1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ditë kaosi në eurozonë

Zhang DanghongVilma Filaj-Ballvora21 Mars 2013

Nëntë muaj me radhë u punua për shpëtimin e Qipros. Sapo u gjet zgjidhja, vjen refuzimi nga parlamenti qipriot. Ekonomistët ia vënë politikës një pjesë të fajit për kaosin e ri.

https://p.dw.com/p/1816W
Protesta në QiproFotografi: Reuters

Kur Clemens Fuest presidenti i Qendrës Europiane për studimet ekonomike lexoi fundjavën e shkuar lajmin për ujdinë mes Qipros dhe kreditorëve, iu duke sikur po lexonte një lajm të pavërtetë. „Në Europë ka rregulla të qarta për rregullimin e bankave.“ Pikërisht këto rregulla parashikojnë qartë se kush e mban përgjegjësinë. Fillimisht përgjegjësinë e mbajnë bankat. Kur shpenzohet kapitali i vetë bankës, atëherë vijnë në radhë investorët privatë, ku bëjnë pjesë zotëruesit e obligacioneve, por edhe depozituesit. Por si rregull përgjegjësinë e mbajnë zotëruesit e obligacioneve, sepse janë ata që në kohën e normave të favorshme të interesit, marrin edhe përfitimet më të mira.

Depozituesit me depozita deri në 100.000 euro janë të mbrojtura përmes fondit të sigurimit nga rreziqet financiare. Këtë e ka premtuar Bashkimi Europian. Mund të ndodhë që fond qipriot i sigurimeve të falimentojë, dhe në fund të fundit të paguajnë për humbjet edhe kursimtarët të thjeshtë, por.sipas ekspertit Clemens Fuest, „E drejta dhe ligji do të kërkonte që fillimisht të paguajnë njëherë depozituesit e kapitalit bankar, dhe pastaj depozituesit e tjerë të jashtëm.“

Clemens Fuest
Prof. Clemens FuestFotografi: DW

Dështim i politikës

Kësaj rruge donin t'i binin shkurt ministrat e Jashtëm të eurozonës. Ata donin të bënin hapin e fundit të parin, dhe t'i detyronin të paguanin klientët e bankave me një kapital deri në 100.000 euro një detyrim prej 7%. Këtë konfiskim të pjesshëm, politikanët u përpoqën madje ta zbukurojnë si tatim. Në fusha të tjera ata do të përfundonin në gjyq, po qe se do të guxonin një hap të tillë, shprehet Fuest me ashpërsi për politikën në eurozonë.

„Sipas mendimit tim ky është skandali, që këtu është lejuar një arbitraritet absolut. Sigurisht që është hapi i duhur tërheqja e investorëve privatë për shpëtimin e një vendi, por përpjekja e parë dështoi kaq keq, saqë pjesëmarrja e investorëve privatë kështu diskreditohet plotësisht, është i mendimit specialisti Fuest.

Edhe Achim Bach, drejtor i Institutit për Politikën Ekonomike në Universitetin e Kölnit kritikon faktin që politikanët shkulin pa nevojë dhe po vetë spirancën e sigurimit të depozitave, të hedhur nga ata më parë. Në fund të fundit bëhet fjalë për gjashtë miliardë euro, të cilat do mblidheshin përmes taksës së detyruar. Sigurisht ministrat e Financave ndërkohë janë tërhequr dhe po i rekomandojnë qeverisë qipriote që të mos i prekë depozitat nën 100.000 euro. Megjithatë thyerja e besimit ka ndodhur. Bach: „Çfarë do të mendojnë tanimë spanjollët? Bankat spanjolle janë futur në ombrellën e shpëtimit. Deri më tani depozituesit nuk janë prekur. Por si spanjoll unë do të shqetësohesha dhe do të tërhiqja një pjesë të parave të mia dhe do depozitoja jashtë shtetit, ose do ta vija nën jastëk.“

Studiuesi i njohur i ekonomisë, Wolfgang Franz
Studiuesi i njohur i ekonomisë, Wolfgang FranzFotografi: picture-alliance/dpa

Rrezikohen sërish bankat greke

Por shqetësimin më të madh tashmë do ta kenë bankat greke. Sepse me votën e parlamentit bie edhe premtimi i fundjavës së eurogrupit për mbështetjen e Qipros me kredi deri në 10 miliardë euro. Falimentimi i bankave qipriote do të çonte në greminë edhe bankat greke që sapo kanë filluar të marrin frymë normalisht. Për këtë arsye, studiuesi i njohur i ekonomisë, Wolfgang Franz parashikon “marrjen patjetër në konsideratë të masave përkrahëse për sistemin grek të bankave dhe madje shumë shpejt, sepse ashtu siç e kam kuptuar unë, lidhjet financiare mes Qipros dhe Greqisë janë shumë të ngushta, ndërkohë që në pjesën tjetër të eurozonës, apo edhe jashtë saj, ky problem është i përballueshëm.”

Ndërkohë që Wolfgang Franz llogarit edhe me falimentimin e Qipros, ekonomisti Fuest nuk mendon se Qiproja do të braktiset. Frika se shkëndija që del prej Qipros do të mund të ndizte zjarrin në të gjithë eurozonën. Pikërisht tek kjo frikë kanë vënë bast parlamentarët në Qipro. Po qe se do të kisha qenë ulur edhe unë në atë parlament, ndoshta do të kisha votuar kështu, thotë Fuest: „Potenciali i shantazhit është shumë i madh. Me 99% probabilitet do të thuhet se ne do të rinegociojmë dhe do të bëhen lëshime. Nuk do të më çudiste, sikur në fund të fundit të gjithë do të shpëtohen, dhe investorët e mëdhenj do të gajasen sa t'u tundet barku.”