune në Greqi, në “të zezë” dhe pa një pullë siguracioni, Emil Kasapi nga Konispoli me 69 vjet mbi supe jeton me shqetësimin e mbijetesës dhe nuk harron të lutet përditë:

Emigranti shqiptar Emil Kasapi
Me shqetësimin e mbijetesës - emigranti shqiptar Emil Kasapi.Fotografi: DW

“Bëj kryqin, si ortodoks që jam dhe them, aman çdo të bëhem në qoftë se sëmurem këtu. Jam në mëshirë të fatit, do të shes xhaketën, çtë kem, që të shpëtoj”.

Për faj të tij, që është dhe nuk është i tij, Emili nuk ka dhe nuk pret asnjë lloj siguracioni social as nga puna e bashkëshortes apo fëmijëve: “Për arsye se unë fëmijë s'kam këtu. Por edhe gruaja punon nëpër privatë, pa siguracion”. Plotësisht i pafavorizuar nga ligji, që e bën rastin e tij disi të veçantë, nuk i mbetet veçse të shpërthejë: “Po dale, se s'është e njerëzishme, të punoj 19 vjet dhe të mos kem asnjë lloj siguracioni?”.

Të papunët dyvjeçarë në ankth për  librezën e shëndetit

Emili vuan sigurisht edhe “shkujdesjen” e tij që nuk mendoi  për të ardhmen, por në pozitën e tij mund të gjenden edhe moshatarë të tjerë të tij imigrantë që aktualisht janë të siguruar nga fëmijët apo bashkëshortët e tyre. Këta të fundit, sipas një qarkoreje të re të ministrisë së Punësimit dhe Solidaritetit Social, përtej shkurtit të ardhshëm  nuk mund të kenë librezë shëndeti si të papunë dyvjeçarë. Bashkë me ta do të mbeten pa siguracion shëndetësor edhe prindërit por edhe fëmijët e tyre të siguruar, kur shtohet nga dita në ditë numri i të papunëve dyvjeçarë.

“Në rast të kundërt, në qoftë se nuk më shtyjnë asistencën në muajin shkurt, do të jem në mëshirë të fatit” - thotë Osman Sinaj, nga Fieri, ndërtues, që hyri në asistencë qershorin e vitit të kaluar por ia ndërprenë për një periudhë se i plotësoi dokumentet “me një ditë vonesë”, siç thotë.

Të papunët e Memorandumit i presin ditë më të vështira

Gjithçka është rrjedhojë i ligjit 3996/2011 të muajit gusht “një kombinim rregullimesh të rrepta”, vlerëson për Deutsche Welle-n presidenti i Unionit për Mbrojtjen e Punës dhe të Shtetit Social, profesor i Së drejtës së Punës dhe Sigurimeve në Universitetin e Athinës, Aleksandros Mitropullos. Qarkorja shfuqizon sipas tij dhe rregullimin e favorshëm të përftimit të librezës së shëndetit me 50 pulla siguracioni, pasi e “përcakton si kalimtar për periudhën 1 mars/2011-29 shkurt/2012 dhe vetëm për trajtim mjekësor dhe ilaçet,  pa asnjë kompensim tjetër në para”.

Eemigranti nga Fieri, Osman Sinaj
Dokumentet me një ditë vonesë e lanë pa siguracion - emigranti nga Fieri, Osman SinajFotografi: DW

“Të gjithë ata që mbeten pas shkurtit 2012 të papunë mbi dy vjet, për fat të keq, në qoftë se nuk aprovohet ligj i ri, të papunët, qofshin vendas, apo imigrantë, nuk do të arrijnë të marrin librezë shëndeti” thotë Mitropullos, i cili sheh ditë më të vështira për të “papunët e Memorandumit” pas vitit 2014, kur do të duhen 100 dhe jo 50 pulla siguracioni për siguracion shëndetësor.

“Të ndahet shapi nga sheqeri”

Një qarkore e  dytë i ministrit të Punës Jorgos Kutrumanis i bën më të rrepta premisat e siguracionit për prindërit e imigrantëve. Që të përfitojnë prej siguracionit të fëmijve të tyre apo bashkëshortit/es ose duhet të jenë mbi moshën 60 vjeç, rezidentë të përhershëm në Greqi dhe pa asnjë të ardhur, ose duhet të kenë invaliditet mbi 80%.

Presidenti i Unionit për Mbrojtjen e Punës dhe Shtetit Social, Aleksandros Mitropullos.
Presidenti i Unionit për Mbrojtjen e Punës dhe Shtetit Social, Aleksandros Mitropullos.Fotografi: Aleksandros Mitropullos

Me 55%, në “mënyrë të ligjshme dhe pa asnjë ndërhyrje” ka përfituar invaliditet, siç thotë, pas një aksidenti në punë, edhe Ramadan Avdia nga Shqipëria, që duket se nuk e proekupon rishqyrtimi i  rasteve të invaliditetit. “Nuk kam frikë, se çështjet e invaliditetit janë të ndara. Unë pësova aksident në punë” përgjigjet Ramadani. Por ai pranon ndërkohë se janë bërë abuzime të mëdha që e çuan invaliditetin në Greqi në 14%, kur në Evropë rezulton 8%. Dëshira e tij është që të ndahet “shapi nga sheqeri”. “Më bën përshtypje që dikush shkon dhe në punë duke marrë invaliditet. Kujt i takon i takon”.

Nuk do të lejohet shkelja e ligjit dhe shpërdorimi i të ardhurave

Në aferën korruptive të librezave të shëndetit –që arritën dhe të bliheshin në “treg të zi”- nuk është abuzuar pak dhe nga imigrantë mevojtarë në allishverishin me nënpunësit korruptivë.   “Është më se e qartë se ekzistojnë abuzime të tilla” i thotë Deutsche Welle-s presidenti i entit më të madh të siguracionit social IKA, Robertos Spiropullos. “Ne nuk duam të shpërdorohen të ardhurat dhe të shkelet ligji”, thekson Spiropullos dhe bën fjalë për imigrantë nga vendet fqinje si Bullgaria që “me 50 pulla siguracioni siguronin gjithë pjesëtarët e familjes, dhe ata që nuk janë në Greqi duke nxjerrë jashtë vendit edhe ilaçe”.

"Ne bëjmë atë që bëjnë të gjitha vendet evropiane me sistemet shëndetësore në krizë”- thotë më tej Spiropullos.

“Do të ezaurojmë çdo mundësi financiare për të mbajtur në këmbë shtetin social të ngritur para 30-40 vjetesh” thotë Spiropullos.

Kriza është arsyeja që masa të tilla në fushën e shëndetit, që qeveritarët as guxonin t'i mendonin më parë, tani mbrohen si të “drejta” nga socialistët në pushtet.

Por Mitropullos kritikon: “Qeveritë mendojnë se duhet të zbatojnë përshtatjen financiare, nuk mendojnë për nevojat e njerëzve por edhe të këtyre rrymave dhe shtresave që paradokohe mbështetën ekonominë me fuqi të lirë punëtore. Për fat të keq, disa tani mendojnë se këta duhet të hidhen në mbeturina. Por duhet të kujdesemi për çdo njeri, për çdo punonjës që jeton me punën e tij dhe do të dëshironte përkujdesjen e shoqërisë, që në kushte normale dhe njerëzore të ketë akses tek shërbimi elementar publik, që është shëndeti dhe kurimi” - përfundoi profesori grek i së Drejtës së Punës dhe Siguracionit Social  Aleksandros Mitropullos.

Autor: Niko Anagnosti / Athinë

Redaktoi: E. Xhani