1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Diskutim skenarësh për Kosovën- Ministrat e jashtëm të BE-së takohen në Portugali

Bernd Riegert 7 Shtator 2007

Ministrat e jashtëm të BE-së fillojnë sot konsultimet dyditore joformale në Viana de Kastelo të Portugalisë. Në qendër të bisedimeve: Kosova, marrëveshja e re bazë e kushtetutës europiane, marrdhëniet e BE-së me Rusinë

https://p.dw.com/p/BdSg
Ministrat e jashtëm të BE-së duke diskutuar në BrukselFotografi: AP

Nga ambasadori gjerman në Londër dhe i ngarkuari i BE-së në trojkën ndërkombëtare, Volfgang Ishinger, ministrat e jashtëm të BE-së presin shtytje dhe ide në një nga çështjet më të vështira diplomatike. Në qytetin verior bregdetar Viana do Kastelo në Portugali, Ishinger si emisari i BE-së në trojkën për Kosovën duhet të vlerësojë stadin aktual të negociatave për statusin dhe të japë opinionet e tij për daljen nga situata e paralizuar.

Ishinger së bashku me kolegët e tij amerikanë dhë rusë ka afat deri në 10 dhjetor të gjejë një kompromis të pranueshëm për palën serbe në Beograd dhe qeverinë kosovare në Prishtinë mbi statusin e ardhshëm të Kosovës.

Asnjëra nga palët nuk ka sinjalizuar deri më tani se do të ketë ndonjë kompromis. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku këmbëngul tek pavarësia, duke mos përjashtuar tek-tuk as shpalljen e njëanshme të pavarësisë. Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç para dy ditësh në Bruksel përforcoi edhe një herë pozicionin e tij: Hapat e njëanshëm jana të papranueshmë po ashtu si pavarësia e Kosovës. "Po qe se ne duam të kooperojmë në kuptimin më të mirë, atëherë duhet që të mos kërcënojmë me marrjen e hapave të njëanshme. Në këtë pikë Europa dhe BE-ja janë dakord."

Rusia mbështet Serbinë. SHBA-të kanë tendencën e mbështetjes së qëndrimit kosovar. Bashkimi Europian përpiqet të ruajë unitetin përbrenda dhe të arrijë një kompromis bazuar në planin e Ahtisarit, një lloj pavarësie për Kosovën nën mbikqyrjen e BE-së. Në këtë formë e përmend edhe komisari i BE-së për zgjerimin, Oli Rehn: "BE-ja do të preferojë zgjidhje bazuar mbi negociatat. Ne dhe Herr Ishinger po punojmë intensivisht në këtë drejtim. Presim një qëndrim konstruktiv nga Beogradi dhe Prishtina. Presim që të gjitha partnerët ndërkombëtarë të ndjekin një rrugë të përgjegjshme, efektive dhe multilaterale, më qëllim të zgjidhim këtë problem kaq të rëndësishëm për të ardhmen e Evropës."

Të 27 ministrat e jashtëm të BE-së do të diskutojnë në Portugali skenarë të ndryshëm. Shumica e refuzon shpalljen e njëanshme të pavarsisë. Ministri i jashtëm hollandez ndërkohë ka propozuar ndarjen e Kosovës mes serbëve dhe kosovarëve. Ndërmjetësuesi i Evropës, Volfgang Ishinger është kundër këtij skenari.

Në 27 shtator do të ketë sërish bisedime direkte mes përfaqësuesve kosovarë dhe serbë. Në dhjetor Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të vendosë përfundimisht për të ardhmen e Kosovës.

Popullsia në Kosovë pret sqarimin sa më të shpejtë të gjendjes, u shpreh ish-komandanti i trupës së NATO-s në Kosovë, gjenerali Roland Kater. Kjo nuk vlen vetëm për 90 përqind kosovarë, por edhe për pakicën serbe.

Ministrat e jashtëm të BE-së do të merren edhe me problemet e brendshme të BE-së në Viana do Kastelo. Presidenca protugeze po përpiqet së tepërmi që deri në fund të tetorit në samitin tjetër të shefave dhe kryeministrave të qeverive evropiane të bëjë gati për siglim marrëveshjen e re bazë të kushtetutës evropiane.

Presidenti portugez, Anibal Cavaco Silva( Anibal Kavako Silva) është optimist: "Gjatë samitit të qershorit liderët evropianë u treguan shumë të mençur. Ata na dhanë ne një mandat të qartë për marrëveshjen. Unë shpresoj që një qëndrim i tillë i mençur të shprehet edhe në Lisbonë."

Me tekstin e ri të reduktuar nga kushtetutë në një marrëveshje normale do të qartësohen më tej procedurat e votimit në BE dhe do të reformohen institucionet.

Të dyja këto çështje u përcaktuan në qershor, paralajmëron presidenti i Komisionit Europian, Barroso: "Ne duhet të kuptojmë që i kemi hyrë disa detyrimeve. Qeveritë e shteteve anëtare duhet t'i përmbahen atyre. Besoj se është vërtet e mundur që t'i mbyllim bisedimet deri në tetor."