1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekonomisë gjermane po i merret fryma

15 Gusht 2019

Prodhimi i brendshëm bruto në Gjermani nga prilli deri në qershor të këtij viti ka rënë me 0,1% krahasuar me tremujorin e një viti më parë. Shenjat se po fillon recesioni?

https://p.dw.com/p/3Nsd4
Deutschland | Autozulieferer ElringKlinger
Fotografi: picture-alliance/dpa/Bildfunk/S. Schuldt

Konfliktet tregtare ndërkombëtare dhe rënia e koniunkturës botërore e kanë frenuar ekonominë gjermane, që suksesin e saj e bazon tek eksporti. Prodhimi i brendshëm bruto u ul me 01,% në tremujorin e dytë të këtji viti, krahasuar me një vit më parë, bëri të ditur Zyra Federale e Statistikave.

Frenimi vjen nga zhvillimet në tregtinë e jashtme. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve janë ulur shumë më tepër se importet. Shpenzimet private të konsumit nga ana tjetër janë rritur, firmat investojnë më shumë.

Eurozona shënon rritje

Megjithë një rënie të lehtë ekonomike të ekonomisë më të fuqishme të BE, Gjermanisë, eurozona ka shënuar rritje ekonomike. Prodhimi i brendshëm bruto aty u rrit me 0,2%, bëri të ditur Zyra Europiane e Statistikave, Eurostat. Si krahasim: ekonomia më e madhe botërore, SHBA shënoi në pranverë një rritje 0,5%.

Nga vendet kryesore të eurozonës, vetëm Gjermania ka pasur tregues më të dobët. "Shembullori tani po bëhet një fëmijë problematik", është shprehur kryeekonomisti i bankës Lampe, Alesander Krüger. Franca, numri dy i eurozonës ka pasur një rritje 0,2%, ndërkohë që Italia ka mbetur e pandryshuar. Spanja dhe Holanda kanë shënuar një rritje prej 0,5%.

Arsyet janë të brendshme

Ekonomisë më të madhe europiane i jep hov dëshira për konsum. Për shkak të gjendjes së mirë në tregun e punës, njerëzit duan të blejnë. Kësaj i shtohet që depozitimi i parave në bankë nuk ia vlen pasi përqindjet janë shumë të ulta. Por sipas ekspertit të Institutit të Marketingut, GfK, Rolf Bürkl edhe konsumatorët po japin shenja pasigurie. Njoftimet për shkurtim personeli, apo kufizimin e punës kanë bërë të rritet frika nga humbja e vendit të punës.

Industrinë gjermane e rëndojnë krahas rënies së koniunkturës botërore dhe konfliktit tregtar SHBA-Kinë, edhe pasiguria lidhur me Brexit. Kësaj i shtohet edhe ndryshimi strukturor drejt elektromobilitetit në industrinë e automjeteve.

Mario Ohoven, presidenti i Shoqatës Federale të Biznesit të Mesëm i ka kundërshtuar njoftimet, se rënia e ekonomisë gjermane mund të lidhet vetëm me faktorët e jashtëm. Përkundrazi: "Rënia e fortë e koniunkturës është krijuar nga brenda. Arsyeja kryesore për recesionin kërcënues qëndron tek prioritetet e gabuara të qeverisë federale." Ohoven kërkoi nga qeveria impulse investimesh me reduktimin e kontributit për papunësisë, një kuotë të patatueshme në llogaritjen e kontributeve sociale, por edhe heqjen e tatimit të solidaritetit.

Perspektiva nuk është optimiste

Edhe të dhënat për tremujorin e tretë nuk duken optimiste. Sebastian Dullien, drejtori i Institutit të Makroekonomisë i fondacionit Hans-Böckler tha se "ekonomia gjermane ndodhet në zgrip". IMK dhe institute të tjera prisnin një rehabilitim të shpejtë të ekonomisë, por kjo nuk ndodhi, sipas Dullien. Shifrat aktuale ekonomike i komentoi edhe drejtori i Dhomës Gjermane të Industrisë e Tregtisë, DIHK, Martin Vansleben. "Aktualisht nuk duket ndonjë shenjë kthese. Në sondazhin e DIHK bizneset raportojnë për perspektiva të zymta. Pritshmëritë kanë rënë në të gjithë sektorët. Edhe ato për tregtinë e jashtme janë më të ultat që prej 10 vjetësh. Nëse nuk ndërmarrim tani veprime, ekonomia gjermane do të futet në darë me rënien e koniunkturës.

Kancelarja Merkel ende nuk sheh nevojën e një pakete koniunkturore. Vërtet që ekonomia po futet në "një periudhë të vështirë" tha ajo në Rostock, por Merkel paralajmëroi nga toni negativ. "Ne do të reagojmë sipas situatës". Për të gjithë vitin, qeveria federale pret një rritje ekonomike prej 0,5%. Vitin e kaluar rritja ekonomike kapi shifrën e 1,4%.

la/dk/hb(afp, rtr, dpa)