1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bundestagu përkujton viktimat e nacionalsocializmit

27 Janar 2021

Që prej 25 vjetësh Gjermania e kremton 27 janarin si ditën përkujtimore ndaj viktimave të nacionalsocializmit. Më fuqishëm se kurdoherë sivjet vëmendja u përqendrua tek jeta hebreje në Gjermani në të ardhmen.

https://p.dw.com/p/3oUpJ
Deutschland Holocaust Gedenktag Bundestag Berlin
Fotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

"Unë sot jam përpara jush krenare si një gjermane." Charlotte Knobloch është 88 vjeç. Shpesh bavarezja nga Mynihu në orët përkujimore në tribunën e Bundestag-ut ka marrë pjesë si e ftuar nderi. Tani ajo mban fjalim në pultin e referuesit në përkujtim të disa milionë viktimave të nacionalsocializmit. Knobloch e quan veten me fjalët e saj të para „gjermane krenare" e po të njëjtat fjalë ajo i thotë edhe në mbyllje të fjalimit. Deputetët ngrihen në këmbë në nderim të saj dhe duartrokasin për minuta të tëra. Edhe përfaqësuesit e populistëve të djathtë të partisë AfD duartrokasin.

Berlin Bundestag | Holocaust Gedenken | Rede Charlotte Knobloch
Charlotte KnoblochFotografi: Markus Schreiber/AP/picture alliance

Eshtë e 25-ta herë që Bundestag-u përkujton më 27 janar viktimat e nacionalsocializmit. Eshtë dita e përvjetorit të çlirimit të kampit nazist të përqendrimit Auzhvic nga forcat e Ushtrisë së Kuqe të Bashkimit Sovjetik. Pesë dekada pas Luftës së Dytë Botërore, duket pra sikur vendi, parlamenti, gjeti forcën për ta ndëmarrë një hap të tillë. Në fillim të vitit 1996 presidenti asokohe Roman Herzog e shpalli këtë ditë përkujtimore. Tri javë më pas ai ishte referuesi i parë. Para tij në parlament ishin të pranishëm madje edhe disa deputetë, që dikur kishin qenë djem të rinj të NSDAP-së ose kishin luftuar në front në radhët e Wehrmacht-it.

Emocione dhe apele

Eshtë vit për vit një orë krejt e veçantë në parlament. Fjalime emocionuese nga dëshmitarë të kohës, përshkrime tronditëse, që të shtangin. Janë apele për vëmendje kundrejt antisemitizmit dhe racizmit. Ndoshta në ceremoni ndihmon edhe muzika në sfond për të përballuar emocionet e fjalimeve dhe të kuadrit ku mbahen ato. Sivjet për herë të parë flasin dy gra bashkarisht. Dy gra, që flasin për gjenerata dhe fate të ndryshme, duke përfaqësuar pothuajse dy shekuj të ndryshëm.

Knobloch, grande dame e bashkësisë hebreje në Gjermani, rrëfen për presionin e viteve 1930 dhe mizoritë deri më 1945. Vajza e re asokohe i mbijetoi përndjekjes dhe vrasjes duke u strehuar me një emër tjetër, si Lotte Hummel, tek një familje bujqish gjermanë. Kur ajo rrëfen për momentin kur e pa për herë të fundit gjyshen e saj, që më pas ndërroi jetë në kampin e përqendrimit Terezin, asaj i duhet të sforcohet për të përmbajtur lotët. Një jetë e madhe gjermane, e thyer ashtu si dhe historia gjermane.

Trauma mbetet

Më pas mban fjalim Marina Weisband. Publicistja 33 vjeçare ka ardhur në Gjermani në vitin 1994 bashkë me familjen e saj nga Kievi. "Unë kisha frikë nga një vend i panjohur", thotë ajo. Ajo udhëtoi me familjen hebreje pa e njohur traditën hebreje në  Gjermani, vendin e huaj për të. Ajo përshkruan tani përvojat pozitive të saj, por edhe frikërat dhe shqetësimet. Ajo, thotë se „asnjëherë nuk ka dashur të jetë eksperte për antisemitizmin", por tani ajo mban referate për këtë temë dhe kur ndodhin sulme asaj i kërkojnë mendim. "Kjo është trauma, që prej brezash na është trashëguar neve" thotë Weisband.

Deutschland 25 Jahre Holocaust-Gedenken im Bundestag | Marina Weisband
Marina WeisbandFotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Knobloch dhe Weisband  mbajnë fjalime mjaft personale. Po ato kanë edhe nota politike, ashtu si edhe presidenti i parlamentit, Wolfgang Schäuble, në fjalën hyrëse. Politikani kristiandemokrat ankohet për ekstremizmin e djathtë „të pafre dhe të gatshëm për dhunë" si dhe për "interpretimin perfid, e madhe edhe mohimin e historisë".

