El Masri i kërkon Maqedonisë shpërblim
4 Shkurt 2011El Masri i ka kërkuar qeverisë maqedonase 50 mijë euro shpërblim për dëmin e shkaktuar. Në procesin që ka filluar në Shkup ai ka dërguar avokatin e tij. Sipas të dhënave të tij, El Masri ndodhej për vitin e ri 2003 në një udhëtim në Maqedoni, ku agjentët e CIA-s e nxorën nga autobusi i udhëtimit. Më vonë atë e dërguan në Afganistan, ku u mbajt pesë muaj me radhë pa marrë akuzën. El Masri thotë se është torturuar.
Tri javët e para të rrëmbimit ai është mbajtur në Shkup. Për të marrë të drejtën e dëmshpërblimit, avokati i tij duhet të dëshmojë se CIA mban në Maqedoni burgje sekrete. Qeveria e Shkupit nuk e pranon këtë. Rasti i Al Masri shkaktoi në Gjermani tronditje politike. Me të u morr një Komision Hetimor parlamentar.
Prokuroria e Mynihut lëshoi në fillim të vitit 2007 urdhërarresti kundër 13 agjentëve të CIA-s, të cilët duhet të kenë marrë pjesë në rrëmbimin e El Masri-t. Por ngjarja nuk është sqaruar asnjëherë krejtësisht. Përpjekjet e El Mastit për të marrë dëmshpërblim në SHBA dështuan në 2007 në Gjykatën e Lartë të vendit.
Autor: DW/ Aida Cama
Redaktoi: Mimoza Cika- Kelmendi