1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Doris Pack: "Në kushte të tilla, nuk mund të zhvillohen më zgjedhje në Shqipëri"

Sonila Harasani19 Shkurt 2007

Në një intervistë ekskluzive me DW-shqip, eurodeputetja gjermane Doris Pack, e cila sapo u kthye nga Shqipëria, tregon se bashkësia ndërkombëtare nuk është ende e kënaqur me proceset zgjedhore në Shqipëri

https://p.dw.com/p/AqXs
Eurodeputetja gjermane Doris Pack
Eurodeputetja gjermane Doris PackFotografi: dpa

Deutsche Welle: Sapo u larguat nga Tirana. Jeni e kënaqur me zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri?

Doris Pack: Po në fakt ato u zhvilluan si gjithmonë jo krejtësisht pa gabime. Por këtë rradhë për herë të parë lista e votuesve nuk ishte në qendër të kritikës. Vetë zgjedhjet u zhvilluan pak a shumë në mënyrë të rregullt, por problematike ishin javët e muajt para këtyre zgjedhjeve, dhe mendoj se tani të gjithë e kuptuan mesazhin se nuk mund të ketë zgjedhje pa pasur një letërnjoftim apo pashaportë. Gjithashtu duhet ta kenë kuptuar se ekziston një rregjistër ku janë shënuar të gjithë emrat. Pa i kuptuar këto, çdo zgjedhje që do të zhvillohet në të ardhmen do të ketë të njejtat probleme si në të kaluarën në Shqipëri. Pra mendoj se tani humbën sërish një shans të madh, duke mos e pasur këtë rregjistër. Por qeveria ka deklaruar se do ta ndryshojë këtë gjë.


Deutsche Welle: OSBE/ODIHR u shprehën gjithashtu si ju, se Shqipëria humbi sërish një shans me këto zgjedhje. A është vërtet i humbur ky shans, fundja procesi zgjedhor ishte relativisht i qetë dhe demokratik?


Doris Pack: Është një shans i humbur sepse politikanët nuk e mbajtën fjalën e dhënë prej vitesh. Qeveria e kaluar ishte tetë vite në pushtet dhe nuk ja doli mbanë që t´i pajiste të gjithë qytetarët me letërnjoftime dhe të hartonte një regjistër me emrat e banorëve. Pa këto nuk mund të zhvillohen dot zgjedhje. Prandaj Shqipëria ka pasur gjithmonë probeme me pashaporta apo çertifikata lindjesh të fallsifikuara. Për këtë e kanë fajin të gjitha palët, si qeveria aktuale ashtu edhe ajo e kaluar.


Deutsche Welle: A mendoni se situata do të ndryshojë në rast se opozita i fiton zgjedhjet?


Doris Pack: Këto zgjedhje nuk ishin kombëtare por lokale. Njerëzit votuan për kryebashkiakun e kryetarët e zonave të tyre, pra për njerëzit që kryejnë punën e tyre. Por jam e sigurtë se tani që në Tiranë u rizgjodh kryetari i opozitës, Edi Rama, opozita do të përpiqet të zhvillojë sa më parë zgjedhje kombëtare. Por mendoj se të gjithë ata që mendojnë me kujdes dhe përgjegjësi, duhet ta dinë se në Shqipëri nuk mund të zhvillohen dot më zgjedhje pa u përmbushur kriteret që përmenda. Por sidoqoftë opozita do të përpiqet të zhvillojë zgjedhje të reja duke marrë si preteks faktin se nuk arrijnë në një konsensus të përbashkët për presidentin, sepse mandati i Alfred Mojsiut mbaron së shpejti, dhe deri në fund të korrikut duhet të zgjidhet një president i ri. Pra opozita nuk do të bjerë dakord me qeverinë, sepse vetëm kështu duhet të shpërbëhet parlamenti. Më pas duhet të zgjidhet një parlament i ri dhe kështu do të përballemi sërish me të njejtën situatë si tani.

Deutsche Welle: Në rast se do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme, mendoni se situata në Shqipëri do të eskalonte sërish?


Doris Pack: Nuk do të kemi zgjedhje të parakohshme sepse bashkësia ndërkombëtare nuk do ta lejojë një gjë të tillë. Në kushte të tilla si këto aktuale, nuk mund të zhvillohen më zgjedhje. Duhet të përmbushen të gjitha kriteret e nevojshme. Por këto kritere nuk përmbushen dot brenda tre muajsh. Nevojitet të paktën një vit apo një vit e gjysmë dhe opozita duhet t´ja japë qeverisë këtë kohë, sepse opozita kishte tetë vite kohë për t´i përbushur këto kritere. Prandaj do të ishte mirë sikur opozita të tregohet e matur dhe t´ja lërë qeverisë aktuale këtë detyrë. Zgjedhjet e ardhshme do të vijnë.