Jo gjithmonë duartrokitje

Knobloch i adresohet shprehimisht anëtarëve të grupit parlamentar të AfD-së: "Ju do të vazhdoni të luftoni për Gjermaninë tuaj, dhe ne do të vazhdojmë të luftojmë për Gjermaninë tonë. Ju e keni humbur luftën tuaj përpara 76 vjetësh." Për këtë thënie duartrokasin grupet e tjera parlamentare. Po ashtu ato duartrokasin edhe Marina Weisband, kur ajo kritikon „debatin mbi pretendimin për një mbyllje të kapitullit" të kujtesës së mizorisë. Por vetëm kur Weisband tërheq vëmendjen dhe ankohet, se „pikërisht tani strukturat ekstremiste të djathta në ushtri dhe në polici nuk po zbulohen në mënyrë konekuente", askush nuk duartroket.

88-vjeçarja Knobloch dhe 33-vjeçarja Weisband: Të krijohet përshtypja e një ndryshimi të shtabit mes gjeneratave. Në këto kohë po intensifikohen ndjenjat e shumë hebrejve në Gjermani, që janë në dilemë të qendrojnë apo të largohen nga ky vend.

Një çast unikal

Përkujtimi në parlamentin gjerman është një çast solemniteti të madh jo vetëm prej fjalimeve. Në mbyllje ka një çast mjaft konkret dhe tepër simbolik, madje unikal në historinë 70 vjeçare të Bundestag-ut dhe të vendit. Në mënyrë simbolike dhe si kujdestarë përfaqësuesit e vendit marrin mbi vete përgjegjësinë për jetën hebreje në Gjermani. Hebraizmi, kremton sivjet historinë e tij 1700 vjeçare në Gjermani. Ky jubile që nga shkurti do të kremtohet përgjatë gjithë vitit me veprimtari të shumta.

Presidenti Frank-Walter Steinmeier, presidenti i Bundestag-ut Schäuble, presidenti i Këshillit Federal Reiner Haselhoff, kancelarja Angela Merkel, dhe presidenti i Gjykatës Kushtetuese, Stephan Harbarth, gjatë seancës përkujtimore u tërhoqën shkurt në një „mjedis lutjesh". Atje – duke respektuar rregullat e distancës dhe higjenës për shkak të koronavirusit – ata i presin dy rabinë, të cilët e ndjekin seancën në monitorë të mëdhenj.

Deutschland Holocaust Gedenktag Bundestag Berlin
Fotografi: Odd Andersen/REUTERS

Rabini Elias Dray nga Amberg në lindje të Nurenbergut dhe kolegu i tij Shaul Nekrich nga Kaseli i presin politikanët e nivelit të lartë me një rolo të Torës. Mendohet, se kjo është Tora më e vjetër hebreje, që ende ekziston në Gjermani. Ajo është krijuar në vitin 1792 në qytezën Sulzbach pranë Amberg-ut, ka mbijetuar atje dhe 30 vjet më vonë është dëmtuar gjatë një zjarri në qytet e po ashtu edhe gjatë zjarrit 140 të nazistëve. Më pas shkrimi në letrën rolo me pesë librat e Biblës, të pikturuar me finesë me dorë në hebraisht, mbetën në harresë. Derisa u zbulua rastësisht nga rabini Dray në vitin 2015.

Politikanët si kujdestarë

Gjashtë vjet më vonë, sivjet pra në janar 2021, ky shkrim i çmuar është restauruar me mjehstëri dhe rishkruar me kujdes në ato pjesë, ku dëmi i zjarrit ka qenë i pariparueshëm. Gërmat e fundit të shkrimit të çmuar u vendosët tani në dhomën e lutjeve në Bundestag. Me kujdes dhe në çdo gërmë që hedh në letër rabini, qendron pranë tij njëri prej politikanëve duke mbajtur në dorë dorezën e drunjtë të rolosë me shkrimin çmuar: Harbarth dhe Haselhoff, Schäuble, Merkel dhe Steinmeier, përfaqësues të bashkësisë hebreje në Gjermani, e po ashtu edhe Knobloch e Weisband. Asgjë nuk duhet të bëhet gabim në këtë traditë. E pastaj rabini këndon. Vepra është përfunduar, roloja e Torës është shuguruar. Në qershor ajo do të vendoset në mënyrë ceremoniale në Sinagogën e Ambergut.

Deutschland Holocaust Gedenktag Bundestag Berlin
Kancelarja Angela Merkel dhe rabini Shaul Nekrich duke shkruar gërmat e fundit në Torën historikeFotografi: Odd Andersen/REUTERS

Schäuble e vlerësoi Torën në orën përkujtimore në Bundestag si „një shenjë, që 1700 vjetët e jetës hebreje në Gjermani nuk kanë përfunduar". Me aktin e kujdestarisë politikanët morën përsipër „të mbrojnë jetën hebreje prej sulmeve në Gjermani" dhe ta përçojnë në breza kujtimin ndaj krimeve të Shoas.

Rabini më pas i tha DW-së, se „ka besim të madh" tek përfaqësuesit e popullit. Ata vazhdimisht e kanë treguar, „që për ta është e rëndësishme jeta hebreje".

 

Strack Christoph Kommentarbild App
Christoph Strack Gazetar, autor dhe korrespondent i lartë që shkruan për çështjet fetare.@Strack_C