1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rezultati i zgjedhjeve shihet qetë nga ekonomia gjermane

Eliana Xhani24 Shtator 2013

Shumica e ekonomistëve nuk u morën gjatë me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Gjermani. Ata dëshërojnë që një qeveri e re të fillojë sa më shpejt nga puna.

https://p.dw.com/p/19mn7

Tregjet financiare nuk reaguan thuajse fare të hënën (23.09.2013) ndaj vazhdimit të qeverisjes nga Kancelarja Angela Merkel, që duket se është bërë e mundur nga rezultati i zgjedhjeve të së dielës (22.09.). Si bursa ashtu edhe euro nuk patën thuajse fare lëvizje. Rezultati "ishte llogaritur" tashmë nga tregjet, pra ishte parashikuar, thonë ekonomistët. Mbi tregjet mund të rëndojnë ndoshta negociatat për koalicion, nëse do të jenë të vështira. Keqardhje pati nga ana e ekonomisë për rezultatin e dobët të liberalëve (FDP).

Shumë përfaqësues nga ekonomia dëshëronin të FDP të vazhdonte të përfaqësohej në Bundestag, si dhe një vazhdim të koalicionit konservatoro-liberal. Tani sipas këndvështrimit të tyre, mungon jo vetëm një parti, e cila ka qenë gjithnjë shumë pranë ekonomisë, por edhe një korrigjues i rëndësishëm, p.sh. në politikën fiskale. Kështu tema e taksës mbi transaksionet financiare është bërë e pranueshme për thuajse të gjitha partitë, me përjashtim të demokratëve të lirë, të cilët mbetën deri në fund kundërshtarë të kësaj takse.

Por pikërisht këtë funksion korrigjues FDP kohët e fundit nuk e ka kryer si duhet, mendon Joachim Scheide, nga Instituti për Ekonomi Botërore në Kiel: "Kohët e fundit FDP nuk ishte ashtu si duhej të ishte", thotë Scheide për DW, "pra një korrigjues për ekonominë e tregut në qeveri. Dhe për këtë arsye ajo u ndëshkua nga zgjedhësit."

Me partitë e përfaqësuara në Bundestagun e ri, është bërë edhe më e mundur vendosja e një page minimale ligjore, nga pikëpamja e ekonomisë një temë e padëshëruar, për të cilën në të ardhmen FDP nuk do mund të thotë fjalën e saj. Për Ulrich Grillo-n, president i Shoqatës Federale të Industrisë gjermane (BDI), kohët e fundit është folur së tepërmi për rishpërndarje: "Gjatë muajve të fundit të fushatës elektorale kemi folur shumë pak për një politikë ekonomike dhe industriale në funksion të përmbushjes së objektivave", tha Grillo në kanalin e parë televiziv gjerman.

Tag der deutschen Industrie 2013 - Angela Merkel und Ulrich Grillo
Angela Merkel dhe Ulrich GrilloFotografi: Getty Images

Vazhdimësia është siguri në planifikim

Tema ka mjaft, tha Grillo më tej: kthesa energjetike, taksat, investimet. BDI flet për "të paktën tetë milionë të punësuar. Dhe ata duan të shohin rritje ekonomike, duan më shumë punësim." Nëse këto tema do të trajtohen me sukses "atëherë mund të shpërndajmë më shumë".

Pjesa më e madhe e përfaqësuesve të ekonomisë është e kënaqur që u shmang një kaos i mundshëm me rezultate të paqarta pas zgjedhjeve. Përkundrazi: me fitoren e qartë të CDU-së, sipas këndvështrimit të ekonomisë, u përftua një masë vazhdimësie dhe bashkë me të siguri në planifikim. Pavarësisht se cili do të jetë koalicioni i ri qeverisës, shumica e përfaqësuesve të ekonomisë janë të një mendje se duhet investuar më shumë në arsim dhe infrastrukturë, por sa të jetë e mundur, pa rritje të barrës fiskale.

Kërkohen reforma të mëtejshme

Ekonomisti Joachim Scheide thotë se janë të nevojshme reforma të tjera në politikën e punësimit dhe pensioneve. Por për këto tema gjen shumë pak në programet elektorale të partive të zgjedhura, thotë ekonomisti. "Në të vërtetë nevojiten shumë më tepër reforma pasi në periudhë afatmesme Gjermania nuk do t'i ketë punët kaq mirë sa duket për momentin."

Prof. Dr. Joachim Scheide
Prof. Dr. Joachim ScheideFotografi: privat

Lehtësim pati në qarqet e ekonomisë pasi u bë e ditur se partia anti-euro 'Alternativa për Gjermaninë' (AfD), megjithë rezultatin e papritur të mirë në zgjedhje, nuk do të hyjë në parlamentin e ri. Që para zgjedhjeve shumë përfaqësues të ekonomisë patën kërkuar nga të gjitha partitë, qendrim të qartë në mbështetje të euros. Hyrja e kundërshtarëve të euros në Bundestag do të kishte shkaktuar skepticizëm para së gjithash tek vendet në jug të eurozonës dhe shqetësim në tregjet financiare.

LINK: http://www.dw.de/dw/article/0,,17107243,00.html