1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekipi i Prishtinës bie dakord që Mitrovica të ketë dy njësi komunale, një shqiptare dhe një serbe

Bekim Shehu2 Maj 2006

Në Prishtinë, Grupi Negociator i Kosovës, miratoi draftin final për decentralizimin në Kosovës, i cili parasheh krijimin e disa komunave të reja më shumicë serbe

https://p.dw.com/p/ArgL
Prishtina
PrishtinaFotografi: DW


Grupi Negociator i Kosovës, përfundoi punën rreth draftit final për decentralizimin në Kosovë, përkatësisht për krijimin e komunave të reja, të cilin do ta prezantojë në Vjenë në takimin e fundit për decentralizimin me palën serbe më katër dhe pesë maj. Për shkak të strategjisë së negociatave, anëtarët e Grupit Negociator të Kosovës nuk njoftuan se sa do të jetë numri i komunave të reja serbe, mirëpo, u tha se, për çështjen e pjesës veriore të Mitrovicës është arritur pajtim koncensual, ndërsa hidhet poshtë mundësia e kompromiseve.

Grupi Negociator i Serbisë, nga ana e tyre kërkon që pjesa veriore e Mitrovicës të jetë komunë e re, kërkesë kjo që nga pala shqiptare hidhet poshtë në mënyrë kategorike. Ekipi i Serbisë, poashtu kërkon që në kuadër të decentralizimit të pushtetit lokal, në Kosovë të ketë të paktën 20 komuna serbe kërkesë kjo që poashtu refuzohet nga Grupi i Prishtinës. Jo zyrtarisht merret vesh se ekipi i Prishtinës, në takimin e Vjenës do të ofrojë krijimin e tri komunave të reja serbe përkatësisht zgjerimin e tyre dhe pjesa veriore e Mitrovicës si njësi komunale në tërësinë e Mitrovicës. Bëhet fjalë, për komunën e Graqanicës, Novo Bërdes dhe Pashteshit. Skender Hyseni hodhi poshtë deklarimet se, pala shqiptare është në presion nga faktori ndërkombëtar që pjesa veriore e Mitrovicës të jetë komunë në vete.

Grupi Negociator i Kosovës, në mbledhjen e fundit pak para takimit të Vjenës, caktoi edhe përbërjen e delegacionit të Prishtinës ku do të jenë tetë anëtarë të udhëhequr nga zëvëndëskryeminstri, Lutfi Haziri. Sidoqoftë, takimi shqiptaro-serb, i katër dhe pesë Majit në Vjenë thuhet se do të jetë i fundit sa i përket decentralizimit. Kjo çështje më pas do të kalojë në KS-it, i cili pritet t'i japë vulën e fundit se si do të duket shtrirja e pushtetit lokal në Kosovë.

Rrjedhat e bisedave të takimit të fundit në Vjenë para anëtarëve të KS-it, do t'i raportojë ndërmjetësi ndërkombëtar në bisedimet për statusin, Marti Ahtisari, i cili më pas do të caktojë edhe axhendën e bisedave të ardhshme shqiptaro-serbe për zgjidhjen e statusit final të Kosovës.