Edhe shumë të tjerë si Cumvinkel
15 Shkurt 2008RHEIN-NECKAR-ZEITUNG
nga Hajdelbergu (Heidelberg) është e mendimit:"Klaus Cumvinkel nuk është një menaxher dosido. Madje edhe si mashtrues tatimesh ai bën dallim nga një x-person. Ai ishte në afërsi të pushtetit, ishte këshilltar i kancelares dhe shef i një sipërmarrjeje, 30 përqind e të cilës është në dorë të shtetit. ... Kjo është ajo që e bën kaq të rëndë këtë rast. Dhe kaq të turpshëm. Kjo e përcakton dëmin që i është shkaktuar nga njëra anë moralit tatimor, nga ana tjetër imazhit të prishur që më parë të menaxherëve me rrogë. Prokuroria e specializuar e Bohumit fillimisht tërhoqi një peshk të madh, për të trembur qindra të tjerët që i kishin investuar paratë e tyre gjithashtu pa tatime në Lihtenshtajn dhe për t'i detyruar ata të bëjnë vetëdenoncim. Po fillojnë të qarat dhe kërcitja e dhëmbëve."
Me indinjatë shprehet MITTELDEUTSCHE ZEITUNG nga Hale (Halle):
"Shefi i Postës Cumvinkel ... është një shembull flagrant i paturpësisë së pamasë. Ndërsa si menaxher i suksesshëm, ishte i nderuar nga të gjitha anët dhe i respektuar nga politikanët, si njeri ai doli zhgënjyes. Dikush që bën pjesë në elitën e shoqërisë nuk duhet të joshet për gjëra të tilla. Kushdo qofshin emrat e tjerë do të zbulojë hetuesia në ditët dhe javët e ardhshme, rasti Cumvinkel ka shkaktuar në shoqëri një krisje të pashembullt."
FRANKFURTER RUNDSCHAU
gjithashtu kritikon:"Këto lloj spostime parash duken gati demode. Ato duken si të ishin relike të kohës kur etja për pasurim të pakufishëm nuk ishte pjesë e sistemit, e kur ai më i eturi duhej të zgjidhte rrugë të fshehta. Standardi i sotëm është politika e fitimit të shpejtë e pa pyetur për humbjet që i shkakton ky shoqërisë. Këtu përfshihet edhe shmangja e pagimit të tatimeve me të gjitha hilet. Nuk është çudi kur mëson, që qindra nga të pasurit tanë të nderuar nuk mund të heqin dorë nga një mendësi e tillë edhe kur është fjala për të ardhurat private."