1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sërish zgjedhje në Greqi muajin e ardhshëm

Niko Anagnosti16 Maj 2012

Zgjedhjet janë një sprovë e madhe për të majtën radikale, që ka përballë saj pothuajse të gjitha forcat e tjera politike, që e akuzojnë për mungesë realizmi.

https://p.dw.com/p/14wE9
Presidenti Karolos Papoulias me krerët e partive
Presidenti Karolos Papoulias me krerët e partiveFotografi: picture-alliance/dpa

Zaret u hodhën. Me fjalën “dështim” krerët partiakë, që dilnin nga pallati presidencial pas mbledhjes dyorëshe të së martës nën drejtimin e presidentit Papulias, publikonin lajmin e zgjedhjeve të reja në qershor, për të cilat në vazhdim në deklaratat e tyre do të thoshin secili: “bëmë ç'është e mundur, që të evitoheshin”. “Bëra ç'është e mundur dhe bile me përqindjen 6.11%, që na dha populli grek, që vendi të mos shkojë në zgjedhje të reja”, deklaroi i pari pas mbedhjes kreu i partisë E Majta Demokratike, Fotis Kuvelis, duke shprehur keqardhjen e tij, që propozimi i tij për qeveri ikumenike u hodh poshtë. Njëkohësisht ai shprehu vlerësimin e tij se “forca politike të caktuara kishin zgjedhur që në fillim vajtjen në zgjedhje të reja për t'u shërbyer interesave të tyre partiake”.

Mosformatimi i qeverisë s'mund t'i faturohet vetëm së majtës radikale

Partitë e mëdha nuk ranë dakord për krijimin e qeverisë
Partitë e mëdha nuk ranë dakord për krijimin e qeverisëFotografi: dapd

E njejta keqardhje u shpreh dhe nga kreu konservator Samaras për propozimin e tij për “qeveri të shpëtimit kombëtar”, nga ai socialist Venizellos për “qeveri të unitetit kombëtar të të gjitha forcave proevropiane, pro dhe kundër memorandumit”, nga kreu i fraksionuar i së djathtës Panos Kamenos për “qeveri të synimit të posaçëm kombëtar” për mosnjohjen edhe të pjesës më të madhe të borxhit, por edhe nga kreu i së majtës radikale Aleksis Cipras “për qeveri të majtë, që do të shfuqizojë masat e ashpra të reja të shkurtimeve dhe do të rehabilitojë statusin e punës.”

Asnjë pra nuk e vesh “qyrkun e fajit” për kohën e çmuar, që humbet vendi i zhytur në krizë dhe i kërcënuar seriozisht me dalje nga eurozona. Analisti Tasos Papas i thotë DW se është e padrejtë, që dështimi t'i faturohet eksluzivisht së majtës radikale dhe se arsyeja e tij qëndron në dy “jo-të”, që u thanë gjatë ditëve të mandateve. “PASOK-u dhe Demokracia e re nuk donin partinë SYRIZA në rolin e forcës së parë opozitare dhe SYRIZA nuk donte të hynte në qeveri”, thotë Papas. Një qeveri, që do të materializonte memorandumin dhe do të kompromentonte në mënyrë të pariparueshme të majtën radikale, që kishte bërë flamur të fushatës së saj elektorale shfuqizimin e tij. Në të njejtën linjë shprehet në DW dhe zëdhënësi i së majtës radikale Panos Skurletis: “Në thelb kërkonin që e majta të bëhej bashkëpërgjegjëse për gjithë kursin e mëparshëm, pa pasur ajo vetë një synim të tillë, por edhe një angazhim të tillë para votuesve të saj të dielën e 6 majit”, thotë Skurletis.

