1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

E drejta e pensioneve të shqiptarëve në Greqi

19 Dhjetor 2009

20 vjet pas emigrimit të tyre në Greqi, pjesa dërrmuese e imigracionit shqiptar shikon me skepticizëm të madh përfitimin e një pensioni. A ka përspektivë për nënshkrimin e një marrëveshjeje bilaterale për këtë çështje?

https://p.dw.com/p/L8vC
Kriza në GreqiFotografi: AP / DW-Fotomontage

Duket se asgjë, akoma edhe klima e festave të fundvitit që po afrojnë, nuk i bën sadopak optimistë imigrantët shqiptarë, kur flasin për përspektivën e një pensioni nga mundi dhe djersa e një jete të tërë. Brezi i parë po mbush gati 20 vjet emigrimi në Greqi dhe fillon e numëron vitet e punës, por me një shpresë të vakët për pension.

“Që të punosh 15 vjet e të mos marrësh një kontribut nga shteti, kur nuk do të mund të punosh është një padrejtësi e madhe. Shteti të ka marrë paret për 15-20 vjet dhe pension nuk do të marrësh” thotë Kleanth Iliazi, që për 13 vjet me radhë ka punuar si privat dhe i ka paguar vetë siguracionet.

"S'do të merrni pension kurrë!"

Por pse ky opinion dekurajues, që për fat të keq është pothuajse dominues në radhët e imigracionit? “Kam 11 vjet punë në Greqi. Kam venë rreth 2.000 ensima (pulla siguracioni), por nuk përfitoj gjë. S' ka ligj. Ku di unë”, thotë Sime Bajaziti nga Erseka.

Streik in Griechenland
Protesta t�humtaFotografi: AP

“Isha në një vend për dokumentet dhe pyeta një avokate se si qëndron puna me pensionin. Më tha se këtu po hahemi ne grekët, jo më juve që s'keni për ta marrë kurrë”, thotë një imigrant tjetër që prezantohet me emrin përmetar.

“Pse emigrantët grekë të marrin pension edhe këtu edhe atje ku kanë punuar, kurse ne të na mohohet kjo e drejtë?”, është argumenti që shtron menjëherë për të mbështetur të drejtën legjitime të përfitimit të pensionit.

Por si qëndron e vërteta?

Privohen vërtet imigrantët nga e drejta e përfitimit të pensionit? “Atje ku shkova më thanë se pensioni do të dalë mbi bazën e ensimave që ke. Grekët duan 4.000 ensima për pension të plotë. Ne mund të na japin pension të pjesshëm”, thotë si më i informuar Tahir Liçja, 65 vjeç, me 10 vjet punë në Greqi dhe një pension “qesharak” , siç e quan, nga Shqipëria me 34 vjet punë. Adoptimi nga dymujori i vitit të ardhshëm i pensionit bazë për të gjithë, pra edhe për imigrantët, dhe shtimi progresiv i tij sipas viteve të punës, që konsiderohet si thelbi i reformimit të sistemit grek të siguracionit social, është edhe ajo çka presin imigrantët.

“Të gjithë me plotësimin e moshës përfitojnë të drejtën e pensionit”, i thotë DW kryetari i Konfederatës së Përgjithshme të Punonjësve të Greqisë, Janis Panagopullos, pra edhe imigrantët. Pasi kujton atributin e sistemit të siguracionit social të Greqisë që “ofron siguracion shëndeti dhe për të pasiguruarit”, kërkon që t'u jepet “stimul imigrantëve që të kenë sa më shumë vite siguracioni”.

“Që nga momenti që janë të siguruar në Institucionin e Siguracionit Social është antikueshtetuese mosdhënia e këtij përfitimi”, thekson në DW gazetari dhe eksperti i njohur grek i çështjeve ekonomike Kristos Megas, i cili u sugjeron imigrantëve “që t'u qëndrojnë larg zyrave të avokatëve spekulantë të Athinës”, që mendojnë se erdhi sërish ora e tyre si me legalizimin e dokumenteve.

Streik in Griechenland
George Papandreou, a do të ketë marrëveshje shtetërore?Fotografi: AP

Mundësia e marrëveshjes shetërore

Ajo çka do të realizonte të drejtën e pensionit proporcional është padyshim një marrëveshje ndërshtetërore, për të cilën ka vite që flitet dhe së fundi e rikujtuan dy kryeministrat Papadreu edhe Berisha në Prespë.

“Shqiptarët s'kanë pse të jenë skeptikë, është një problem konform të gjitha standardeve ndërkombëtare dhe të vendeve të Bashkimit Evropian”, i thotë DW ambasadori shqiptar në Athinë Vili Minarolli, i cili sqaron se jo vetëm është rënë dakord në parim në nivel politik, por janë takuar edhe drejtuesit e dy organizmave të siguracionit social dhe është rënë dakord që të punohet në nivel ekspertesh për përgatitjen e një drafti.

Thelbi i një marrëveshjeje të tillë do të jetë mbledhja e viteve të punës në të dyja vendet si vjetërsi pune për përfitimin e pensionit, që do të akordohet proporcionalisht nga të dyja vendet në veçanti në vartësi të kontribucioneve.

“Kjo do të jetë gjëja më e mirë që do të bëhet” thotë njëri prej tyre. Por vetëm të bëhet. Do të korrigjohet dhe një “komoditet” i padrejtë për arkat e siguracionit social. Në rastin e imigrantëve vetëm thithin dhe japin me pikatore. Asistencë sociale dhe ndonjë asistencë solidariteti, si kjo e këtij fundviti. Sipas një studimi për vitin 2010 parashikohet që mesatarja e kontributeve të siguracionit të një imigranti të jenë 6.250 euro, kurse përfitimet vetëm 30 euro!

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Bahri Cani