Dita vendimtare - Sundimit të Gadafit po i vjen fundi
22 Gusht 2011Gjashtë muaj pas fillimit të kryengritjes në Libi është paralizuar regjimi i Gaddafit. Sipas njoftimeve të shumë korrespodentëve pjesë të mëdha të kryeqytetit Tripoli tani ndodhen nën kontrollin e kryengritësve. Sipas të dhënave të veta, kryengritësit kontrollojnë 95% të Tripolit. Komandantët e kryengritësve thonë se ka kapitulluar garda personale e pushtetmbajtësit Muammar al-Gaddafi. Kanali televiziv arab Al Xhazira transmetoi pamje, ku shihen njerëz në rrugët e Tripolit duke përshendetur fitoren e kryengritësve. Ende nuk dihet vendndodhja e dikaktorit Gaddafi. Ai disa herë u ka bërë thirrje ithtarëve të tij që të luftojnë për mbrojtjen e Tripolit.
Perëndimi përgatitet për humbjen e Gaddafit
Kancelarja gjermane Angela Merkel i bëri thirrje pushtetmbajtësit libian Muammar Al-Gaddafi që të tërhiqet nga kreu i shtetit. Ai duhet të dorëzohet mundësisht shpejt, në mënyrë që të evitohet gjakderdhja e mëtejshme, tha kryetarja e Unionit Kristiandemokrat, Angela Merkel, në një intervistë televizive. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, tha se ka ardhur koha që të krijohet një Libi e re mbi bazat e lirisë dhe demokracisë. Zëdhënësja e NATO-s Oana Lungescu: "Unë mendoj se ajo që ne po shohim sonte është shkatërrimi i regjimit. Dhe sa më shpejt që kolonel Gaddafi ta kuptojë se nuk ka asnjë mënyrë që ai të fitojë këtë luftë, që e ka filluar kundër popullit të tij, do të jetë më mirë për të gjithë, në mënyrë që populli libian të mund të fillojë tranzicionin drejt demokracisë, që ata duan dhe e meritojnë", tha Lungescu. Në Uashington një zëdhënës i presidentit amerikan, Barack Obama, tha se ditët e Gaddafit janë të numëruara.
Autor: dpa/ea
Redaktoi: av