1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

E paqartë pjesëmarrja e Kosovës në Procesin e Berlinit

3 Tetor 2024

I dërguari gjerman për Ballkanin, Manuel Sarrazin, tha në Prishtinë se shumë investitorë po investojnë në Serbi, prandaj edhe Kosova duhet të krijojë parakushte për investime dhe të punojë për një treg të përbashkët.

https://p.dw.com/p/4lMYw
Manuel Sarrazin në Forumin Ekonomik Gjermano-Kosovar në Prishtinë - pamje nga salla, monitor digjital i konferencës
Manuel Sarrazin në Forumin Ekonomik Gjermano-Kosovar në PrishtinëFotografi: Bekim Shehu/DW

I dërguari i qeverisë gjermane për Ballkanin, Manuel Sarrazin insiston se Kosova duhet të krijojë mundësi për investitorët e huaj dhe të përfitojë nga tregu i përbashkët rajonal. Sipas tij, "Gjermania ekonomikisht dhe politikisht është ndër partnerët kryesor të Kosovës dhe shteti gjerman beson në potencialin që ka Kosova”. Këto deklarata, Manuel Sarrazin i bëri në Forumin e Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar, të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare në Prishtinë, në bashkëpunim me Komitetin Lindor të Ekonomisë Gjermane. Ndër fjalimet kryesore në fillim të punimeve të Forumit zuri vend tregu rajonal. Ky forum shërben si një platformë e veçantë ku liderët e politikës dhe biznesit nga Gjermania dhe Kosova diskutojnë sfidat gjeopolitike dhe mundësitë e reja ekonomike.

Sarrazin: Duam që investitorët të vijnë në Kosovë

Sarrazin shtoi, se për Kosovën ende nuk ka lajme të reja përsa i përket pjesëmarrjes në Procesin e Berlinit, kur kanë mbetur vetëm edhe dy javë në shënimin e 10-vjetorit të këtij procesi. Gjermania vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që ta largojë masën e sigurisë për mallrat serbe duke e cilësuar këtë masë në kundërshtim me Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). "Të gjitha ekonomitë në Ballkan nuk janë një treg i mjaftueshëm që të vijë një kompani. Shumë investitorë shkojnë në Serbi. Duan të investojnë atje dhe të bëjnë biznes me të gjithë rajonin. E, ne duam që kjo të ndryshojë, duam që investitorët të vijnë në Kosovë dhe të krijohet një treg i përbashkët rajonal. Unë nuk di ndonjë investitor nga Gjermania që është duke investuar në ndonjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe që nuk shikon potencialin e vendeve fqinje në të gjithë rajonin”, tha Sarrazin.

Manuel Sarrazin duke folur në forum
I dërguari gjerman, Manuel SarrazinFotografi: Bekim Shehu/DW

I dërguari gjerman tha se është i vetëdijshëm për problemet që ka Kosova me Serbinë, por u shpreh se i "duhet treguar rajonit se zhvillimet pozitive janë të mundshme”. "Për ne, për qeverinë gjermane, angazhimi ynë në Kosovë është strategjik. E shohim në rrafshin politik të sigurisë”, tha Sarrazin.

Në margjina të Forumit i dërguari gjerman takoi edhe zëvendëskryeministrin e qeverisë së Kosovës Besnik Bislimi, me të cilin folën për CEFTA, por, sipas Bislimit "nuk ka asgjë konkrete”, sa i përket heqjes së masave të sigurisë për mallrat serbe. Në të njëjtën linjë me emisarin gjerman për Ballkanin u shpreh edhe anëtari i Bundestagut gjerman, Peter Beyer, që ishte pjesë e Forumit, por që ndaras takoi edhe disa nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe partive politike. Porosia për ta ishte shumë e qartë. "Të shohësh një proces të Berlinit, një Samit pa Kosovën do të ishte e paimagjinueshme. Ai nuk është më Samit i procesit të Berlinit, pra kjo nuk duhet të ndodhë dhe për të gjithë ata që janë të përfshirë duhet të jenë me mendje të qartë dhe të marrin vendime të mençura”, tha Beyer, që shtoi, se marrëdhëniet Gjermani-Kosovë kanë një histori të gjatë. Beyer, tha se  e vlerëson "kancelaren Angela Merkel që dha idenë të bëjë ofertë për gjashtë vendet e rajonit. Unë ju siguroj që nuk ka asnjë ndikim ndërrimi i qeverive në Berlin ku vjen puna tek mbështetja për Kosovën”, tha anëtari i Bundestagut gjerman, Peter Beyer.

Deputeti gjerman, Peter Beyer duke biseduar në Forumin e Prishtinës
Deputeti gjerman, Peter BeyerFotografi: Bekim Shehu/DW

Përjashtim i Kosovës?

I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, dhe diplomatë të tjerë gjermanë gjatë vizitave të shpeshta që patën në javët e fundit në Kosovë, patën përmendur mundësinë e përjashtimit të Kosovës nga Procesi i Berlinit po qe se Qeveria në Prishtinë nuk i heq masat ndaj mallrave serbe. Masa e sigurisë për ndalimin e mallrave serbe u vendos më 14 qershor të 2023, në të njëjtën ditë kur forcat serbe i patën rrëmbyer tre zyrtarë policorë të Kosovës përgjatë patrullimit të brezit kufitar me Serbinë. Nga dhjetori i vitit 2021, Kosova ka pezulluar pjesëmarrjen në Marrëveshjen për Tregti të Lirë mes vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA), pasi Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Moldavia kanë refuzuar që të diskutojnë për largimin e Misionit të OKB-së, (UNMIK) si përfaqësues i Kosovës brenda marrëveshjes rajonale të tregtisë. Më 14 dhe 15 tetor, nën drejtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz do të mbahet Procesi i Berlinit, ku synohet të nënshkruhet marrëveshja e tregtisë së lirë. Aktualisht, tregtia e lirë në Ballkan realizohet nëpërmjet CEFTA-s, por Kosova e ka refuzuar këtë rrugë në të kaluarën, pasi përfaqësohej nga UNMIK-u në këtë mekanizëm dhe jo si shtet i pavarur.

Pamje nga salla e Forumit, Manuel Sarrazin në skenë
Manuel Sarrazin Fotografi: Bekim Shehu/DW

Vendet pjesëmarrëse në CEFTA, përfshijnë Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë, si edhe shumë vende të tjera anëtare të Bashkimit Evropian dhe Britania e Madhe. Gjermania është shteti që i prin prezencës në Kosovë sa i përket investimeve. Sipas një raporti të shoqatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), janë mbi 600 milionë euro që qeveria gjermane i ka ndarë në dy dekada të veprimit në Kosovë, duke ndihmuar dhe ngritur sektorët, si: angazhimi dhe punësimi i të rinjve, bashkëpunimi ekonomik, efikasiteti i energjisë, faza e emergjencës dhe rindërtimit në Kosovë, mbështetja e ri – integrimit, përmirësimi i shërbimeve të menaxhimit të mbeturinave, sektori i arsimit bazë, promovimi i turizmit, etj.