Objektivi i zgjedhjeve të reja mbetet formimi i qeverisë së majtë

Alexis Tsipras synon krijimin e një qeverie të majtë
Alexis Tsipras synon krijimin e një qeverie të majtëFotografi: dapd

Pyetja, që shtrohet është, nëse krijimi i një qeverie të majtë anti-memorandum mbetet edhe objektivi kryesor i zgjedhjeve të qershorit. “Ai është synimi ynë dhe ne me këtë platformë politike do të shkojmë në zgjedhjet e reja”, thotë Skurletis për të plotësuar se “do të zhgënjehen fort ata, që thonë se nuk do të ndryshojë asgjë”. Pak më parë në deklaratën e tij vetë kreu i partisë Cipras kishte ftuar votuesit, që të kompletojnë hapin e rëndësishëm të hedhur më 6 maj dhe të “vendosin në dollapin e historisë forcat e së djeshmes, që sheshuan vendin dhe shoqërinë.” “Të krijojmë një qeveri të majtë, me fuqi më të madhe në parlament dhe shoqëri, për tu dhënë fund një herë e përgjithmonë politikave, që shkatërrojnë vendin”, theksoi Cipras, duke dhënë kështu në thelb edhe stigmën e fushatës së re elektorale. Për këtë më parë duhet të bindin elektoratin, si i bëhet që edhe memorandumin të luftojnë dhe vendi të mbetet në euro, por edhe se synimi i tyre është pushteti dhe jo të mbeten një forcë denoncuese.

Fushatë e ashpër elektorale, me akuza dhe goditje poshtë brezit

Evangelos Venizelos udhëheqësi i partisë socialiste PASOK
Evangelos Venizelos udhëheqësi i partisë socialiste PASOKFotografi: dapd

Anketimet e para të paszgjedhjeve të 6 majit evidentojnë një avantazh të së majtës radikale, që në qoftë se do të ruhet do ta afirmojë si forcën e parë politike dhe do të shkaktojë tërmet tek kundërshtarët e saj politikë. Sulmet e para kundër saj janë indikative të një fushate të ashpër elektorale ku duket se nuk do të mungojnë dhe goditjet poshtë brezit. “Përballë nesh kemi ata që propozojnë masa që na nxjerrin nga euroja dhe shkëpusin vendin nga shansi i vetëm i Evropës që ndryshon” deklaroi kreu i djathtë Samaras, duke fotografuar qartë të majtën radikale të cilën edhe një herë e akuzoi për “fodullek” dhe “mungesë kredibiliteti” pasi premton gjëra të parealizueshme.

Socialistët të kërcënuar seriozisht nga e majta

Panos Skourletis, zëdhënësi i së majtës radikale, SYRIZA
Panos Skourletis, zëdhënësi i së majtës radikale, SYRIZAFotografi: Syriza

Ata, që nuk do t'i falen veçanërisht së majtës, pavarësisht retorikës më të kujdesshme të kreut të tyre Venizellos, janë sigurisht socialistët, që kërcënohen me humbje të reja forcash dhe të vetë rolit të tyre të deritanishëm në grupimin e qendrës dhe të së majtës. “Nuk përjashtoj që këtë rol të mos mund ta luajë PASOK-u anemik, por SYRIZA mjafton që të çlirohet nga disa stereotipe majtiste dhe të përforcojë profilin e tij realist dhe socialdemokrat” thotë Papas. Në një rast të tillë e majta do të ketë marrë “hakun” e saj për atë, që i ndodhi dekada më parë nga themeluesi i PASOK-ut Andreas Papandreu, që hyri si “zot në arat e saj”.

Rezultati mund të mbetet enigmë, por për këto zgjedhje një gjë është e sigurt, se “do të jenë të gjithë kundër njërit”. Akoma edhe të majtët e fraksionuar të Fotis Kuvelis, me të cilët mund të ketë bashkëpunim sigurisht pas zgjedhjeve. Dhe sigurisht komunistët, kryetarja e të cilëve tha se e majta radikale “përgjum popullin me premtime prej letre”. “Do të jenë të gjithë kundër partisë SYRIZA” do të thotë në fund të bisedës sonë Tasos Papas, gjë që sipas tij “mund të mos i bëjë keq, por mirë, ta bëjë simpatik në sytë e votuesve”. Dhe të sjellë rezultatin e kundërt, ashtu siç ndodh me dilemat e diskutueshme, që nuk janë të pakta në këto zgjedhje, ku më shumë se fati i partive dhe personaliteteve luhet fati i Greqisë.