1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Emigracioni - ndikimi i tij në profilin e familjes

2 Shkurt 2011

Hapja e kufijve dhe emigracioni masiv në vendet postkomuniste të Evropës Juglindore, pas viteve 90-të, sollën ndryshime edhe në profilin e familjes shqiptare në emigracion

https://p.dw.com/p/109AY
Angjeliqi Athanasopulliu, nga Qendra e Studimeve Shoqërore në GreqiFotografi: Aggeliki Athanasopoulou

Periudha postkomuniste në vendet e Evropës Juglindore u shoqërua natyrisht edhe me ndryshime të mëdha shoqërore. Rënia e kufijve, lëvizja edhe kontakti i njerëzve, në kuadrin e emigracionit modern, sollën edhe një realitet të ri multikulturor. “Sigurisht emigracioni modern, ajo çka rezultoi pas rënies së rendit socialist në fund të vitëve 80-të, solli përsëri në kontakt popujt edhe njerëzit që Lufta e Ftohtë i kishte mbajtur larg për dhjetëvjeçarë të tërë. Ky kontakt nuk është gjithnjë i lehtë. Është një proces kompleks dhe veçanërisht shumë interesant” i thotë Deutsche Welles Angjeliqi Athanasopullu, doktoreshë e Antropologjisë Sociale, studiuese në Qendren e Studimeve të Shoqërisë Greke, që kohët e fundit ka bërë objekt të interesimit dhe hulumtimit të saj shkencor familjen shqiptare të imigracionit.

Cilët janë faktorët që determinojnë një fleksibilitet në familje?

Në studimin e saj, që është në zhvillim e sipër dhe për të cilin foli dhe në një conference shkencore për “emigracionin dhe marrëdhëniet ndërkulturore në Mesdhe dhe Evropën Juglindore”, Angjeliqi Athanasopullu fokuson në fleksibilitetin dhe dinamikën e marrëdhënieve të familjes së emigracionit shqiptar, duke hedhur dritë mbi ndryshimet që pësoi. “Njëzet vitet e fundit familjet bërthamore ndahen (pjesëtarë të tyre banojnë në të paktën dy vende) dhe bashkohen vazhdimisht, një proces që çon në formimin e skemave të ndryshme shtëpiake. Bashkë me skemat shtëpiake ndryshojnë edhe dinamikat e marrëdhënieve brenda shtëpisë. Çdo anëtar në veçanti thekson anën vendimtare të kontributit të tij në suksesin e përvojës së emigrimit dhe në kohezionin e familjes duke synuar në forcimin e pozitës dhe pushtetit në gjirin e saj”, thekson studjuesja greke.

“Përsa u përket faktorëve, ajo që unë mbroj është se fleksibiliteti dhe dinamika e skemave dhe marrëdhënieve shtëpiake lidhen me menaxhimin e kushteve aktuale”, që do të thotë, sipas zonjës Athanasopullu se në vartësi të kushteve politike, sociale dhe ekonomike si në vendin e origjinës po kështu edhe në vendin e emigrimit, respektivisht në Shqipëri dhe Greqi, subjektet “ripërshtasin vazhdimisht planet dhe strategjitë e tyre emigruese”. Pra se kush do të emigrojë, për sa kohë, do të mbetet në Greqi, i përballur me makthin e papunësisë, apo do të “përzgjedhë një destinacion më perëdimor emigrimi”.

Kushtet e reja, me lëvizjet e shpejta dhe të shpeshta gjeografike, duan dhe favorizojnë një familje fleksible, që gjen ndërkohë shprehjen e saj në familjen bërthamore, me çiftin pra dhe fëmijët, dhe jo patriarkale dhe primitive, forma rudimentare qe në periudhën socialiste.

A ndikon akoma tradita socialiste në tipologjinë e familjes shqiptare ?

“Insistimi i shqiptarëve në familjen bërthamore lidhet me faktin se gjatë periudhës socialiste, regjimi duke nxjerrë në plan të parë modernizimin e shoqërisë socialiste, sabotoi familjet e zgjeruara dhe përforcoi ato bërthamore. Shteti i ofronte një shtëpi të vogël me një ose dy dhoma çdo çifti të ri për strehim, duke kontribuar në pavarësimin e tij nga influenca dhe kontrolli i të moshuarve.

Njëkohësisht, avancoi politika e barazisë midis burrave dhe grave dhe sabotoi pozitën "dominuese" të burrave. Bile, siç është thënë në mënyrë karakteristike, u shndërrua në "mbretëri të grave" thekson zonja Athanasopullu, e cila në vitet e para të emigrimit shikon edhe cënimin e parë të kësaj “mbretërie”. “Burrat nëpërmjet emigracionit, që fillimisht ishte një çështje vetëm e tyre, rivendikuan këtë pozitë dominuese në gjirin e familjes duke ndryshuar në favor të tyre raportet e pushtetit”. Por shumë shpejt, si për shkak të kushteve, po kështu edhe për shkak të vendosmerisë së grave, emigrimi eksluziv i burrave mori fund dhe familja u bashkua sërish në Greqi. “Nga ana e tyre gratë duke emigruar edhe ato dhe duke punuar që në fillim rivendikuan sërish pozitën e barabartë të fituar gjatë socializmit dhe të humbur me emigrimin fillestar të burrave. E vlerësojnë bile si arritjen e tyre eksluzive kalimin nga mbijetesa në kontributin familjar në kushte të barabarta në një vend perëndimor”.

Përderisa më pyesni për marrëdhëniet, këto marrëdhënie janë shumë intensive, të fuqishme dhe tek e fundit esenciale” thotë studiuesja greke. Por a është hulumtimi në fjalë rrjedhojë e një lidhjeje të saj intensive me komunitetin shqiptar? “Sigurisht që ekziston një lidhje jetësore. Pa të nuk mund të ekzistonte një përceptim i thellë i çështjeve aq komplekse që studioj”, thekson Athanasopullu dhe shton: “Nuk kam bërë një por tre studime për emigracionin shqiptar”. Studimi i parë me të cilin mbrojti dhe doktoraturën ishte ai në një komunitet shqiptar agrar në Argolida në vitet 1996-1997. I dyti u zhvillua në vitet 2004-2006 për gratë që punojnë si shtëpiake dhe i treti në vitet 2006-2007 për brezin e dytë të emigracionit.

Autor: Niko Anagnosti/Athinë

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi