1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

310309 Flüchtlingsdrama Libyen

1 Prill 2009

Para bregdetit të Libisë u mbytën dje të paktën dy varka me refugjatë me disa qindra vetë në bord. Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, u mbytën më shumë se 300 vetë.

https://p.dw.com/p/HO3S
Dramë refugjatësh në Itali - Forcat bregdetare italiane nxjerrin trupat pa jetë të 11 refugjatëve në jug të Sicilisë - 27 qeshor 2007
Dramë refugjatësh në Itali - Forcat bregdetare italiane nxjerrin trupat pa jetë të 11 refugjatëve në jug të Sicilisë - 27 qeshor 2007Fotografi: picture-alliance/ dpa

Ka mundësi që numri i të mbyturve të jetë edhe më i madh. Varkat qenë nisur pranë Tripolit dhe kishin marrë drejtimin e Italisë.
Është ende e paqartë, sa viktima ka marrë fatkeqësia me varka në Mesdhe- por për zhvillimin e ngjarjeve tani ka informacione më të besueshme.

Laurence Hart, drejtor zyre i Organizatës Ndërkombëtare të Refugjatëve, IOM në kryeqytetin libian, Tripolis, deklaroi në një intervistë telefonike me studion e ARD-së në Kairo: "Ne kemi të bëjmë me një tragjedi të rëndë: mbi 240 pasagjerë të një varke të fundosur nuk janë gjetur ende. 21 refugjatë u arrit të shpëtohen. Një varkë e dytë, me 356 pasagjerë dërgoi dje një sinjal emergjence. Refugjatët që ndodheshin në bord u pranuan nga rojet bregdetare të Libisë dhe u kthyen në Libi."

Dramë refugjatësh në Itali - Forcat bregdetare italiane nxjerrin trupat pa jetë të 80 refugjatëve në jug të Sicilisë - 20.10.2003
Dramë refugjatësh në Itali - Forcat bregdetare italiane nxjerrin trupat pa jetë të 80 refugjatëve në jug të Sicilisë - 20.10.2003Fotografi: DPA


Të mbijetuarit e fatkeqësisë ndodhen aktualisht në kampe pritëse në bregdetin verior të Libisë. Atje ata ndodhen nën trajtim mjekësor. Ata janë me origjinë nga vende të ndryshme të Afrikës së Veriut - dhe nga Siria. Hart konfirmoi se rojet bregdetare libiane kanë nxjerrë 20 të mbytur.

Sipas të dhënave egjiptiane, dhjetë prej tyre janë nënshtetas egjiptianë. Fatkeqësia ndodhi rreth 30 km në veri të bregdetit, në afërsi të një platforme ku kërkohet naftë. Për shkaqet, Laurence Hart deri tani vetëm mund të spekullojë: "Me sa di unë, moti nuk ishte shumë i keq. Por numri i pasagjerëve ishte natyrisht shumë i lartë- varkat qenë thjesht të mbimbushura. Dhe varkat e mbimbushura dihet që përmbysen lehtë."

Ushtarë italianë duke ndihmuar refugjatët e rraskapitur në ishullin e Lampeduzës - 2003
Ushtarë italianë duke ndihmuar refugjatët e rraskapitur në ishullin e Lampeduzës - 2003Fotografi: DPA

Përdorimi i varkave të mëdha është një nga metodat e kontrabandistëve, thotë Hart. Ata shkojnë deri në ujërat italiane, e shkatërrojnë motorin dhe dërgojnë pastaj një sinjal emergjence me telefon satelitor. Në bazë të ligjeve ndërkombëtare ata duhet të shpëtohen. Varka më të vogla dhe më të shpejta përpiqen të mbërrijnë pa u zbuluar deri në bregdet, i shkarkojnë refugjatët dhe kthehen. Që prej mesit të majit, një patrullë e mbështetur nga Italia do ta kontrollojë më mirë bregdetin libian.

Sipas mendimit të IOM, e cila punon prej vitesh nën çatinë e Kombeve të Bashkuara kontrollorët shtesë mund të frenojnë vetëm pjesërisht valën e refugjatëve nga Afrika në Evropë: "Natyrisht që është e rëndësishme që të patrullohet Mesdheu, edhe për shkaqe humanitare, në mënyrë që të rriten mundësitë e shpëtimeve në raste katastrofash. Por zgjidhja duhet të bëhet në disa nivele, këtu bën pjesë edhe kontrolli i kufijve jugorë dhe natyrisht, përmirësimi i gjendjes në vendet e origjinës. Patrullat janë një pjesë e përgjigjes, por me këtë ne nuk e kemi zgjidhur në asnjë mënyrë problemin."

Autor: Esther Saoub / Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama