1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekspozitë për refugjatët gjermanë të pasluftës në muzeun Shtëpia e Historisë

Gaby Reucher3 Dhjetor 2005

Shtëpia e Historisë e Republikës Federale Gjermane i kushtohet kësaj teme nga sot deri në 17 prill me më shumë se 1.000 eksponate. Ekspozita u hap dje nga presidenti gjerman Köhler

https://p.dw.com/p/AsHE
Pllakat i ekspozitës në Shtëpinë e Historisë në Bon
Pllakat i ekspozitës në Shtëpinë e Historisë në Bon

"Nëna ime qante dhe thoshte: 'Ata ikën.' Unë e pyeta, ku është Edith? 'Ah - tha, edhe ajo hipi në tren.'"

Emma Schukies tregon për ikjen e saj nga Lituania. Ajo është një ndër 12 milion njerëz që u detyruan të lënë atdheun pas Luftës II Botërore (LIIB). Me fatin e këtyre njerëzve merret ekspozita "ikje, dëbim, integrim" shpjegon drejtuesi i projektit Hans-Joachim Westholt.

"Natyrisht bëhet fjalë kryesisht për ikjen dhe dëbimin e popullsisë gjermane në fundin e LIIB, për zhvillimin e mëtejshëm në dy shtetet gjermane, deri tek diskutimi mbi trajtimin e temës në kohën tonë; e gjitha kjo e integruar me kohën që i parapriu "shekullit të dëbimeve"."

Tregohen shembuj të jetës dhe të vuajtjeve të refugjatëve dhe të të dëbuarve nga atdheu - siç quheshin në RDGJ - të të zhvendosurve. Nocioni "refugjat" përçmohej në RDGJ e sapokrijuar dhe me dëshirën e ushtrisë sovjetike përdorej fjala "të zhvendosur". Në vitin 1949 u zhduk edhe ky nocion nga fjalori zyrtar. Tema e arratisë dhe vuajtjet e lidhura me të nuk u diskutuan më publikisht. Të gjithë ishin tani "shtetas të RDGJ-së", siç shpjegon bashkëpunëtorja shkencore Petra Wohlfahrt:

"Kjo gjendje ndryshoi vetëm pas transformimeve politike të vitit 89. Kur u rrëzua Muri i Berlinit shkenca iu përkushtua pikërisht kësaj fushe dhe njerëzit në ish-RDGJ u çliruan sepse më në fund mund të flisnin përsëri për këtë. Meqënëse për 40 vjet kjo temë ishte tabu, zyrtarisht nuk mund të flisje për të, ajo u zhvendos në familje e pas 1989-ës u trajtua intensivisht."

Ekspozita fillon gjithëgjermane. Fotografi dhe projektime diapozitivësh tregojnë rryma refugjatësh. Mijëra njerëz që në këmbë me plaçka në krah kanë marrë rrugën dhe transportohen në trena të mbingarkuar. Për këtë në vitrina tregohen dokumenta si pasaporta refugjatësh dhe dekrete. Dekreta si për shembull ai mbi mënyrën se si duhet të silleshin pakicat gjermane. Një sektor tjetër i ekspozitës tregon mbërritjen në atdheun e ri. Vizitori hyn në një ish-barakë refugjatësh prej druri me një sobë të thjeshtë, një dollap dhe një shtrat dërrase. Edhe këtu fotografi të shumta dokumentojnë jetën në kampet e refugjatëve.

Pamjen e plotësojnë eksponate vetjake, si për shembull një fustan kungimi i qepur me copa garzash. Derisa të zhvendosurit u integruan shpejt si shtetas të RDGJ-së, në Perëndim u krijuan shoqata atdhetare si ajo e gjermanëve të Sudeteve ose ajo e gjermanëve të Vollgës, të cilat deri sot shtrojnë kërkesat e tyre politike. Ekspozita përpiqet të ndriçojë nga disa anë këtë kapitull të ndërlikuar të historisë. E derisa në opinionin publik qëndrojnë në plan të parë konfliktet midis grupeve etnike, drejtuesi i projektit Hans-Joachim Westholt synon bashkëpunimin pikërisht në lidhje me Poloninë dhe Çekinë.