1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Diskutime për rihapjen e urës në Mitrovicë

2 Gusht 2024

QUINT dhe NATO nuk e mbështesin tani për tani hapjen e urës në Mitrovicë. BE-ja thotë se çështja e hapjes së urës mbi lumin Ibër duhet të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi që ajo ndërmjetëson.

https://p.dw.com/p/4j3fY
Ura e lumit Ibër në Mitrovicë ndan qytetin në dy pjesë
Ura e lumit Ibër në Mitrovicë ndan qytetin në dy pjesëFotografi: Idro Seferi/DW

Ura e lumit Ibër në Mitrovicë ndan qytetin në dy pjesë, atë veriore të banuar më shumicë serbe dhe jugore të banuar me shumicë shqiptare. Diskutimet u rigjallëruan pasi qeveria e Kosovës tha se synon "hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe që ky veprim nuk është kundër askujt”. Por ambasadorët e vendeve më të industrializuara në Kosovë, të njohur si QUINT, dhe NATO-ja e kundërshtojnë hapjen e urës në këtë fazë.

"Përfaqësuesit e Francës, të Gjermanisë, të Italisë, të Britanisë së Madhe, të Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e BE-së në Kosovë, u takuam me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin e tanishëm të Urës së Mitrovicës në këtë kohë", tha ambasadori i SHBA-së, pas një takimi që QUINT zhvilloi  me kryeministrin Kurti.

Ura në shërbim të shkëmbimeve dhe të mirëkuptimit

Qeveria e Kosovës këmbëngul që ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të hapet, pikërisht bazuar mbi planin e BE-së të vitit 2016, për hapjen e urës së Mitrovicës për këmbësorë dhe automjete në dy drejtime.

Arti i grafitit si urë komunikimi në Mitrovicën e ndarë

"Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se ‘rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë për lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë për shkëmbime dhe mirëkuptim'. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”, - thuhet në njoftimin e qeverisë.

Osmani kundërshton qëndrimin e BE-së

Bashkimi Evropian kishte thënë më parë se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë. Por ky qëndrim i BE-së, u kundërshtua ashpër nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila deklaroi se "një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit”.

"Çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë veçanërisht me NATO-n, në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë”, tha Osmani në reagimin e saj.

Ura e Mitrovices
Osmani: Çështja e urës nuk duhet të bëhet temë e dialogut me SerbinëFotografi: Vjosa Çerkini/DW

BE kërkon veprime të kordinuara brenda kornizës së dialogut

Për veprime të kordinuara në veri me faktorin ndërkombëtar që përfshijnë  kuadrin e dialogut Kosovë-Serbi u shpreh edhe i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Ai rikujtoi se "hapja e urës në Mitrovicë është subjekt i dy marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE-ja”.

"Ne vazhdimisht u kemi bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta diskutojnë çështjen në dialog dhe të përmbahen nga veprime të pakoordinuara. Nuk është asnjëherë mirë nëse partnerët ndërkombëtarë befasohen. Në këtë rast hapja e pakoordinuar e urës së Ibrit, mund të çojë në incidente sigurie dhe ta komplikojë edhe më shumë procesin e normalizimit. Hapja e urës në Mitrovicë është subjekt i dy marrëveshjeve në kornizën e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në vitin 2015 dhe 2016. Edhe pse pajtohem se ura duhet të hapet dhe ne e kemi kërkuar këtë për një kohë të gjatë, duhet të bëhet në me pajtim dhe në mënyrë të koordinuar”, tha Lajçak.

NATO mbështet qëndrimin e BE-së

Edhe komandanti i misionit paqeruajtës KFOR, Ozkan Ulutash, është shprehur pro qasjes së BE-së.

"Çdo vendim në lidhje me urën e Mitrovicës duhet të merret brenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, të cilin NATO e mbështet, përfshirë përmes përpjekjeve të KFOR-it. Kjo ka rëndësi kyçe për sigurinë e të gjitha komuniteteve. KFOR-i ka prani fikse në urën e Mitrovicës dhe kryen patrullime në zonat përreth”, thuhet në një komunikatë të KFOR-it.

Sidoqoftë qeveria e Kosovës vazhdon të këmbëngulë se "Ura është simbol i lëvizjes së lirë, që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian”, duke shtuar se qeveria është edhe për lëvizjen e lirë dhe për integrimin e të gjithë qytetarëve.