1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhuna në Siri vazhdon megjithë marrëveshjen për armëpushim

dpa / Mimoza Kelmendi24 Prill 2012

Vëzhguesit e OKB-së janë të zhgënjyer. Marrëveshja për armëpushim nuk i ka dhënë fund dhunës në Siri.

https://p.dw.com/p/14k29
Vëzhgues të OKB-së në Homs
Vëzhgues të OKB-së në HomsFotografi: AP

Shkelja e rëndë e të drejtave të njeriut në Siri sipas informacioneve të Kombeve të Bashkuara vazhdon edhe më tej, pavarësisht marrëveshjes për një armëpushim. Edhe armëpushimi vetë nuk është i plotë, tha nënsekretari i Kombeve të Bashkuara, Lynn Pascoe, në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork. Regjimi ende nuk i ka tërhequr armët e tij të rënda nga zonat e banimit, tha Pascoe.

Njoftime për vazhdimin e dhunës

Ndërkohë aktivistët sirianë njoftuan për ushtrimin në vazhdim të dhunës nga forcat qeveritare. Një ditë pas vizitës së vëzhguesve të OKB-së, forcat ushtarake të presidentit Bashar al-Assad kishin vrarë në qytetin Hama 33 njerëz, njofton zyra vëzhguese siriane për të drejtat e njeriut me qendër në Londër. Shumica e viktimave ishin civilë dhe vdiqën nga granatimi dhe sulmet me armë zjarrri në këtë qytet. Por numri i viktimave të sulmit nuk mund të konfirmohej nga burime të pavarura.

Vëzhguesit të zhgënjyer

Ndërtesa të rrënuara nga bombardimet e forcave qeveritare në qytetin sirian Homs
Ndërtesa të rrënuara nga bombardimet e forcave qeveritare në qytetin sirian HomsFotografi: picture-alliance/dpa

Vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara kishin inspektuar të hënën rrethinat e kryeqytetit sirian, Damask. Ata qëndruan edhe në qytetin sirian Sabadini. Aktivistët u shprehën të zhgënjyer për situatën. Ekipi i Kombeve të Bashkuara qëndroi për rreth 30 minuta në këtë qytet, pak para se tanket të ishin tëhequr nga qendra. Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun ka konfirmuar për një rritje të misionit të helmetkaltërve. "Vendet anëtare kanë rënë dakord njëzëri që të dërgohen 300 vëzhgues të OKB-së për misionin në Siri", theksoi Ban. Vëzhguesit do të takohen javën e ardhshme. Deri tani OKB vlerëson se janë vrarë rreth 9 mijë vetë në Siri.