1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dita e kontrollit: Trojka europiane në Greqi

Jannis Papadimitriou/Eliana Xhani2 Korrik 2012

Monitorimi vazhdon: për herë të parë që prej tetorit 2011 shkon në Athinë Trojka me përfaqësues të BE, FMN dhe BQE, për të mbikëqyrur përparimet në masat greke për reforma.

https://p.dw.com/p/15PO8
Trojka në Athinë
Trojka në AthinëFotografi: AP

Nga raporti i shumëpritur i kontrollorëve financiare do të përcaktohet nëse Greqisë do t'i jepen ndihma të reja dhe nëse programi aktual i kursimeve duhet të korrigjohet, ashtu si dëshëron qeveria e koalicionit në Athinë.

Shumë herë tashmë iu është dashur ta shtyjnë misionin e tyre ekspertëve financiare ndërkombëtarë, së fundi sepse shumë pjesëtarë të qeverisë së re greke të kryeministrit konservator Antonis Samaras, ishin sëmurur. Trojka nuk deshi të përzihej në fushatën e gjatë elektorale greke muajt e kaluar dhe për këtë arsye, kishte bërë të ditur se nuk do të shkonte në Greqi përpara se të merrte mandatin një qeveri e re e aftë për të vepruar.

Qeveri e re - negociata të reja?

Tani koha erdhi. Por qeveria e re greke e filloi mandatin me premtimin se do të rinegociojë kursin aktual të kursimeve dhe do të zbusë pasojat e tij sociale. Koalicioni qeverisës nën drejtimin e Samaras pret që kursi reformator të shtrihet deri në vitin 2016, në mënyrë që vendi "të mund të marrë frymë", siç thuhet shpesh në Athinë. Pjesës më të madhe të grekëve kjo i duket e natyrshme pasi papunësia ka arritur një nivel rekord prej 23% dhe recesioni gjithashtu është në një nivel shumë të lartë prej 7% në tremujorin e tretë 2012. Por Trojka nga ana e saj pritet të tërheqë vëmendjen se reformat e premtuara prej kohësh nga Greqia kanë mbetur në vend, para së gjithash sa i takon masave fiskale, privatizimeve dhe ristrukturimit të administratës.

Griechische Flaggen vor der Akropolis / Griechenland / Athen / Schuldenkrise
Fotografi: dapd

Që prej bilancit të parë në tetor 2011 drejtuesi i delegacionit të FMN-së në Athinë, Poul Thomsen, paralajmëroi se masat që ishin marrë deri atëherë nuk ishin aspak të mjaftueshme. "Ne duhet ta habisim pozitivisht Trojkën dhe të tregojmë më shumë rezultat nga sa kemi premtuar", ishte shprehur atëherë eksperti i konservatorëve për çështje ekonomike, Kostis Hatzidakis. Tani Hatzidakis është ministër i Ekonomisë dhe ka mundësi të vërë në jetë teoritë e tij liberale ekonomike. Shumë sinjale tregojnë se koalicioni qeverisës do të fillojë me privatizimet për të rifituar besimin e kreditorëve ndërkombëtarë. Por kështu konflikti me radikalët e majtë, gjithnjë e më të fuqishëm, është i paraprogramuar. Kryetari i partisë Syriza, Aleksis Tsipras, njëkohësisht edhe lider i opozitës, e akuzon kryeministrin Samaras se ai është përkulur tashmë para Trojkës, pasi nuk flet më për rinegociim të programit të kursimeve, siç kishte premtuar në fushatë.

Paratë po mbarojnë

Trysnia kohore po shtohet: sipas informacioneve në mediet greke, qeveria ka para vetëm deri në fund të korrikut apo fillim të gushtit, pastaj vendi nuk do të jetë më i aftë të shlyejë detyrimet. Veç kësaj në 20 gusht Greqia duhet t'i paguajë Bankës Qendrore Evropiane mbi tre milionë euro për maturimin e një obligacioni shtetëror. Pagesa të tjera për interesa të maturuar me një volum prej gjithsej 512 milionë euro, duhet të paguhen në fund të gushtit.

Kryeministri grek, Antonis Samaras
Kryeministri grek, Antonis SamarasFotografi: Reuters

Por ka edhe lajme të mira: sipas një raporti të ri të kreditorëve ndërkombëtarë të Greqisë, aparati i fryrë shtetëror i Greqisë është tkurrur dukshëm gjatë tre viteve të kaluara. Që prej vitit 2009 numri i të punësuarve me kohë të plotë në sektorin publik është reduktuar me plot 11 për qind në 780.000, thuhet në një dokument pune të Trojkës. Irritime ka shkaktuar një tjetër dokument kundërthënës i përfaqësuesit të FMN-së, Bob Traa. Në opinion kanë rrjedhur informacione sipas të cilave raporti thotë se dy vitet e kaluara janë punësuar 70.000 punonjës të rinj shtetërorë.

E përjavshmja athinase "To Vima" informon hollësisht për këtë dhe në numrin e së dielën (01.07.2012) shkruan madje se përfaqësuesi i FMN-së në Greqi ka ftuar redaktorin përgjegjës të gazetës për t'i shprehur zemërimin për personin që ka nxjerrë informacionin sekret dhe e ka kërcënuar gazetarin se nuk do të flasë më kurrë me këtë gazetë. Bob Traa kërkon të paraqitet në Greqi si një "gjykatës hetimor" e madje si një prokonsull romak, ankohet "To Vima".